Premtimi se “70 mijë fermerë do të marrin naftë falas, mjafton që të bënin aplikimin në e-Albania”, duket se ka një handikap të madh.
Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural njoftoi se dje se është mbyllur me rekord aplikimesh procesi i skemës së naftës pa taksa. Por, sipas të njëjtit njoftim, kanë qenë 20561 fermerë të cilët aplikuan për kartën e fermerit, si kusht për përfitimin e naftës pa taksa.
Por çfarë ka ndodhur që nga 15 janari kur nisën aplikimet online?
Gjatë këtij procesi kanë qenë fermerët që janë shprehur se aplikimi në e-Albania ka qenë tejet i vështirë, pasi shpesh faqja nuk ka funksionuar.
Ndërkohë, premtimi nga ana e qeverisë ka qenë se do të jenë 70 mijë fermerë ata të cilët do të mund të përfitonin nga kjo masë mbështetëse.
Ndërsa fermerë të regjistruar me NIPT dhe aktive deri më sot, në datën 1 prill 2021, janë 60,866 fermerë, gati 10 mijë më pak të pajisur me NIPT, dhe vetëm 1/3 e tyre kanë aplikuar për të marrë kartën e fermerit dhe më pas të jenë përfitues të naftës pa taksa.
Numrat bëhen edhe më interesantë ku bëhet fjalë për evidentimin dhe më pas regjistrimin e fermerëve, ku në shkallë vendi janë 354 mijë fermerë. Pra, praktikisht vetëm 17 % e tyre janë me NIPT dhe me të njëjtën logjike, vetëm 5.8% e tyre do të mund të marrin naftë pa ngarkesë taksash.
c r/ dita
