Prefektura përgënjeshtron Bashkinë e Tiranës për bulevardin e ri

anazapta
Prefektura e Tiranës ka hedhur poshtë akuzat e Bashkisë së Tiranës në lidhje me bulevardin e ri.

Sipas një deklarate të Prefekturës, “pjesa e përcaktuar në program- buxhet në  fq 129 te tij tek shpronësimet në interes publik  (kompensimi i pronarëve që përdoren për interes publik si për ndërtimin e rrugëve, shkollave etj) me vlerë (580,955,290 lekë për vitin 2014), në të cilën  nuk është pasqyruar saktë vlera e dëmshpërblimit për shpronësimet e qytetarëve sipas VKM nr 752  dt 05.09.2013 “Për shpronësimin në interes publik të pronarëve  të pasurive  të paluajtshme, pronë  private, që preken nga zbatimi  i projektit  të bulevardit verior dhe rehabilitimi të lumit të Tiranës, faza e parë, në Bashkinë e Tiranës” nuk konfirmohet.

Në këtë VKM përcaktohet qartë vlera e plotë e shpronësimit prej 1’757’476’521 (një miliard e shtatëqind e pesëdhjetë e shtatë milionë e katërqind e shtatëdhjetë e gjashtë mijë e pesëqind e njëzet e një lekë) që do të përballohet nga Bashkia Tiranë, detyrim ky i cili duhet të ishte parashikuar i plotë dhe jo i copëzuar nga ana e Këshillit Bashkiak, në detajimin e buxhetit për vitin 2014”.

Prefekti përmes bazës ligjore të sipërpërmendur, i është drejtuar me një shkresë për “Konfirmimin e ligjshmërisë”, Këshillit Bashkiak, konform kompetencave dhe detyrimeve që i ngarkon ligji, thuhet në deklaratë.

Në lidhje me reagimin e sotëm të nënkryetarit të Bashkisë Tiranë, Prefekti i Qarkut Tiranë shpreh habinë e tij në lidhje me këtë reagim, pasi me një shkrësë të datës 18.03.2014, z. Bozdo i është drejtuar Prefektit duke e falënderuar sa i përket “Konfirmimit të ligjshmërisë”.

Nga ana tjetër, institucioni i Prefektit të Qarkut Tiranë kërkon të bëjë me dije se “Konfirmimi i ligjshmërisë” nuk i është drejtuar administratës së Bashkisë, por Këshillit Bashkiak, i cili merr edhe vendimet në lidhje me buxhetin vjetor.

Gjithashtu, Prefekti i Qarkut Tiranë distancohet nga akuzat me karakter politik, që e cilësojnë këtë veprim ligjor si një “bllokim” dhe kërkon t’ju vërë në dijeni se “Konfirmimi i ligjshmërisë” i është dërguar Këshillit Bashkiak më datë 17.03.2014, më nr Prot. 1028, përpara zbardhjes së vendimit të Gjykatës Administrative në lidhje me procesin INUK – Bashkia e Tiranës”, mbyllet deklarta. / TEMA

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *