Koço Broka*
Para disa ditësh u ndodha në një takim me fermerë. Në përfundim të tij më afrohet një fermer blegtor dhe më thotë: I dëgjova me vëmendje ato që thatë për mbështetjen e programeve për mbështetjen e fermerëve nga ana e Qeverisë si nëpërmjet IPARD-it ashtu edhe nga Skemat Kombëtare dhe kushtet që duhet të plotësojmë ne. Nuk i heq asnjë presje theksimit se Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, ka deklaruar se i ka kushtuar një rëndësi të posaçme sivjet mbështetjes së blegtorisë në Skemën Kombëtare duke caktuar mbi 2/3 e fondeve në dispozicion në këtë skemë, apo duke e rritur fondin e kësaj skeme me 400 milion lekë, me argumentin se vitet e fundit ka rënë numri i krerëve në blegtori por edhe prodhimet e saj. Kjo edhe për faktin se të rinjtë nuk po preferojnë punën në blegtori dhe se ata po largohen prej saj apo prej fshatit në qytet apo edhe jashtë vendit. Por unë ndonëse nga natyra jam optimist, jam i dyzuar dhe kam një pyetje.
Mua mu bë, sikur më tha:- Kam dëgjuar me vëmendje dhe drejtuesit e opozitës për këtë çështje. Akoma e kam të freskët një takim të tij më fermerë disa ditë para se të hapej periudha e aplikimit për Skemën Kombëtare të këtij viti. Ai i u drejtua atyre drejtpërdrejt por edhe ne fermerëve dhe blegtorëve të mbarë Shqipërisë : “A u lodhët ? Çfarë ore e kini filluar sot? S’keni marrë asnjë subvencion? Një fermer iu përgjigj “ Nuk bëhet llaf për subvencionime. Drejtuesi i opozitës vazhdoi: -Kolegët e tu në Kosovë nuk e kanë këtë problem. Pse? E marrin një ndihmë, marrin një sasi parash për kuintal. Ndërhyri një fermer tjetër dhe me zë të lartë tha: “Subvencione bujqësia nuk ka marrë. Edhe ato pak subvencione që vijnë siç punohet me oligarkinë tani nëpër rrugë nëpër fonde publike po punohet edhe për bujqësinë.” Ankesat dhe qarja e hallit vazhduan kudo që shkonte… Drejtuesi i opozitës nuk mungoi të shtonte: -“Vëmendjen time do e keni, mbështetjen time do e keni…
Ndërsa në një takim tjetër drejtuesi i opozitës do qartësonte: Subvencioni është pikërisht pagesa nga buxheti i shtetit në bazë të prodhimit tek fermerët. Është një praktikë që e ndjek prej 50 vitesh Bashkimi Euriopian, Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Është një praktikë që prej vitesh e ndjek Maqedonia e Veriut dhe Kosova, e cila çdo vit në buxhet ka afro 100 milion euro, që ua shpërndan fermerëve në bazë të prodhimit dhe kështu ata jo vetëm arrijnë ta shesin produktin e tyre në tregun e brendshëm, por edhe ta eksportojnë, madje edhe në Shqipëri dhe ta sjellin në tregjet tona me një çmim konkurrues me prodhimet e fermerit shqiptar, sepse fermeri shqiptar nuk merr asnjë lloj mbështetje… mungesën totale të subvencioneve, ne e konsiderojmë si problemin numër 1, ndaj planifikojmë që prej vitit tonë të parë buxhetor për fermerët shqiptarë dedikojmë një shumë totale, me të njëjtin nivel si Kosova dhe Maqedonia dhe jo më pak se 100 milionë euro, e cila do të shpërndahet tek fermerët shqiptarë në bazë të prodhimit, pa kufizime. Sepse për shembull këtu fermeri ka më pak se 3 dynym tokë. Ka një kufizim idiot, një burokraci, që bëhet për të mos dhënë subvencione, që po nuk pate më shumë se tre dynym tokë, nuk merr dot subvencione, po nuk pate më shumë se kaq krerë, nuk merr dot subvencione”
“Unë nuk kam ndonjë pyetje për ju, për këto politika, që na premtojnë partitë”. Premtimi për 100 milionë euro mbështetje e drejtpërdrejte për fermerët është ngacmuese, evidentoi fermeri duke vazhduar: – Po në ato ditë të fundmajit dëgjova nga AZHBR-ja, se në Skemën Kombëtare për vitin 2020 midis të tjerash nga ana e Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural janë parashikuar subvencione me masa të ndryshme. Për tufën e matrikulluar, për fermat me jo më pak se 70 (shtatëdhjetë) krerë dele dhe/ose dhi, me vlerën 1200 (njëmijë e dyqind lekë) për krerë por jo më shumë se 360 (treqind e gjashtëdhjetëmijë) lekë për subjekt. Ndërkohë u bënë të qarta kushtet e aplikimit për ne blegtorët, se mund të aplikojë çdo fermer që ka NIPT, është regjistruar në programin Ruda dhe plotëson kushtin e pagimit të sigurimeve shoqërore dhe se sivjet është i thjeshtë, me 4 hapa:
- Regjistrohu në e-Albania, si qytetar, me të dhënat e kartës tuaj të identitetit
- Zgjidh shërbimin “Aplikim për Skemën Kombëtare të mbështetjes për fermerët’’
- Zgjidh llojin e fermerit, vendndodhjen e fermës, masën si dhe sasinë për të cilën do të aplikoni
- Kliko dërgo
- Dhe unë kështu bëra -vazhdon fermeri. Mirë do jetë nesër kur të jepen 100 milionë por edhe sa është parashikuar sivjet nuk është keq. Me koston e lartë të blegtorisë unë jo vetëm që e kam qar por e kam edhe të nevojshme qofte edhe kaq. Me ndihmën e fëmijëve qoftë edhe për faktin se me këtë celular që kam, dhe më tregon një cel Nokia modeli i vjetër, nuk e realizoja dot aplikimin. Megjithatë aplikimin e bëra. Më tej më erdhi një formular sipas të cilit kodi im ishte. E kam shënuar diku në fletore që kam në shtëpi por ti mund ta gjesh lehtësisht duke pasur parasysh emrin tim atë të Qarkut, Bashkisë dhe masën për të cilën kam aplikuar.
