Agjencia Kombëtare e Provimeve ka detajuar tashmë pikët zyrtare me të cilat mbi 33 mijë maturantë në të gjithë vendin do të konkurrojnë për të fituar një të drejtë studimi në universitetet publike të vendit. Ekspertët e kësaj agjencie, sipas formulës tradicionale kanë llogaritur pikët e arritura nga maturantët për të dhjetë preferencat e renditura prej tyre në formularin A2. Publikimi i këtyre rezultateve është bërë nëpërmjet Librit të Transparencës, i cili ka nisur të shpërndahet në të gjitha shkollat e mesme të vendit. Në këtë libër çdo kandidat maturant gjen të gjitha elementet përbërëse të rezultateve të përfundimit të shkollës së mesme, notat e provimeve me zgjedhje, atyre të detyruara, preferencat e përzgjedhura prej tij në Formularin A-2, për programet e studimit që ofrojnë universitetet publike për vitin akademik 2013-2014. Duke iu referuar këtyre treguesve, në libër janë detajuar pikët e fituara nga secili maturant për çdo preferencë, të llogaritura në bazë të koeficienteve të përcaktuar nga Ministria e Arsimit. Nuk përfshihen në Librin e Transparencës maturantët që nuk kanë kaluar qoftë edhe në një nga dy provimet e detyruara apo ato me zgjedhje, pra janë vlerësuar me notën katër. Sikundër ka ndodhur edhe në maturat e shkuara, edhe për 2013-n, është planifikuar që fillimisht të shpallen pikët e arritura nga maturantë në çdo preferencë nëpërmjet këtij libri. Vetëm pas njohjes së tyre me pikët e llogaritura do të nisë puna për renditjen e fituesve sipas kuotave të aprovuara nga qeveria për pranimet e këtij vitit. Për çdo paqartësi apo pasaktësi të shfaqur gjatë njohjes me rezultatet, maturanti mund të kërkojë korrigjimin e tyre. Për këtë është bërë e mundur që njëkohësisht me shpalljen e rezultateve të publikohet edhe formulari për korrigjimin e pasaktësive, i cili do të plotësohet dhe dorëzohet brenda afateve të përcaktuara.
Në Librin e Transparencës mungojnë pikët e degëve me konkurs
Në Librin e Transparencës nuk paraqiten gjeneralitetet e maturantit apo kandidatit, me qëllim që të mbrohen të dhënat e tij personale. Këto të dhëna kandidati mund t’i shikojë në shkollën e tij, ku ka mbaruar studimet e mesme ose ku është regjistruar për të aplikuar me formularin A2. Në librin e transparencës për ata maturantë që kanë dhënë provime me zgjedhje dhe kanë të pasqyruara të 5 elementet për llogaritjen e pikëve, për programet e studimit që janë me konkurse nuk janë llogaritur pikët. Ato janë shënuar me vlerën zero, meqenëse konkurset do zhvillohen nga data 2 deri në datën 6 shtator për degët e arteve, sporteve dhe arkitekturës. Për rrjedhojë ato nuk janë pikët përfundimtare për ato programe studimi, sepse në fazën e shpërndarjes së të drejtave të studimit, pikët për programet e studimit me konkurse do të llogariten me formulën specifike për programet e studimit me konkurse). Libri i Transparencës është një libër pune, ku secili maturant apo kandidat mund të kontestojë me anë të formularit të korrigjimit të pasaktësive, ndonjë parregullsi që vëren në të dhënat e tija sa i takon pikëve të përcaktuara, preferencave e të dhënave të tjera që përmban ky libër. Për çdo ndryshim, do të kërkohet dokumentim zyrtar nga drejtoritë e shkollave dhe drejtoritë arsimore të rretheve.
Korrigjimi i pasaktësive për të pakënaqurit me pikët e shpallura
Bashkë me Librin e Transparencës në shkolla po shpërndahet edhe formulari i korrigjimit të pasaktësive, që lidhet me të dhënat personale, notën mesatare, notën e provimeve të detyruara (D1, D2) dhe atyre me zgjedhje (Z1, Z2,) të çdo maturanti. Ky formular është përgatitur për të evidentuar korrigjimet e pasaktësive që duhen bërë për një maturant, gjeneralitetet apo rezultatet e të cilit mund të mos jenë të sakta. Ky formular u jepet vetëm maturantëve që kanë kontestime për të dhënat e tyre në Librin e Transparencës. Plotësimi i këtij formulari bëhet duke evidentuar të gjitha të dhënat mbi të cilat maturanti kërkon rishikim të tyre për shkak të pasaktësive që mund të jenë gjetur. Pas dorëzimit të këtyre formularëve të plotësuar në mënyrë të saktë dhe me kujdesin e mësuesve bëhet edhe verifikimi i tyre pranë Agjencisë Kombëtare të Provimeve, që rirregullon pikët në listën përkatëse para afateve të përcaktuara për shpalljen e fituesve në universitete.
Formulari duhet plotësuar brenda datës 5 shtator
Ky formular është përgatitur për të evidentuar pasaktësitë që mund të shfaqen në Librin e Transparencës për maturantë të ndryshëm. Pas plotësimit të tij nga maturanti përkatës dhe konfirmimit zyrtar nga drejtoritë e shkollave dhe drejtoritë arsimore, këto të fundit i përcjellin formularët në rrugë elektronike (të skanuara) në adresën [email protected], brenda ditës së enjte, datë 05.09.2013, ora 14.00 dhe ndërkohë duhet t’i përcjellin dhe zyrtarisht në format letër. Hedhja e korrigjimeve në bazën e të dhënave në sistem bëhet nga specialistët e AKP-së. Ky formular u jepet vetëm maturantëve që kanë kontestime për të dhënat e tyre në Librin e Transparencës.
Si duhet të plotësohet Formulari i Pasaktësive
Në pjesën e parë është e detyrueshme të plotësohen të dhënat për rrethin, bashkinë , si dhe shkollën e ID-në e maturantit. Në çdo kuti shkruhet vetëm një shkronjë ose një numër. Shkronjat duhet të jenë kapitale dhe numrat me shifra arabe. Këto të dhëna janë të domosdoshme për identifikimin e maturantit që kërkon ndryshime të dhënash në bazën e të dhënave. Në pjesën e dytë, në seksionin “si ishte”, janë të detyrueshme të plotësohen të gjitha të dhënat: “emri, atësia, mbiemri, datëlindja, nota dhe pikët mesatare (me shifra dhe me shkrim si në Formularin A2)”. Praktikisht këto të dhëna janë si në Librin e Transparencës. Në seksionin “si bëhet”, do të plotësohen vetëm ato të dhëna ku kërkohet ndryshimi: P.sh. nëse kërkohet ndryshim tek emri, tek rreshti emri shkruhet si duhet të jetë emri i saktë. Mund të ndodhë të kërkohen dy ose më shumë ndryshime: p.sh. datëlindja edhe nota apo pikët mesatare. Këto ndryshime që kërkohen nga maturanti duhet të konfirmohen nga mësuesi kujdestar, drejtori i shkollës, që pasi firmos vendos dhe vulën e shkollës, si dhe nga kreu i drejtorisë arsimore të rrethit përkatës.
