Prefekti i Elbasanit, Maksim Malaj mbledh Task Forcën Vendore kundër kultivimit dhe trafikimit të drogës. Në këtë mbledhje Drejtori i Policisë së Elbasanit Altin Qato tha se do të ketë luftë pa kompromis kundër kultivimit dhe trafikimit të narkotikëve.
Në mbledhje u mundësuan edhe shifra për operacionet kundër drogës.
“Gjatë 2017-ës u zbuluan 10 raste kultivimi të narkotikëve, dhe qarku Elbasan ka pasur një sipërfaqe të papërfillshme të mbjellë me kanabis, dhe është një nga qarqet më pak i prekur nga kanabizimi.
Edhe rastet e zbuluara nga kultivimi rezultuan se kishin shfrytëzuar në 87% të rasteve tokat publike. Elbasani mbetet qark me risk të ulët në kultivimin e narkotikëve. Megjithatë edhe në bashkitë e qarkut Elbasan ka zona të preferuara nga grupet kriminale për t’i shfrytëzuar për kultivimin e bimëve narkotike. Për t’i dhënë fund kultivimit policia kërkon ndihmën e të gjitha strukturave shtetërore”, deklaroi Qato.
Përfaqësues i DPP, Josif Shtëmbari tha se duhet të shkëputemi njëherë e përgjithmonë nga fenomeni i kultivimit dhe trafikimit të narkotikëve. “Gjatë 2017 u arritën rezultate spektakolare në luftën kundër këtij fenomeni.”
s.a/dita
