(Vijon nga numri i djeshëm)
Kujtimet e Bejto Faslisë
Vet zhvillimi i situatave dhe ngjarjeve e vërtetojnë më së miri këtë. Kushdo që merr vesh sadopak nga lufta, rregullat e saj, apo nga përgatitjet për të shtypur një kryengritje (siç pretendohet nga disa të ashtuquajtur studiues dhe falsifikatorë të sotëm) e di se para çdo aksioni ushtarak, sulmues apo mbrojtës, gjithçka planëzohet sipas rregullave të luftës. Si mendojnë këta të ashtuquajtur studiues, që një batalion i Brigadës I Sulmuese, që ishte kalitur gjatë gjithë kohës së Luftës në shumë beteja e aksione, do të shkonte “për të shtypur kryengritjen” sikur po shkonte në dasmë… Jo. Përndryshe ata do të përgatiteshin të shkonin për të luftuar, për me tepër në një teren tepër të thyer, siç ishte Kelmendi, neper gryka ku me zor mund të shkëmbehen dy vetë. Për më tepër nuk do të shkonin vetëm tri kompani. Po të kishte filluar e ashtuquajtura kryengritje do të veprohej krejtësisht ndryshe, siç veprohet për të shtypur një kryengritje, apo fatkeqësisht, siç u veprua më vonë…
Sipas kujtimeve të Bejto Faslisë, që gjatë gjithë kohës ka qenë me batalionin që nga momenti i nisjes drejt Kelmendit, në të errur, në afërsi të urës së Tamares është dëgjuar një pushkë, që asnjëherë nuk është marrë vesh se nga kishte ardhur. Pararoja e batalionit është përgjigjur me pushkë, pa ndonjë objektiv të caktuar, dhe fatkeqësisht këtu ka filluar përplasja me armë. Mbas kësaj, sipas zakoneve të maleve është lëshuar kushtrimi dhe ata që ishin përgatitur ti prisnin partizanët si miq, të gënjyer, se partizanët i sulmuan, kanë rrokur armët për të mbrojtur familjet dhe shtëpitë e tyre. Duke përfituar nga befasia, errësira, njohja e terrenit etj. kelmendasit i kanë hy mbarë batalionit, i cili nuk arriti as të pozicionohej dhe brenda disa orëve e kanë shpartalluar pothuajse krejtësisht. Gjatë kësaj përplasje me armë, janë vrarë 12 partizanë dhe 4 kelmendas, si dhe janë plagosur disa të tjerë.
Dëshmia e Prek Calit
U. Butka shkruan se “Prek Cali ishte në krye në kësaj rezistence”. E vërteta është krejtësisht ndryshe. Ai jo vetëm që nuk ka qenë organizatori e udhëheqësi i kësaj “kryengritje”, sepse as nuk ka menduar kush për kryengritje, por ai nuk ka qenë fare aty. Ne gjyqin e zhvilluar kundër tij ai ka pohuar: “Kur më pyetën, tash që ikën gjermanët dhe partizanët po hyjnë nga çdo anë, ç’duhet të banin”. Nuk isha i bindun nëse duheshin pritë me luftë ose jo. Personave në fjalë u thashë se populli duhet të ketë mendjen dhe të mos luftonte kundër partizanëve, për me ruejtë kokën e vendin. Nuk shkuen shumë ditë, kur papritur mora lajmin se kishte nisë lufta në Tamarë. Unë atëherë me rastin më të parë, i lajmërova të tërhiqeshin nga lufta, por ata nuk më ndëgjuen dhe vazhduen luftën”. (Nga deponimet e Prek Calit në gjyq, dokument të cilit i referohet edhe z. Butka….)
Më qartë nuk ka si thuhet. Por z. Butka, me qëllim apo pa qëllim i ngatërron ngjarjet, vendet e kryesorja datat. Ngjarjet që u zhvilluan më vonë, gjatë sulmit, tashmë të planifikuar për të “nënshtruar” Kelmendin, autori i afron sikur kanë ndodhur atë ditë që ka ndodhur përplasja e parë tek ura e Tamares, ku dhe duhet kërkuar zanafilla e gjithë asaj që do të ndodhte më vonë në Kelmend.
