“Ish-drejtuesit e Televizionit Shtetëror që më denoncuan, i fal, por ata duhet të ndjejnë pendesë për torturat dhe presionin psikologjik që përballova për 8 muaj rresht në qeli!”
(Vijon nga numri i kaluar)
Befasia e vënies në pranga dhe komunikimi i akuzës si ‘armik’ për agjitacion e propagandë kundër partisë e shtetit,(neni 55/1), do e ndërgjegjësonte punonjësin e Televizionit shtetëror Prek Kosuri, se tashmë ai do të mbetej banorë i qelive dhe se rrjedha e tij, kalvari i mundimshëm fizik e psikologjik, sapo kishte nisur… Torturat në hetuesi dhe përballjen me akuzën në gjyq, 72-vjeçari Kosuri, i rrëfen për ‘Dita’ në intervistën e tij në vazhdim…
Çfarë ndodhi më tej?
-Këmbëngula aty të më sqaronin se çfarë kisha bërë unë kundër Partisë e Shtetit, çfarë kisha thënë, çfarë dhe kë kisha sharë… Hetuesit më thanë:’Ke sharë Byronë politike, Udhëheqjen, ke mbrojtur Mehmet Shehun, armikun e Partisë e të Popullit, ke thënë që atë e kanë vrarë e jo siç ka thënë partia se ai ka vrarë veten! U detyrova të konfirmoj bindjen time të cilën nuk e kam fshehur kurrë, e besnik i së cilës, jam dhe sot…
Çfarë u konfirmuat hetuesve për Mehmet Shehun?
-U thashë: ’Mehmet Shehun unë e kam mbrojtur dhe do ta mbroj, se atë e ka mbrojtur Enver Hoxha në 40 vepra të tij’. Teksa po i rendisja veprat njëra pas tjetrës dhe ato që kishte thënë Enver Hoxha për personalitetin dhe figurën e Mehmet Shehut, pashë se hetuesit u ndjenë disi në siklet dhe nxituan që të më ndërpresin… Më thanë: ’Ti je arrestuar me urdhër nga lart!’. I ndodhur në këtë situatë u thashë se meqenëse është kështu, që nga ai moment, nuk do i kundërshtoja më, të thoshin çfarë të donin, të shkruanin çfarë të donin… Por nuk kishte zot që të më ndryshonte mendimin dhe bindjen time… Shtova dhe një argument tjetër….
Cili është ky argument?
-Po. Është konfirmimi që më ka bërë një agjent i UDB-së, i cili quhet B. Preka nga anët tona. Ai ishte arratisur në Jugosllavi e futej ilegalisht në veri të vendit. Në një nga këto takime ilegale, unë e kam takuar dhe ai më ka thënë:’Jugosllavët kanë dëshmi të sigurta se Mehmet Shehun e kanë vrarë Enver Hoxha e bashkëpunëtorët e tij më të afërt’. Kur u pohova këtë, hetuesi u revoltua, dhe më kërcënoi…
Në ç’mënyrë u kërcënoi?
-Të heshtja, të ndryshoja mendimin tim armiqësor… Në vazhdim më tha:’Ku i mbështet ti këto mendime?’. I thashë:’E bazoj në karakterin e Mehmetit, në lajmin që dhanë 6 agjenci të huaja prestigjioze(që Mehmet Shehun e vranë e se në Shqipëri situata është e rëndë, e nderë dhe e pa sigurt), etj… Por ata bënë të tyren. Më mbyllën në qeli e ju nënshtrova një hetimi të gjatë torturuese, si nga ana fizike, ashtu dhe nga ana psikologjike…
Çfarë dhe si u torturuan në hetuesi?
-Tortura nga më të ndryshme. Por më të rënda e më të pa përballueshmet për karakterin tim si malësor nga Dukagjini, ishin ato psikologjike. Pyetesha e trajtohesha si armik… Kur në fakt, nuk kisha bërë asgjë…Ndër më të padurueshmet, ishte urina në gojë, në hundë e lyerja e gjithë pjesëve të trupit me ‘të… Të gjitha këto, seancat e pyetjeve orë e pa orë, ditën e natën, më krijuan një gjendje të vështirë fizike, e sidomos psikologjike…
Sa kohë vazhdoi hetimi?
-Thash dhe më lart, më shumë se 7 muaj, rreth 8 muaj… Deri sa më nxorën në gjyq.
Kur u nxorrën në gjyq dhe si u zhvillua ai?
