Dëbora, që ditët e fundit mbuloi një pjesë të mirë të vëndit, po tërhiqet në kreshtat e maleve. Bulëzimi i pemëve lajmëron se pranvera po hedh hapat e para dhe se së shpejti do të pushtojë gjithçka. Kjo stinë, për bujkun shënon fillimin e punëve të shumta për të hedhur themelet e prodhimit. Por në të njëjtën kohë, nisin edhe shqetësimet dhe mëdyshjet se çfarë duhet të mbjellë në pronën e tij, në çfarë sipërfaqe dhe sa bimë që mundi mos t’i shkojë kot dhe efektiviteti të jetë sa më i lartë.
Shqetësimi i parë lidhet me përgatitjet. Prona nga disa dhjetra metra katrorë në disa dynymë, krijon vështirësi për zbatimin në gjerësi të mekanikës bujqësore. Kjo nuk do të thotë të lesh tokën djerrë, por të shfrytëzosh përvojën me çdo mjet për ta punuar atë. Në këtë periudhë është e nevojshme që jo vetëm të sqarohet bujku, por edhe të zgjidhen mënyrat sesi do të veprohet me akcizën e naftës. Përdorimi i çdo mjeti, nga primitiv tek mekanika bujqësore është domosdoshmëri. Për këtë flasin tokat e punuara nga bujqit e papërtuar në të gjithë vendin, përvojë që kërkon një punë më të organizuar nga strukturat shtetërore për t’i informuar dhe për t’i ndihmuar ata në kohë, që të shfrytëzojnë çdo mundësi për të punuar tokën.
Për zhvillimin e bujqësisë dhe shtimin e prodhimit bujqësor janë hartuar strategji, që shumë pak njihen nga bujku, por edhe nga specialistët. Detyra e specialistëve që nga Ministria e deri në Komunë është që në përputhje me këtë strategji të orientojnë bujkun për shfrytëzim sa më të mirë të tokës, për përcaktimin e strukturave mbjellëse, si dhe të rritjes së rendimentit dhe efektivitetit të prodhimit. Për këtë nuk mund të jepen receta, por përvoja jonë dhe ajo botërore, tregojnë se bujku duhet të mbjellë bimë në përshtatje me klimën e tokën, të sigurojë jetesën e tij, të furnizojë tregun dhe të zhvillojë blegtorinë.
Më tregonte Mustafa Hoxha nga Rrogozhina se një pjesë e mirë e sipërfaqes së tokës që ai kishte, për pamundësi punimi për shkak të terrenit, e kishin mbuluar ferrat. Përpara 2-3 vjetësh e pastroi, e punoi dhe e mbolli gjithë sipërfaqen bostan (pjepër). Prodhimi qe shumë i mbarë por tregu nuk e mori, një pjesë e prodhimit u prish. Nga kjo vendosi që vitin e ardhshëm të mos mbillte kaq shumë bostan por edhe bimë të tjera si ullinj dhe hardhi, duke plotësuar nevojat e familjes dhe prodhim për treg. Mendimi se dikush me serën e mbjellë me perime kishte fituar mjaft, bëri që një pjesë e mirë e bujqve, veçanërisht në zonat fushore, të shtojnë sipërfaqet e mbjella me sera. U shtua prodhimi, tregu i brendshëm dhe i jashtëm morën aq sa kishin nevojë, por ngeli përsëri prodhim stok, i cili u prish. Disa bujq fajësuan shtetin se nuk po i ndihmonte. Një mentalitet i papërshtatshëm për sistemin që jetojmë. Fshatarët e Fushë-Kuqes, Gorresë, Gurrëzit në Kurbin, njihen për prodhimin e shalqinit. Çdo vit siç thonte Flora Ceni e Luigj Vata, një pjesë e prodhimit mbetet në fushë. Po kështu edhe fshatrat e Devollit që kanë traditë në kultivimin e qepës, nuk arrijnë ta shesin të gjithë prodhimin dhe përsëri mbjellin sipërfaqe të konsiderueshme. Ata harrojnë që ka edhe bimë të tjera që sigurojnë të ardhura. Bujqit në zonën e Bellovës në Dibër dhe të Shishtavecit të Kuksit, që kanë përvojë të gjatë në prodhimin e patates, por përsëri dhe këtu prodhimi mbetet. Edhe në këto kushte klimatike janë të gjitha mundësitë për të mbjellë bimë të tjera që tregu i kërkon, si