Ka një zhurmë rreth vendimit të fundit të Kolegjit Zgjedhor që po përpiqet ta bëjë të paqartë për publikun problemin. Është fjala për një vendim të Kolegjit për të ndarë në 89 Zona të Administrimit Zgjedhor gjithë Shqipërinë. Problemi që krijon zhurma rreth këtij vendimi ka të bëjë me faktin se debati në mënyrë spekulative po përqendrohet tek fakti nëse duheshin 66 sa ka dashur opozita, apo 76 sa kerkoi KQZ dhe pranoi opozita, 89 apo 100 sa ka dashur Partia Demokratike? Në fakt ky është mashtrimi i parë.
Problemi nuk qëndron tek numri i ZAZ, për të cilat mori vendim Kolegji Zgjedhor. Edhe pse opozita ka qenë dakord për 66, dhe me vone ra dakord per 76, edhe pse PD në fakt do 89 dhe ka kërkuar më pas 100 për t’i lënë shkas Kolegjit të duket sikur zgjedh në mes, ky nuk është thelbi i debatit. Zgjedhjet nuk rrezikohen nëse do të numërohen në 66 qendra, 89 apo 100.
Thelbi i debatit është se Kolegji Zgjedhor i ka hequr KQZ detyrimin për të marrë vendime konsensuale, pra në një farë mënyrë i ka çaktivizuar atij siguresën që e detyron të ulet dhe të marrë vendime të përbashkëta. Ligji detyron KQZ që ndarjen e Zonave të Administrimit Zgjedhor në gjithë Shqipërinë ta bëjë me konsensus dhe me vendimmarrje minimale me 5 vota pro, çka do të thotë se e detyron të marrë një vendim konsensual. Është pak a shumë siç kishte Kuvendi detyrimin më parë për të zgjedhur një president me 60 përqind të votave dhe detyronte palët të uleshin, ose siç është detyrimi për të votuar ligjet me dy të tretat që detyron Berishën formalisht të heqë dorë nga kapriçot e tij për të mos bllokuar integrimin e Shqipërisë, gjë që atë nuk e merakos shumë. Pra, Kolegji ka asgjësuar kolegjialitetin e KQZ, detyrimin e saj për të marrë një vendim me bazë të gjerë, çka e detyron ligji.
Pra, në rastin konkret, precedenti i rrezikshëm nuk është se për sa zona të administrimit zgjedhor ka vendosur Kolegji, por pse ka vendosur! Kolegji është një instancë sipërore e KQZ, që ka detyrimin të rishikojë ligjshmërinë e vendimeve të KQZ dhe jo të shkruajë vendime që KQZ nuk i ka marrë.
Në rastin konkret, me këtë precedent, Kolegji Zgjedhor ka asgjësuar KQZ si institucion që merret me zgjedhjet dhe e ka kthyer atë në një zyrë nëpunësish, të cilët nuk kanë asnjë rëndësi ligjore dhe kushtetuese për zgjedhjet, pasi në vend të tyre mund të vendos Kolegji. Kjo zhbën rëndësinë e pesë votave për rezultatin, rëndësinë e pesë votave për rregulloren dhe administrimin e zgjedhjeve dhe mbi të gjitha në parim zhbën rëndësinë e KQZ si institucioni që merret me zgjedhjet.
Është pikërisht ky problemi që krijon vendimi i fundit i Kolegjit Zgjedhor dhe jo aq shumë fakti që ka zgjedhur 89 zona të administrimit zgjedhor, apo më keq akoma fakti që ka bërë marrëveshje me PD që ta çojë në ekstrem kërkesën e dytë që t’i plotësoj atë të parën.
Fakti që KQZ nuk arrin të marrë dot një vendim për të cilin e detyron ligji, do të thotë se është një KQZ jofunksionale dhe një rrezik për zgjedhjet. Duke emëruar në krye të KQZ një tufë militantësh histerikë dhe duke shmangur logjikën nga çdo hallkë e drejtimit të KQZ, përfshirja e Kolegjit Zgjedhor në dublimin e KQZ për vendimmarrje i jep fund KQZ si institucion. Pas kësaj mbetet që Lefteria ta përdorë KQZ vetëm për ndonjë tender shtypshkrimesh dhe promocioni dhe për të punësuar ndonjë militant të PD-së. Goditja në thelb që i ka bërë Kolegji Zgjedhor rolit të KQZ, është një precedent i rrezikshëm, për të cilin ndoshta duhet gjetur një rrugë ligjore për ta shpallur antiligjor.
E përsëris se nuk bëhet fjalë për cilësinë e vendimit për ZAZ, por për faktin se ka bërë një akt, i cili nuk është në kompetencë të tij. KQZ është e detyruar dhe e dënuar që disa hallka të punës së saj t’i zgjidhë me konsensus të gjerë. Ndarja e ZAZ është në thelb një çështje teknike, që nëse e balancon me prapamendim, arrihet konsensusi. Fakti që kryetarja e KQZ e shikon karrigen e saj si një vend nga ku mund të çirret për tu çliruar nga frustrimet e saj, nuk duhet të na çojë detyrimisht në asgjësimin e KQZ. Kolegji Zgjedhor e ka hedhur tashmë këtë hap të gabuar përpara, dhe përpara se të shkojmë tek 23 Qershori, ndoshta duhet parë mundësia e interpretimit të kompetencave të tij për raste të tilla në parlament ose Gjykatë Kushtetuese për ta frenuar përsëritjen e këtij precedenti në vazhdim. ODIHR, BE dhe SHBA, që kanë bërë paralajmërime serioze për cilësinë e pritshme të zgjedhjeve, duke na kushtëzuar dhe rrugën drejt Evropës, duhet po ashtu të shprehen rreth këtij precedenti. Ndryshe do të përsëritet precedenti i zgjedhjeve në Tiranë, ku ndryshe del rezultati atje ku numërohet votat dhe përvishen mëngët, dhe ndryshe atje ku numërohen paret dhe llogariten votat.