-Më 3 shtator dola para trupit gjykues. Kryetar i trupit gjykues ishte Urim Bejleri, ndërsa ndihmës të tij, dy kolonelë të policisë… Gjyqi u zhvillua me dyer të mbyllura, me argumentin se çështja ishte e rëndësishme dhe përbënte sekret shtetëror. Më pyetën nëse isha dakord me përbërjen e trupit gjykues. U thash se isha dakord. Prokurori lexoi akt-akuzën ndaj meje. Pas saj, më kërkuan shpjegime. Më pyetën:’Përse ke mbrojtur dhe mbron armikun e Partisë e Popullit, Mehmet Shehun, duke pohuar se atë e kanë vrarë dhe nuk është vetëvrarë’. U përgjigja me argumentet që thash më lart, duke shtuar se ‘E mbroj Mehmet Shehun se atë e ka mbrojtur, e ngre në qiell në 40 vepra të tij Enver Hoxha!’.
Cili qe vendimi i trupit gjykues?
-Në pretencë dhe në vendimin që u lexua, ku u konfirmua krimi im për agjitacion e propagandë, u theksua gjithashtu dhe prejardhja ime nga një familje e mirë e me tradita… U kërkua dhe u vendos që unë të lihesha i lirë në sallën e gjyqit… Por dua të theksoj, se nga burgu e torturat e mëtejshme, më shpëtoi diçka tjetër…
Çfarë ndikoi më konkretisht?
-Në pretencë dhe në vendim u theksua gjendja ime jo e mirë shëndetësore, depresive… Në fakt, hetuesia e gjatë dhe torturat e shumta, e kishin bërë të vetën…
Me çfarë jeni marr pasi dolët nga qelitë?
-Kam jetuar si mos më keq. Nuk isha prapa hekurave, por në vështirësi ekstreme për të siguruar bukën e gojës për gruan e dy vajzat… Plot 6 vjet, si njeri me ‘njollë’, mua më lanë rrugëve, nuk më afruan asnjë punë. Por ajo që më dhemb më shumë, vuajtjet e mia fizike e psikologjike, i vuajtën jo pak dhe fëmijët e mi, dy vajzat. Ata, ndonëse ishin nxënëse të shkëlqyera, me të gjitha notat 10-ta, nuk u dhanë të drejtën për të vazhduar shkollën e lartë…
Ku u sistemuat më pas?
-Pas 6 viteve, më afruan dhe punova si roje në Kopshtin Zoologjik në Tiranë.
A jeni kompensuar financiarisht për dënimin e pa drejtë?
-Një kompensim minimal. Kam marr 2 milion lekë të vjetra në dorë dhe 7 milion lekë letra me vlerë… po dihet se çfarë vlere kanë letrat me vlerë… Por pasojat e hetimit të gjatë, dhuna fizike e psikologjike, më kanë lënë pasoja të pariparueshme shëndetësore… Ato po i vuaj edhe sot…
Stërmundime të pafund për Mehmetin! Personalisht, keni pasur takime apo njohje me Mehmet Shehun?
-Po, është e vërtetë. E kam njohur dhe e kam takuar. Por unë kisha dhe kam edhe sot bindjen time, e besoj kam të drejtë. Mehmet Shehun, kryeministrin më jetëgjatë të vendit, e kanë njohur mirë gjithë shqiptarët. Ai ishte trim si rrallë kush, e këtë e ka treguar historia.. Ishte dhe punëtor i pa lodhur e këmbëngulës… Po unë e kam takuar Mehmetin. Dua të veçoj disa raste që më kanë lënë mbresa për ‘të …
Cilat janë ato?
-Më kanë lënë mbresa dy vizita të tij në ekspozitën ‘Shqipëria Sot’. Në njërën nga këto, ishte dhe Enver Hoxha. Ata, pra Enverin dhe Mehmetin i shoqëronte Myslim Peza. Teksa drejtuesit e minierave, i raportonin Enverit ‘për suksese’, ndërhynte Mehmeti dhe fliste me detaje e për probleme që nuk shkonin, stononin dhe pengonin punën…
Pohuat se ju u denoncuat nga drejtuesit e Televizionit Shtetëror; i keni takuar këto vite?