Mbasi batalioni u shpërbë, një pjesë u kthye andaj nga kishte ardhur, në drejtim të Hotit. Gjithnjë sipas Bejto Faslisë, dëshmitarit kryesor të asaj ngjarje, ai, për të shpëtuar atë pjesë të batalionit që kishte mbetur e rrethuar dhe pa asnjë rrugëdalje, për më tepër që të gjithë ishin nga krahina të tjera e nuk dinin të orientoheshin, u ka pri partizanëve për të kapërcyer lumin Cem, dhe nëpërmjet qafës së Triepshit kanë arritur në zonën shqiptare të Malit të Zi, ku janë pritur e strehuar nga bashkatdhetarët e tyre, ndërsa ai vetë është nisur drejt Shkodrës për të njoftuar për situatën e krijuar. (Po të ecet me logjikën e z. Butka dhe disa të tjerëve, malësorët tanë matanë kufirit duhej ti kishin pritur me pushkë partizanët, sepse kufiri vazhdonte të ishte i hapur dhe ata vazhdonin ti konsideronin fshatrat e tyre pjesë e Shqipërisë…)
Është e vërtetë se disa partizanë të kapur rob u trajtuar mirë nga populli i thjeshtë i Kelmendit, i cili i strehoi, i mbajti me bukë dhe i përcolli sipas traditave të malësive tona. Por nuk ndodhi kështu me të gjithë, sidomos me disa të plagosur që ranë në duart e “kryengritësve më të zellshëm”. Z.Butka nuk thotë të vërtetën kur shkruan se “Ndryshe nga Ushtria Nacional Çlirimtare, e cila i vriste robërit e luftës, kelmendasit i dorëzuan pa asnjë përjashtim robërit partizanë të luftës, madje edhe komandantin e batalionit, Fejzi Bolenën dhe partizanët Aliko Macaj e Beqir Gjokaj , të cilët kishin gjetur strehë në shtëpinë e Sadri Currit në afërsi të Tamarës” (fq.60).
Është përmendur për shumë e shumë vite nga kelmendasit e thjeshtw, madje si turp që i ka mbet Kelmendit, se në kundërshtim me çdo traditë e për më tepër të malësorëve, komandanti i batalionit Fejzi Micolli (Vullneti) i kapur rob i plagosur, mbasi u torturua dhe kur po u lutej ti falnin jetën një partizani të ri 15-16 vjeç, të kapur edhe ai rob, ata pushkatuan më parë djalin e ri, në sytë e tij, e mandej komandantin. Z.Butka e ka lexuar me vëmendje librin “Prek Cali . Kelmendi dhe kelmendasit” (të cilit i referohet disa herë) ku autori i këtij libri (dhe disa bashkëmendimtarë të tij) për të justifikuar këtë krim të padëgjuar në anët tona, shkruan se “kjo vinte si pasojë e karakterit idhnak të Gjek Selcës” (ish oficer e shërbëtor i fashizmit që në vitin 1941, që luajti një rol tepër negativ në këtë përplasje me armë midis shqiptarëve, për çka u pushkatua disa ditë më vonë).
Çfarë ndodhi tek Ura e Tamarës
Janë dhënë mendime e hedhur hipoteza nga më të ndryshmet, se përse dhe, si ndodhi që shqiptarët pa asnjë shkak u vranë me njeri tjetrin. Kush ishte ai apo ata që “hodhën gurin e fshehën dorën”? Ndërmjet tjerave kanë qarkulluar fjalë se autorë të vërtetë kanë qenë disa emisarë jugosllavë që në atë kohë qarkullonin neper Kelmend ( në këtë periudhë ata po rrisnin aktivitetin në këto zona, që duke përfituar nga fakti se Kelmendi kishte lidhje të forta me krahinat shqiptare, që padrejtësisht i ishin dhënë Jugosllavisë, por që gjatë luftës ishin bashkuar me Shqipërinë), madje po përpiqeshin dhe kishin arritur të fusnin në radhët e Partisë Komuniste Jugosllave edhe ndonjë kelmendas. Theksojmë se në këtë periudhë nuk kishte asnjë kelmendas anëtar të Partisë Komuniste Shqiptare. Po ashtu kanë qarkulluar e janë shprehur mendime se disa prej bashkëpunëtorëve të pushtuesve nazifashistë që kishin gjetur strehë për tu fshehur në Kelmend, kanë nxitur atë që ndodhi tek ura e Tamares.
