Zjarri që ka përfshirë prej dy ditësh malin e Shëngjinit vijon të ketë ende vatra aktive, ndërsa po ndërhyhet nga toka dhe nga ajri për vënien e tij nën kontroll.
Dy helikopterë, rreth 100 ushtarë, dhjetëra forca policie dhe zjarrfikës të shumtë tashmë janë në zonë që prej mbrëmjes së djeshme, ndërkohë që sipas Prefektit të Lezhës, Eduard Ndreca, për të ndihmuar në shuarjen e flakëve do të vijnë edhe helikopterë nga Italia. Në një lidhje telefonike për një televizion, Ndreca theksoi se po punohet për shuarjen e flakëve, por pushuesit dhe qytetarët janë të sigurtë.
“Jemi që mbrëmë në terren. Ushtria dhe zjarrfikëset janë në terren. Dy helikopterë po operojnë nga ajri. Helikopterë dhe ndihmë kemi kërkuar edhe nga Italia, të cilët kanë dyfishin e kapacitetit të helikopterëve shqiptarë. Era është në disfavorin tonë. Jemi të sigurtë që banesat dhe hotelet nuk do të preken, banesat në mal janë të rrezikuara. Pushuesit dhe qytetarët janë të sigurtë. Vatrat e reja po lindin për shkak të erës. Nëse zjarri është i qëllimshëm do të ketë ndëshkime”, tha prefekti i Lezhës Eduard Ndreca.
Prefekti i Lezhës, Eduard Ndreca njoftoi se rreth orëve të pasdites është punuar intensivisht për shuarjen e flakëve në malin e Shëngjinit, duke bërë që situata të jetë nën kontroll. Sipas Ndrecës, forca të ushtrisë dhe 2 helikopterë bënë të mundur lokalizimin e flakëve. “Situata po vihet nën kontroll. Gjatë gjithë kohës era ishte në disfavorin tonë. Kërkuam largim të përkohshëm të pushuesve. Janë djegur sipërfaqe të mëdha pyjore dhe kullota”, deklaroi Ndreca.
Zjarrfikëset e bashkisë së Lezhës, portit të Shëngjinit dhe ato të ushtrisë u vendosën përgjatë rrugës drejt “Ranës se Hedhun” për të penguar flakët që të drejtohen drejt resorteve.
Ndërkohë Policia e Lezhës ka vënë në pranga një 63-vjeçar, i cili dyshohet se është autori i vënies së zjarrit në malin e Shëngjinit. Sipas policisë, ai ka patur si qëllim ripërtëritjen e kullotave, por vatra e zjarrit ka marrë përmasa të mëdha, e favorizuar nga era.

Po pronaret e resorteve me punonjesit a kane dale per te ndihmuar ne fikjen e ketij zjarri masiv, apo po prisni ndihmen nga jashte, helikopteret italiane.