-I kam takuar. Po çfarë vlere ka tani… Unë nuk jam hakmarrës, fal… Por vuajtjet fizike e psikologjike, personale e familjare, më kanë dërmua, më kanë shkatërruar jetën… Ata që më denoncuan duhet të kenë pendesë në shpirtin e tyre …
SOM 1
“U thashë:’Mehmet Shehun unë e kam mbrojtur dhe do ta mbroj, se atë e ka mbrojtur Enver Hoxha në 40 vepra të tij’… Hetuesit u ndjenë disi në siklet… Më thanë: ’Ti je arrestuar me urdhër nga lart!’. I ndodhur në këtë situatë, u thash se meqenëse është kështu, që nga ai moment nuk do i kundërshtoja më, të thoshin çfarë të donin dhe të shkruanin çfarë të donin…”
SOM 2
“Më 3 shtator dola para trupit gjykues. Kryetar i trupit gjykues ishte Urim Bejleri, ndërsa ndihmës të tij, dy kolonelë të policisë… Gjyqi u zhvillua me dyer të mbyllura, me argumentin se çështja përbënte sekret shtetëror… Prokurori lexoi akt akuzën. Më kërkuan shpjegime. Më pyetën:’Përse ke mbrojtur dhe mbron armikun e Partisë e Popullit, Mehmet Shehun, duke pohuar se atë e kanë vrarë dhe nuk është vetëvrarë’. U thashë:’Mehmetin e kanë vrarë’”
SOM 3
“Po, është e vërtetë. Por unë kisha dhe kam bindjen time, e besoj kam të drejtë. Mehmet Shehun, kryeministrin më jetëgjatë të vendit, e kanë njohur mirë gjithë shqiptarët. Ai ishte trim si rrallë kush, e këtë e ka treguar historia.. Ishte dhe punëtor i pa lodhur e këmbëngulës… Po unë e kam takuar Mehmetin. Ai ishte jo vetëm trim, por dhe punëtor i palodhur”
Dokumenti: Akuza në gjyq për ‘armikun’ Prek Kosuri
Gjykimi për Kosurin, mbrojtësin e ‘vrasjes së Mehmet Shehut’ u zhvillua më 4.9.1995 në gjykatën e Tiranës. Vendimi ‘Në emër të popullit’ (Nr 191 i aktit) mbanë nr 302. Trupi gjykues përbëhej nga Urim Bejleri, kryetar i seancës dhe ndihmës gjyqtarët Lliko Mato e Myzafer Bonaj. Gjykimi është asistuar nga sekretarja Drita Filto, ndërsa prokuror i çështjes penale nr 191 ka qenë Pirro Suli. Mes të tjerave në këtë vendim thuhet:”Prek Kosuri, i datëlindjes 3.2.1940,… arrestuar më datë 25.1.1985 akuzohet për ‘Krimin e agjitacionit dhe propagandës kundër shtetit në bazë të nenit 55/1 të Kodit Penal’. Gjykata, pasi dëgjoi kërkesën e prokurorit…, në bazë të nenit 73 të Kodit të Procedurës Penale, pasi shqyrtoi aktet dhe provat e administruara gjatë hetimit gjyqësor të çështjen, vëren: I pandehuri Prek Kosuri, duke qenë roje në parkun e RTV Tiranë, më datë 20.3.1984 shkon në zyrën e drejtorit Marash Hajati dhe i thotë se donte të informonte për disa probleme në interes të politikës së Partisë dhe të mbrojtjes së vijës së saj. Pasi thirret i pranishëm në këtë bisedë dhe sekretari i byrosë së Partisë Nazmi Qamili, i pandehuri, midis të tjerave shprehet “…Shkodra nuk është në rregull, kjo situatë dhe ngjarjet në Burrel janë të lidhur me punën agjenturore të Kadri Hazbiut.
Dukagjini ka mbaruar, kuadrot aty s’janë në rregull, arrestojnë për vjedhje 3-4 vetë, kurse agjentët e UDB-së i lenë të lirë. Flitet se Mehmet Shehun e ka vrarë Kadri Hazbiu. Agjentura ka synuar të asgjësoj shokun Enver dhe Mehmet Shehun…ej…’. Po kështu, i pandehuri Prekë, në një takim me drejtorin Marash Hajati më 25.1.1985 i ka thënë që ‘kam dëgjuar që flitet që kur Mehmet u vra, çdo gjë ka marr fund, s’ka as mish, as djathë.. Ministrin e Mbrojtjes nuk e duan, etj…’. Rezultuan gjithashtu nga aktet që në fillim të vitit 1984, në një rast, i pandehuri Prek, në prani të tre punonjësve të qendrës së tij të punës, është shprehur:’Mehmet Shehu ka qenë strateg ushtarak, atë e ka vlerësuar dhe shoku Enver në veprat e tij….etj’. Këto fakte, me pak ndryshime dhe me insistimin, i pohon dhe vetë i pandehuri Prek Kosuri si në hetuesi, ashtu dhe gjatë hetimit gjyqësor të çështjes.. Këto të dhëna rreth provave e lidhur sa më sipër, të vlerësuara sidomos nga ana e shprehjeve të përdorura, në vetvete, përmbajnë elementë të tillë që vlerësohen si agjitacion e propagandë kundër shtetit, krim ky i parashikuar nga neni 55/1 i Kodit të Procedurës Penale….”.
… Në këtë vendim të gjykatës, pasi theksohet përbërja e mirë politike e të pandehurit e rrethana të tjera, mbështetur në nenet 149 e 73 të Kodit të Procedurës Penale, Prek Kosuri, pas 7 muaj e 10 dit në qeli, e lë të lirë…