Vëllavrasja tek ura e Tamares ishte shkëndija që u bë shkak për ato ngjarje tragjike e të dhimbshme që ndodhën pak ditë më vonë, kur shumë kelmendas, me në krye Prek Calin u përgatiten për të pritur me pushkë forcat qeveritare. Por vetëm me një qëllim, për të mbrojtur shtëpitë e familjet e tyre. Por në asnjë mënyrë për kryengritje, siç thotë z.Butka e disa të tjerë.
Siç flasin dokumentet e që z.Butka i ka përshkruar me hollësi në librin e tij, mbas vëllavrasjes tek Ura e Tamares, u përgatit me hollësi një operacion i vërtetë ushtarak për “nënshtrimin” e Kelmendit, operacion që pati përfundim tragjik për “dy palët”, vendasit dhe partizanët, pra për shqiptarët. U vranë 83 vetë dhe u plagosën 69 të tjerë. U arrestuan 27 vetë dhe u dogjën 34 shtëpi.
Unë kurrë nuk kam dashur t’i ndaj sa ishin kelmendas e sa partizanë. Të gjithë ishin shqiptarë, tanët, prandaj dhe e kam quajtur Vëllavrasja e Kelmendit…
Por sido që t’i analizosh këto ngjarje tragjike, në asnjë mënyrë nuk mund ta quash kryengritje. Siç ka pohuar në gjyq Prek Cali dhe të tjerë, ata nuk u organizuan asnjëherë dhe nuk bënë asnjë lloj kryengritje.
Shumë mirë e ka përcaktuar Marash Mali (të cilit i referohet Z.Butka) i cili në v.2005, në kuadrin e 60 vjetorit të Vëllavrasjes së Kelmendit shkruante nga ShBA se: “Lufta në Kelmend. E titulloj kështu, sepse nuk është i saktë shkrimi i disa studiuesve, kur thonë Kryengritja antikomuniste e Kelmendit ose Kryengritja e armatosur e Malësisë së Madhe. Prek Cali dhe Kelmendi nuk kanë qenë kryengritës, të shkojnë e ti bien e të luftojnë komunizmin, si për shembull me marrë Shkodrën….”.
Krejtësisht ndryshe janë zhvilluar ngjarjet në zonën e Shkrelit dhe Kastratit që z.Butka i ka titulluar “Kryengritja e Shkrelit dhe Kastratit” apo “Lufta e Koplikut”.
A pati rezistencë kundër Ushtrisë Çlirimtare në Malësinë e Madhe?
Si thamë më sipër, në Malësi të Madhe, nuk pati asnjë rezistencë të armatosur kundër Ushtrisë Nacional Çlirimtare.
Disa nga bashkëpunëtorët e pushtuesve nazifashistë si Llesh Marrashi, Gjelosh Luli, Nikoll Dedaj, Gjek Selca etj. etj. për t’ju shmangur gjykimit të drejtësisë për veprimtarinë e tyre në shërbim të pushtuesit, ishin arratisur dhe fshiheshin neper malësi. Fillimisht ata nuk kishin asnjë forcë të organizuar për t’u përballur me armë me UNÇ. Duke përfituar nga emri i familjeve të tyre, nga lidhjet e gjakut e të miqësisë, nga urrejtja që ishte ushqyer për vite me radhë nga pushtuesit e bashkëpunëtorët e tyre per Lëvizjen Nacional Çlirimtare, nga ndikimi i klerit katolik (dominues në zonat ku vepronin ata), traditat e zonës etj. ata filluan organizimin e grupeve dhe çetave për rezistencë të armatosur.
Sipas dokumenteve dhe dëshmive të pjesëmarrësve, me iniciativën e Llesh Marashit, në fund të dhjetorit, në fshatin Ivanaj (Bajzë) është organizuar një mbledhje, ku morën pjesë 14-15 vetë me përfaqësues nga Hoti, Shkreli, Bzheta, Dedaj, Zagora. Sipas pohimit të Llesh Marashit në gjyq, “Qëllimi ishte të vazhdonte rrugën që na kishte caktua Besëlidhja e Malësisë së Madhe, per t’u bashkue e për të luftue kundër komunistëve, për të formue çeta, kur ta lypte nevoja”. Po ashtu më 18 janar 1945 u organizua një mbledhje tjetër në fshatin Pojcë, ku morën pjesë edhe përfaqësues nga Dukagjini dhe ku u vendos që më dt. 28 janar të fillonte “kundërmësymja”- sipas atyre që u referohet z.Butka.