- Dhe kështu ndodhi, kodi i tij rezultoi 3243 nga 8385 aplikues gjithsej.
Sipas shpalljes së parë të AZHBR në fund të Qershorit vazhdon fermeri unë nuk fitova. Kjo për faktin se numri i përfituesve për tufën bazë të matrikulluar me dele/dhi dhe gjedhë ishte 1714. Ndërkohë po e bëj të qartë nuk hy në radhën e fermerëve që sipas shpalljeve i kërkohen dokumente. Edhe sipas listës së shpallur i plotësoj kërkesat për sigurimet shoqërore, nuk jam debitor, jam i regjistruar në programin Ruda, dhe nuk kërkohen dokumente të tjera, siç ishte për shembull për masën e bimëve medicinale. Pra i plotësoj kushtet por nuk kam aplikuar që ditët e para, që më 29 Maj kur filluan aplikimet. Ato vazhdonin edhe pas mesit të Qershorit
A konsideron të drejtë mos përfitimin tim nga Skema Kombëtare e sivjetshme, kur unë i plotësoj të gjitha kushtet? Ju gjatë fjalës tuaj thatë se sipas shpalljeve të AZHBR-se është rritur numri rendor të aplikantëve që janë përfshirë mbi vijën e financimit. A mund dhe a do ta fitoj financimin nga Skema kombëtare, kur unë i plotësova të gjitha kushtet ?
Të them të drejtën u zura pak ngushtë. Ndryshe nga debati i mirënjohur se duhet të bëhet financimi i fermerëve pa NIPT vetëm me kartën e identitetit, fermeri kishte NIPT. Pavarësisht nga vështirësitë e pretenduar për aplikimin online nëpërmjet portalit e-Albania, fermeri kishte aplikuar nëpërmjet këtij portali. Mundësia e ndërhyrjeve është kufizuar për të mos thënë eliminuar. Edhe për sa i përket kushteve të tjera si rezulton nga lista e shpallur këtij fermeri nuk i duhet të plotësojë kushte të tjera se si është përmendur edhe më lart i ka plotësuar? A ja vlen të digjet për shkak të kushtit rendor, se nuk aplikoj në mëngjesin e 29 Majit!?
Pas shpalljes së parë nga AZHBR për përfituesit, u bë njoftimi tjetër i datë 16/07/2020 se “po ju njoftojmë numrin rendor të aplikantëve që ndodhen mbi vijën e financimit: Masa 1: Tufa bazë e matrikulluar – Do të përfshihen në fond aplikimet deri në numrin rendor 2964” Pra shpresat u rritën
Pas tij u bë njoftimi tjetër i datë më 5.8.2020 se po ju njoftojmë numrin rendor të aplikantëve që janë përfshirë mbi vijën e financimit. Masa 1: Tufa bazë e matrikulluar 2971“
Pas u bë njoftimi tjetër më 4.9.2020 po ju njoftojmë numrin rendor të aplikantëve që janë përfshirë mbi vijën e financimit. Masa 1: Tufa bazë e matrikulluar – Do të përfshihen në fond aplikimet deri në numrin rendor 3102”
Ndërkohë është bërë e ditur nga AZHBR se për disa masa si për fermat organike dhe më pas dhe për Çertifikimi Global Gap do të përfshihen në fond, aplikimet deri në fund të listës për këtë masë.
Përgjigja ime sado e mirë të ishte nuk mund ta kënaqte fermerin blegtor Atij i nevojitet përgjigja e Ministrit të Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural që harton dhe realizon politikat bujqësore apo ajo e Kryeministrit
Natyrshëm lind pyetja që mund të marrë përgjigje prej tyre : A nuk është e nevojshme që si për këto masat e fundit te Skemave Kombëtare 2020 ashtu dhe masat e tjera, të përfshihen të gjithë fermerët që kanë aplikuar, kanë plotësuar kushtet e kërkuara dhe nuk iu kërkohen objektivisht dokumente të tjera? A nuk ka ardhur koha që fermerit me numër rendor 3243, që i ka plotësuar të gjithë kushtet e shpallura nga AZHBR të marrë subvencionin e premtuar ?!
Personalisht duke parë qoftë edhe një nga postimet e shumta të Ministrit pranë blegtorëve që kanë përfituar nga Skema Kombëtare, si është rasti i datë 4 Shtator 2020 në malin Çajup, mendoj se PO. Natyrisht pavarësisht se sa e arsyetuar është apo-jo, përgjigja ime, ajo nuk ka asnjë vlerë. Kërkohet përgjigja e Ministrit z. Bledi Çuçi apo e Kryeministrit, i nderuar blegtor.
*Ekonomist
