Flamur Mamaj, prefekti i Vlorës, foli për mediat mbi situatën e vatrave të zjarrit të rëna në këtë qark ditët e fundit. Katër vatra masive zjarri në Poro, Karaburun, Orikum-Tragjasë dhe Lezhan kanë qenë tepër të rrezikshme teksa në praninë e erës së fortë kanë rrezikuar të dalin jashtë kontrollit. Sipas Mamjt, më e rrezikshmja prej tyre ka qenë vatra e zjarrit në Poro ku u dogjën 22 hektarë pyje dhe kullota.
U angazhuan 3 zjarrfikëse, 15 punonjës zjarrfikësish, 8 punonjës të zonave të mbrojtura, si dhe 15 punonjës të emergjencave civile. Prefekti Mamaj deklaroi gjithashtu se janë marrë provat e nevojshme për t’i kaluar prokurorisë, për të vënë para drejtësisë personat që janë përgjegjës për këtë situatë. Sipas tij, në terren janë grupet e vlerësimit që po përgatisin një raport të detajuar mbi të gjitha dëmet e bëra.
Prefekti komentoi edhe gjendjen aktuale të zjarrfikëses së Vlorës, teksa e vendosi theksin tek detyra e vështirë e punonjësve të saj për të qenë prezent në disa vatra aktive zjarri njëkohësisht. Sipas Mamajt, duhet ndërhyrje emergjente në modernizimin e zjarrfikëses së qytetit bregdetar ku kjo është një detyrë e bashkisë të qytetit ta modernizojë këtë institucion me mjetet e nevojshme dhe të punësojë në të të gjithë stafin e kualifikuar.
a.t /dita