Këto grupe të organizuara, ndërmorën disa aksione të armatosura, siç ishte sulmi mbi postën e Bajzës (më 23 janar) apo “pushtimi i Koplikut”. Por këto ishin sporadike dhe në asnjë mënyrë nuk mund të bëhet fjalë për kryengritje siç e ka emërtuar z.Butka, e ndonjë tjetër. Në shumë fjalorë e enciklopedi fjala kryengritje përcaktohet si “Luftë e armatosur e masave popullore per tu çliruar nga një zgjedhe e huaj a për të përmbysur pushtetin në fuqi”.
Në rastin e “kryengritjes së Malësisë së Madhe” morën pjesë një numër i vogël njerëzish. (Llesh Marashi pranonte në gjyq se “kur kam shkue në Bajze kam qenë vet i dhjeti…”). Këto forca sulmuan dhe morën Koplikun, brenda gjysmë ore sepse aty ndodheshin një numër i vogël partizanësh. (Llesh Marashi ka pohuar në gjyq se “kur ramë në Koplik, kemi ba gjysëm ore pushkë”). Sapo lanë Koplikun, tek ura e Rrjollit (rreth 5 km. Larg Koplikut) u ndeshën me forcat partizane dhe mbas një përpjekje që zgjati pak orë ata u thyen dhe morën arratinë, duke u fshehur maleve e shpellave, deri sa pjesa më e madhe e tyre u arrestua, përfshijë dhe organizatorin kryesor, Llesh Marashi.
Në ketë të ashtuquajtur kryengritje morën pjesë një grusht njerëzish, madje edhe ata nga një zonë tepër e kufizuar e Malësisë së Madhe, kryesisht nga Shkreli e Kastrati, aty nuk morën pjesë as përfaqësuesit e Hotit. Me ndonjë përjashtim tepër të rallë, në këtë “kryengritje” nuk ka pas “kryengritës” as nga Kopliku, Lohja, Reçi, Gruemira, Buza e Ujit etj. Shumë qartë e ka shpjeguar dështimin e kësaj lëvizje, një ish pjesëmarrës i “kryengritjes”, Vasel Gjoka, i cili në shkrimin “Në një jetë e vështirë” botuar në v.1993, i cili ndërmjet tjerave shkruan: “Shkaqet që lëvizja mbaroi në atë mënyrë janë të shumta, gjithduerësh, por unë po i përmbledh shkurtimisht ato që kanë randësi: 1) Mospjesëmarrja e Hotit dhe e Koplikut. 2) Mosardhja e Jup Kazazit. 3) Koha dhe të ftohtit që nuk na lamë me çue kryet. 4) Disa që kishin ardhë me pa dhe me sabotue”. Më qartë nuk ka si thuhet për këtë të ashtuquajtur kryengritje.
Është e vërtetë se grupe të organizuara kanë vazhduar rezistencën me armë kundër pushtetit edhe dy tre vjet mbas çlirimit të vendit, por kurrsesi nuk mund të thuhet se ata organizuan kryengritje. Dihet si përfunduan këto aksione të armatosura apo “kryengritje”. Drejtuesit e tyre morën malet, duke u fshehur shpellave apo ku gjetën strehë, deri sa u arrestuan, u dënuan apo u eliminuan. Disa nga pjesëmarrësit e “kryengritjes” u dorëzuan dhe u dënuan.
Por masat e marra, metodat e përdorura e deri reprezaljet e krimet që u bënë më vonë kundër shumë banorëve të këtyre zonave të Malësisë së Madhe gjoja në emër të eliminimit të “reaksionarëve” nuk mund të justifikohen në asnjë mënyrë. Fajet mbeten faje dhe krimet krime. Ato duhen quajtur me emrin e vërtetë dhe këtu për mendimin tim ka shumë vend për korrigjime, për studime e rehabilitimin e shumë njerëzve të pafajshëm që u dënuan e u persekutuan padrejtësisht për shumë dekada me radhë. Gjithçka duhet parë e analizuar pa mllefe e paragjykime, e kryesorja duke i parë e vendosur në kohën kur kanë ndodhur ato ngjarje.
