Prapaskenat e një seminari me ndërmjetësuesit

redaktor

Ditën e sotme Ministria e Drejtësisë në bashkëpunim me USAID do të zhvillojnë një ceremoni për shpërndarjen e certifikatave për një trajnim të organizuar nga Dhoma e Ndërmjetësuesve. Por duket se tek kjo e fundit mund të ketë një problem. Një problem që mund të angazhojë në mënyrë të parregullt Ministrinë e Drejtësisë dhe USAID-in amerikan. Në emër të Dhomës së Ndërmjetësuesve dhe tagrin e kryetares së kryesisë së saj në këtë aktivitet e ka zonja Drita Avdyli. Por dje ka ardhur reagimi i një “tjetër dhome” për këtë çështje duke e konsideruar një skandal aktivitetin në fjalë. Një grup ndërmjetësuesish të përfaqësuar nga Eglent Bici, kanë reaguar duke u shprehur se zonja Avduli është ish-kryetare e kësaj Dhome dhe është shkarkuar disa muaj më parë konform të gjitha rregullave ligjore. “Zgjedhjet e kryetarit të ri të Dhomës së Ndërmjetësuesve për ironi të fatit janë bërë në të njëjtën sallë ku do të mbajë këtë aktivitet Ministria e Drejtësisë dhe USAID. Kryetar i ri i Dhomës është zgjedhur Ndërmjetësuesi i Autorizuar Eglent Bici me një procedurë votimi të njohur nga Ministria e Drejtësisë”, – shkruhej në reagimin e djeshëm.
Përplasjet…
Në reagimin e djeshëm nga përfaqësia e Dhomës së Ndërmjetësuesve jepet alarmi se zonja Avdyli është duke përdorur USAID-in dhe Ministrinë e Drejtësisë për interesat e veta personale në kundërshtim me të gjithë ligjet në fuqi. “Pavarësisht se Kryesia ka ndërmarrë të gjitha hapat ligjorë në zbatim të ligjit dhe statutit, ish kryetarja dhe njerëz pranë saj vazhdojnë të përdorin struktura të ministrisë dhe programe të USAID për qëllime të pastra të përfitimit vetjak. Në këtë moment theksojmë se llogaria që është hapur për derdhjen e pagesave të të trajnuarve është e hapur me dokumente jo të përditësuara. Të gjitha tagrat ligjorë, për të hyrë në marrëdhënie me të tretët, në bazë të organit tatimor sot i atribuohen kryesisë së re me kryetar z. Eglent Bici. Konstatojmë me keqardhje ndërhyrjen e dytë që bëhet nga i njëjti institucion dhe si rastësisht për të njëjtin person, një herë për ta graduar dhe një herë për të ruajtur gradat e saj, znj. Drita Avdyli. Ceremonia e ditës së nesërme do të ishte një shuplakë që strukturat e ligjit i japin vetë ligjit.”, – shkruhet në deklaratën e Dhomës së Ndërmjetësuesve. Zonja Avdyli është denoncuar dhe më parë si një përfaqësuese e rreme e kësaj dhome, ajo njihet për lidhje të forta pranë ish-qeverisë demokratike edhe për shkak se është kunata e ish-zv.Drejtorit të Policisë Agron Kuliçaj.

Share This Article
1 Comment
  • S’ka pse te kete reagime mediatike nga z. Bici, nese nje i shkarkuar pretendon se akoma eshte ne ate post, e dublon a vepron ne hije e pa tagrin LIGJOR; drejtojuni Prokurorise.

    Ose thash-e-theme, ose veper te paster Penale; te dyja nuk mund te jene.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *