Mbrëmjen e sotme, në “Gillette Stadium” të Foxborough, pak kilometra larg Bostonit, Juventus dhe Roma do të ofrojnë një antipastë të luftës për t”scudetto”-n në tokën amerikane. Sfida mes bardhezinjve dhe verdhekuqve është ajo që ka karakterizuar kampionatet e fundit të Serie A, veçanërisht ato ku Massimiliano Allegri ka qenë në drejtim të bardhezinjve. trajneri livornez ka fituar ndaj Garcia-s në fillim dhe Spalletti-t më pas, teksa Napoli po kërkon të marrë zyrtarisht titullin “anti-Juventus”.
Edhe pse jo në mënyrë zyrtare, sot do të nisë kapitulli i tretë i sfidës personale mes Allegri-t dhe Roma-s, por këtë herë përballja direkte me trajnerin e verdhekuqve, Di Francesco, do të ketë një shije të veçantë.
Nuk është një sekret se janarin e kaluar Allegri dhe Juventus kanë qenë një hap larg ndarjes, e cila, natyrisht, nuk do të kishte qenë e menjëhershme, por që do të konsumohej në fundin e sezonit. Sirenat nga Anglia (Arsenal) kanë tunduar trajnerin dhe Juventus kishte filluar të kërkonte zëvendësuesin e mundshëm të teknikut livornez. Tre kanë qenë emrat kryesorë të listës: Paulo Sousa, Spalleti dhe, pikërisht, Di Francesco. Ish-trajneri i Sassuolo-s pëlqehet prej kohësh nga Marotta dhe paratici: mentaliteti, disiplina dhe futbolli sulmues e bënin një nga kandidatët më të vlerësuar nga Juventus, por ndarja me Allegri-n në fund të sezonit nuk ka ndodhur për dy arsye. P
aralelisht me qëndrimin e Ëenger tek Arsenal, Juventus nuk ishte e sigurt 100% për t’i besuar një ekip të madh, si ai i ndërtuar gjatë këtyre viteve, zëvendësuesve të mundshëm të Allegri-t. Sezoni i dytë i Sousa në Firence ka qenë një katastrofë, karakteri i Spalletti-t nuk bindte plotësisht drejtuesit bardhezinj, ndërsa Di Francesco mbetej një trajner i vlerësuar, por pa eksperiencë në skenën ndërkombëtare që do ta ndihmonë Juventus-in të bënte hapin e madh në Europë, që është edhe objektivi numër një i drejtuesve të klubit torinez.
Pasi ka përkedhelur idenë për të marrë drejtimin e “Zonjës”, Di Francesco ka arritur një marrëveshje me ekipin ku ka luajtur për katër vite si futbollist. Ai e njeh shumë mirë ambientin e Roma-s, e di se në këtë moment verdhekuqtë janë pak mbrapa në krahasim me sezonin e kaluar, por shpreson që filozofia e tij e futbollit të mund të bëjë diferencën dhe ta ndihmojë skuadrën që të eliminojë diferencat me bardhezinjtë.
“Do të luajmë me një mentalitet sulmues”, ka premtuar Di Francesco në konferencën për shtyp para ndeshjes, ndërsa Allegri ka parashikuar se Roma do të jetë rivali kryesor i Juventus për titull sezonin ardhshëm. Mbrëmjen e sotme, trajneri i “Zonjës” do të përballet për herë të parë në sezon me një kundërshtar direkt për titullin dhe, njëkohësisht, do të sfidojë atë që për pak kohë është konsideruar si pasardhësi i tij tek Juventus. Një arsye më shumë për të fituar, si mbrëmjen e sotme, ashtu edhe në maj.
