Kërtusha: Prefekti dhe Këshilli i Qarkut, ngrehina të ekonomisë dhe buxhetit të shtetit shqiptar

time

 

Nga Ardit Kërtusha

Sot, me të drejtë, vëmendja është drejtuar tek zgjedhjet parlamentare dhe shumica e problemeve të vendit kanë kaluar në hije nga opinioni publik dhe nga aktorët politikë. Duket qartazi që interesi personal vazhdon traditën të jetë mbi atë kombëtar.

I pritëm zgjedhjet e 2021-shit me rrahje të moderuar idesh, me programe të mirëfillta elektorale – aty ku politikat e majta përplasen me të djathtat dhe elektorati (ne) do të zgjedhë me të mirën.

Por po ndodh krejt e kundërta.

Partitë politike luajnë gurët si e si të vijnë në pushtet pa meritë, por me makinacione dhe lëvizje politike të orëve të fundit. Problemet e përditshme dhe më imediate të vendit tonë, siç është ekonomia (që po përjeton një recesion të frikshëm) nuk zënë vend pothuajse fare në axhendat e tyre.

Po e bëj këtë analizë të thjeshtë jo si ekonomist, por si një studiues i shkencave politike dhe njohës i mirë i institucioneve dhe ligjit të pushtetit vendor, falë punës sime dhe eksperiencës disavjeçare në këtë pushtet. Një analizë pak më e thjeshtë se 7×7, që shumëkush e ka bërë, por nuk e ngre si problem.

Sipas ligjit të miratuar më 31 korrik 2014, qeverisja lokale e Shqipërisë bëhej nga 3 nivele; 12 qarqe, 61 bashki dhe qindra njësi administrative. Ajo që vihet re në këtë ligj është ndarja e parë dhe e tretë. Konkretisht, qarqet dhe njësitë administrative mbeten inekzistente, pra vetëm si ndarje formale.

Përpos kësaj, dhe prefekti, si institucion, u rrudh. Si kompetenca, edhe ato pak që mbetën (si zjarrfikëset) në rang qarku, i morën bashkitë. Po kështu, dhe këshillin e qarkut e reduktoi në maksimum duke i marrë të vetmen ndërrmarje që kishte, atë të Rrugëve Rurale dhe këtë duke ua kaluar po bashkive respektive.

Ndërsa njësitë administrative, të zhveshura nga çdo funksion, mbetën për të treguar se janë fosile të ish-komunave. Përsa i përket fuqizimit të bashkive dhe shkrirjes së komunave, mbetet për t’u trajtuar në një tjetër shkrim, pasi sot do të trajtojmë dy institucionet fantazmë të shtetit shqiptar, ai i perfektit dhe ai i këshillit të qarkut.

Pra, reforma territoriale, në vend që të përcaktonte me ligj funksionet e këtyre dy institucioneve të rëndësishme, u shkaktoi atyre të tjera amulli duke u hequr kompetenca dhe duke i lënë përsëri me administratë të fryrë dhe me zyra të cilat, përsëri, mbeten vetë të tilla për nga emërtimi dhe funksioni në të tria nivelet e pushtetit.

P.sh., rasti konkret: Emergjenca Civile ka prefekti, këshilli i qarkut si dhe bashkia. Kur kjo e fundit e ka më të specializuar në funksion dhe në ligj, ndërsa prefekti dhe këshilli i qarkut i kanë sektorë inekzistentë që rëndojnë buxhetin e shtetit me paga për punonjësit e këtyre sektorëve dhe me dieta të kota, pse e ofrojnë të tria këtë lloj shërbimi?

Dhe ato pak shkresa që bëjnë i marrin të dhënat po nga emergjencat e bashkisë. Të njëjtën gjë dhe Sektori i Urbanistikës dhe Drejtoria e Mbrojtjes së Tokës që ka këshilli i qarkut. Prefektura ka një komision të titujve të pronësisë, një zyrë fantazmë, e cila që prej krijimit s’ka marrë asnjë vendim dhe s’i ka shërbyer asnjë qytetari, ndërkohë Sektorin e Kadastrës e ka edhe bashkia me kompetenca të plota.

Dhe ajo që është më absurde është fakti që të dyja këto institucione kanë drejtues të niveleve të larta si në pozicion, ashtu dhe në paga për të drejtuar kë? Për t’i shërbyer kujt?

Rasti konkret është ky: institucioni i prefektit ka prefekt, n/prefekt dhe sekretar të përgjithshëm. Në një llogari fare të thjeshtë, këta të tre kapin një pagë mesatarisht afro 5 milionë lekë të vjetra, që në vit shkojnë rreth 60 milionë lekë minus nga të ardhurat e taksapaguesve shqiptarë për vetëm drejtuesit e këtoj institucioni pa funksion.

Këshilli i Qarkut ka kryesi akoma dhe më absurde, ka kryetar këshilli qarku, kryetar, n/kryetar, sekretar, drejtor kabineti, drejtor. Me një përllogaritje të thjeshtë, paga e kryesisë së qarkut shkon rreth 10 milionë lekë të vjetra në muaj. Në vit i bie 120 milionë lekë të vjetra. Këshilli i qarkut, bashkë me 60 milionë, prefekti na del në total afërsish 180 milionë lekë në vit humbje. Nga këta, drejtues që s’drejtojnë kurrgjë, përvec kulltukut komod të tyre.

Pra, 180 milionë lekë minus në buxhetin e shtetit në vit nga një qark, 12 qarqe që ka vendi ynë, i bie 180 milionë x 12 =2 miliardë e 160 milionë lekë të shpërdoruara në buxhetin e shtetit dhe kjo vetëm për drejtuesit e tyre, pa llogaritur stafet e fryra, të cilat e kanë përdhosur, me kuptimin e plotë, ligjin mbi statusin e nëpunësit civil.

Pasi çdo pozicion e emërojnë në kundërshtim të plotë me këtë ligj duke ndjekur vetëm praktikën e pranimit në shërbimin civil për pozicionet drejtuese. Kjo, për arsye të punësimeve partiake, në rastin më të mirë pa shkuar tek shitja e këtyre pozicioneve të punëve.

Nga kjo që vëmë re, duhet një rishikim i menjëhershëm i reformës territoriale. Se për dy funksione që kryejnë këto dy institucione së bashku, mjafton një jurist për t’i kryer më së miri dhe jo 30 drejtues dhe 100 nëpunës civilë për çdo qendër qarku. Pra, këto janë maja e ajsbergut të shpërdorimit të buxhetit të shtetit me paga fiktive, dieta udhëtime dhe salltanete të epokës otomane.

Të dashur qytetarë, ekonomia jonë rëndohet çdo vit me 2 miliardë e 160 milionë lekë për një prefekt dhe një kryetar qarku, të cilët shërbejnë rëndom për t’u krekosur në ndonjë podium apo për të na çuar lule çdo nëntor në Varrezat e Deshmorëve të qytetit, qendër qarku, pasi qytetet e tjera përbërës të qarkut, besoj që nuk i njohin dhe nuk i shohin asnjëherë në 4 vite.

 

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *