Prindërit nuk mund t’i regjistrojnë fëmijët e tyre në çerdhe, kopshte, apo shkollë nëse nuk kanë kryer analizat e përcaktuara mjekësore. Për të shmangur mbingarkesën dhe radhët e gjata, duke nisur nga dita e djeshme, analiza e koprokulturës, e domosdoshme për regjistrimin e fëmijëve për herë të parë në çerdhe, kopsht, apo shkollat e arsimit parauniversitar, tashmë do të zhvillohet pranë katër poliklinikave të përzgjedhura të specialiteteve në kryeqytet. Sikundër ka ndodhur edhe përgjatë viteve të shkuara, edhe për 2019 bëhet e ditur se procesi i regjistrimeve do të bëhet vetëm sipas vendbanimit të fëmijës. Në këto kushte prindërit duhet të paraqiten për të regjistruar fëmijën e tyre në çerdhe, kopsht, apo shkollë vetëm në institucionet arsimore që i përkasin njësisë së tyre të banimit, dhe jo të preferencave që mund të kenë.
Vendimi i dikasterit të Shëndetësisë
Vendimi i marrë së fundmi nga dikasteri i shëndetësisë bën me dije se prindërit duhet të paraqiten për kryerjen e kësaj analize sipas orareve të përcaktuara. Kryerja e kësaj analize është e detyrueshme dhe bëhet me qëllim për të shmangur përhapjen e sëmundjeve, veçanërisht atyre të natyrës infektive tek fëmijët që do të ndjekin çerdhet, kopshtin, apo arsimin fillor. Duke qenë se përgjatë viteve të shkuara kryerja e kësaj analize është shoqëruar me radhë të gjata, ku prindërve u duhej të prisnin me orë të tëra tek strukturat e higjienës për të bërë këtë analizë, tashmë dikasteri i shëndetësisë ka vendosur që zhvillimi i saj të bëhet në katër poliklinikat e specialiteteve, teksa është shtuar edhe koha e vënë në dispozicion të prindërve. Autoritetet e Ministrisë së Shëndetësisë kanë konfirmuar ditën e djeshme se tashmë prindërit mund tu drejtohen çdo ditë katër qendrave të përzgjedhura për të kryer këtë analizë. Sipas tyre, kjo analizë, është një ndër dokumentet e detyrueshëm për fëmijët që do të ndjekin arsimin parashkollor dhe atë fillor, dhe shërben për të treguar se fëmija është i shëndetshëm dhe nuk është bartës i infeksioneve ngjitëse.
Poliklinikat ku mund të kryeni analizën
“Duke nisur nga dita e djeshme fillon kryerja e analizës së koprokulturë për regjistrimin e fëmijëve në çerdhe, kopshte, shkolla. Këtë vit, për të ndihmuar qytetarët, aplikimet do të kryhen pranë qendrave shëndetësore të specialiteteve nr.1, 2, 3 dhe 4, çdo ditë të javës nga e hëna në të premte, nga ora 7:30, deri në orën 10:00. Mos e lini për momentin e fundit, paraqituni pranë qendrave të specialiteteve për analizat e fëmijëve tuaj”, sqarojnë burimet zyrtare të Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale. Po sipas këtij vendimi, gjatë kryerjes së procedurave të regjistrimit të fëmijëve në çerdhe, kopshte e shkolla do të njihen vetëm dokumentet e analizave të lëshuara nga këto institucione mjekësore të përcaktuara dhe jo të strukturave private.
Arsimi parashkollor
Arsimi parashkollor synon zhvillimin shoqëror, intelektual e fizik, të çdo fëmije, ushtrimin e rregullave themelore të sjelljes e të higjienës, kultivimin e vlerave, si dhe përgatitjen për arsimin fillor. Ky cikël arsimi ndiqet nga fëmijët e moshës nga tre deri në gjashtë vjeç. Fëmijëve të moshës pesë vjeç u mundësohet ndjekja e klasës përgatitore edhe pranë shkollave të arsimit bazë, me synim integrimin në arsimin e detyruar.
Zhvillimi i arsimit bazë
Arsimi bazë synon zhvillimin shoqëror, intelektual e fizik, të çdo nxënësi, zotërimin e rregullave të sjelljes dhe kultivimin e vlerave, përkujdesjen për shëndetin, si dhe përgatitjen e mjaftueshme për vazhdimin e arsimit të mesëm të lartë ose për tregun e punës. Në këtë cikël përfshihen arsimi fillor dhe arsimi i mesëm të ulët. Arsimi fillor përbëhet nga pesë klasa, nga klasa e parë deri në klasën e pestë. Arsimi i mesëm i ulët përbëhet nga katër klasa, nga klasa e gjashtë deri në klasën e nëntë. Shkollat e arsimit të orientuar mund të nisin në klasa të caktuara të arsimit bazë, duke siguruar formimin e mjaftueshëm të nxënësve në lëndët e kulturës së përgjithshme.
Ndjekja e arsimit bazë
Arsimi bazë me kohë të plotë është i detyrueshëm për të gjithë fëmijët që janë shtetas shqiptarë me banim në Republikën e Shqipërisë nga mosha gjashtë vjeç deri në moshën gjashtëmbëdhjetë vjeç, me përjashtim të rasteve të parashikuara në këtë ligj. Nxënësi ka të drejtë ta ndjekë arsimin bazë me kohë të plotë deri në moshën shtatëmbëdhjetë vjeç. Nxënësi, që ka mbushur moshën shtatëmbëdhjetë vjeç dhe nuk ka përfunduar arsimin bazë, lejohet të përfundojë klasën që po ndjek.
Arsimimi me kohë të pjesshme
Nxënësit, që kanë mbushur moshën gjashtëmbëdhjetë vjeç dhe nuk e kanë përfunduar arsimin bazë me kohë të plotë, kanë të drejtë të regjistrohen në shkollat e arsimit bazë me kohë të pjesshme. Nxënësi, që nuk ka ndjekur të paktën dy klasa të arsimit bazë me kohë të plotë, ka të drejtë ta ndjekë arsimin bazë me program mësimor individual, sipas procedurave të përcaktuara me udhëzim të ministrit.