Duke lexuar librin tërheq vëmendjen një fakt tepër interesant. Z. Butka operon me të njëjtën logjikë dhe me të njëjtën metodologji siç përdoreshin nga historianë, studiues apo politikanë të epokës së socializmit, por sigurisht ne kahje të kundërt. Njëlloj si në atë kohë, ku të gjithë bajraktarët quheshin armiq, reaksionarë etj, tani z. Butka, të gjithë na i bën kundërshtarë e armiq të Lëvizjes Nacional Çlirimtare. Për dijeni të z. Butka, nga 11 bajraktarë që ka pas Malësia e Madhe, vetëm dy apo tre kanë marrë pjesë në këto “kryengritje”, madje edhe ata jo të gjithë me pushkë në dorë. Disa prej këtyre bajraktarëve kanë ndihmuar Lëvizjen Nacional Çlirimtare dhe vendosjen e pushtetit te ri menjëherë mbas lufte. Per kujtesë, Rifat Nuzi, dëshmor i Luftës së Reçit, ka qenë djali i bajraktarit të Reçit. Edhe Mul Delia, përndryshe Kryebajraktari i Malësisë së Madhe, në mos direkt, indirekt ka ndihmuar Lëvizjen Nacional Çlirimtare (dokumentet e vërtetojnë më së miri këtë ).
Dihet, se për shumë arsye kleri katolik nuk është pajtuar me pushtetin e ri që u vendos, por nuk është e vërtetë që i gjithë kleri u bashkua me atë të ashtuquajtur kryengritje dhe mori pjesë në të. Pati ndonjë prej tyre që edhe luftoi me armë në dorë kundër partizanëve, (që ishte ne kundërshtim me doktrinën fetare, që në libër përmenden me emër), por e vërteta është se shumë prej priftërinjve nuk u angazhuan dhe nuk bashkëpunuan me “kryengritësit”, pa përmendë faktin se kishte prej atyre që ndihmonin në vendosjen e pushtetit te ri dhe që kishin qenë shumë aktivë në Lëvizjen Nacional Çlirimtare. Është për të ardhur keq që gjatë gjithë periudhës së socializmit, e për më tepër, këto dy dekadat e fundit, nuk përmendet roli i priftit të Reçit, Dom Luigj Pici, i cili ka qenë tepër aktiv gjatë luftës kundër pushtuesve nazifashistë për çka ishte zgjedhur Sekretar i Këshillit Nacional Çlirimtar për Qarkun e Shkodrës.
Njëlloj si në kohën e Partisë Punës, kur sigurimi i shtetit, Partia, studiues e historianë rrisnin artificialisht numrin e “armiqve” në Malësinë e Madhe (si kudo në Shqipëri), duke vazhduar për shumë dekada të famshmen Luftë Klasash, tani z. Butka, duke operuar me të njëjtën mënyrë, gjithë këta “armiq” na i bën kundërkomunistë, e madje shumë prej tyre edhe “kryengritës”.
Gjatë epokës së socializmit, kishte disa studiues e politikanë që, në mos direkt, indirekt Shkodrën e cilësonin reaksionare. Tani, njëlloj si ata, edhe Z.Butka, Shkodrën e cilëson si kundërkomuniste.
Mendoj se tashmë ka ikur ai pasioni i viteve të para, kur për arsye nga më të ndryshmet, mbas ndryshimit të sistemit, flitej e shkruhej pa asnjë “doganë”, me një urrejtje të pashpjegueshme kundër Luftës Nacional Çlirimtare, kundër atyre që bënë këtë luftë e madje arrihej deri në fyerje të heronjve e dëshmorëve të kësaj lufte. Përdhoseshin ata që bënë luftën e çliruan Shqipërinë dhe hyjnizoheshin tradhtarët, bashkëpunëtorët e pushtuesve nazifashistë, kriminelët e deri edhe diversantët që vrisnin gra e vajza, vetëm sepse donin të mësonin shkrim e këndim… madje edhe dekoroheshin dhe shumëkujt i vjen ndot kur e kujton se çka ndodhur tek ne, sidomos në vitet 1992-1997.
Mendoj se studiuesit, pavarësisht historianë apo jo, me pasionin e tyre, por në rrallë të parë me ndershmëri e qëllimin e mirë për të ndriçuar të vërtetën, pa mllefe e dashakeqësi, pavarësisht nga pikëpamjet e bindjet politike, mund të ndihmojnë shumë, që ne shqiptarët të mësojmë më mirë historinë tonë, me të mirat e këqijat, gabimet e fajet, e kryesorja me qëllimin e mirë që gjëra të tilla mos të përsëriten kurrë më.
Fund