fasule, lakër e pemë frutore. Këto vitet e fundit nisur nga mendimi se bimët mjekësore japin të ardhura dhe janë të kërkuara nga tregu ndërkombëtar, ka filluar kultivimi veçanërisht i sherebelës në masë të gjerë nga fshatrat e Mbi-Shkodrës dhe në Myzeqe. Prodhimi është shtuar disa herë, cilësia e diskutueshme, por tregu nuk e tërheq prodhimin dhe ai ka mbetur stok, dmth investimi nuk po jep efektivitetin e kërkuar. Fshatrat e Shëngjergjit kanë vite që furnizojnë tregun e Tiranës me prodhimin e domates së vonë, por edhe këtu një pjesë e prodhimit ju prishet se nuk e tërheq tregu. Ka patur edhe dëmtime si rrjedhojë e farës së infektuar nga sëmundjet. Për disa të tjerë ka patur dëmtim të prodhimit të misrit për arsye të farës, tharje fidanësh frutorë dhe mos hyrje në kohë e tyre në prodhim prej papërshtatshmërisë me kushtet klimatike toksore të vendit. Këto shembuj tregojnë se klima, toka, dhe përvoja duhen gërshetuar dhe llogaritur mirë me kërkesat e tregut. Pra edhe në këto kushte mund të mbidhen disa bimë të cilat shfrytëzojnë më mirë tokën dhe japin efektivitet të lartë të prodhimit.
Tani që pranvera po troket, një takim me profesor Ahmet Osjen për të marrë një mendim për hibridët e misrit, me profesor Llukan Tase për llojet dhe vargëzimin e perimeve, me profesor Petraq Sotirin për vreshtarinë, me Resmi Osmanin për ullirin dhe agrumet, me profesor Sokrat Janin për llojet dhe teknologjinë e bostanoreve, me profesor Selim Karajn për prodhimin e foragjereve, janë të domosdoshme për të mos bërë gabime në përcaktimin e strukturave mbjellëse gjatë kësaj pranvere. Skemat janë të ndryshme, nuk mund të jepen përqindje të përcaktuara për sipërfaqet që duhet të zërë kjo apo ajo bimë. Kryesorja është që ato të mos pengojnë zbatimin e teknologjive dhe të sigurojnë efektivitet. Nga shkëmbimi i mendimeve, njohja e të dhënave shkencore dhe i përvojës, shumë bujq po organizojnë shfrytëzimin e tokës duke harmonizuar drejt mbjelljen e disa bimëve në pronën e tyre për të siguruar prodhime të mira. Kështu Sokrat Shtëmbari në Rremas të Lushnjes, edhe pse ka pasion pemtarinë, në pronën e tij nuk ka vetëm pemë. Ai ka krijuar një bllok me rreth 1000 rrënjë portokalle, një pjesë të tokës e mbjell me patate të hershme e perime si për vete ashtu dhe për tregun, pjesën tjetër foragjere për të mbajtur lopët me të cilat siguron bulmetin. Me prodhimin e portokalleve që tani ka rreth 60% të rrënjëve në prodhim, siguron të ardhura për të shtuar investimet dhe për të përmirësuar jetesën. Hilmi Agai në Shëngjergj të Tiranës në përshtatje të klimës së zonës, nuk mbeti peng i mendimit për të mbjellë sa më shumë domate në pronën e tij, por ai një pjesë e ka vreshtë, një pjesë perime, një pjesë bimë foragjere për blegtorinë. Zan Veseli në Fushë-Milot të Kurbinit, një pjesë të tokës e mbjell grurë duke siguruar jo vetëm bukën, por edhe prodhim për tregun. Mbjell pemë, kryesisht kumbulla dhe hardhi dhe perime kryesisht për vete dhe bimë foragjere për të mbajtur lopët. Këto përvoja janë shprehja më e mirë e zbatimit të mendimit shkencor në praktikën e prodhimit. Takimet zonale me bujq e specialistë në këtë pranverë janë forma më efektive e gërshetimit të mendimit shkencor, e përvojës së përparuar për aplikimin e skemave më të përshtatshme të mbjelljeve të kësaj pranvere, për të arritur synimin që ka çdo bujk për të marrë sa më shumë nga toka, me kosto sa më të ulët.
*Shoqata e gazetarëve të bujqësisë
