Heqja e lapidarit të dëshmorëve të UÇPMB-së në Preshevë u pasua nga deklaratat zyrtare e institucionale të qeverisë dhe politikës në Shqipëri. Por përtej reagimeve që nuk munguan, deputeti socialist, Pandeli Majko, pyet se çfarë është bërë më shumë. Përmes një mesazhi të postuar në Facebook, Majko ngre disa pyetje për qeverinë shqiptare në lidhje me atë që është bërë apo do të bëhet pasi u dënua me forcë heqja e lapidarit.
“E gjithë politika shqiptare reagoi për shkatërrimin e lapidarit të dëshmorëve në Preshevë… Edhe në Facebook! Ironike por e vërtetë! Ajo çfarë po mbetet pas kësaj ngjarje të rëndë janë pyetjet dhe çuditë…
A u thirr ambasadori serb në Tiranë në Ministrinë e Jashtme për këtë çështje? A do të bëhet protestë zyrtare ndaj nga shteti shqiptar ndaj veprimeve të Beogradit? A do të kërkojë konsultime Shqipëria me mekanizmat e NATO-s ndaj një situate që prek stabilitetin rajonal? Ambasadori i Shqipërisë në OKB… do të bëjë deklaratë zyrtare për këtë situatë represive ndaj shqiptarëve në shtetin e Serbisë?
Apo do e “mbyllim” këtë situatë kaq të rëndë me një deklarim për “rishikimin” e marrëdhënieve me Serbinë(!) Çfarë do të rishohim?! Mbase… që në panairin e ardhshëm të librit shqiptar të mos ftohen qoftexhinj serbë, në hyrjen e tij, që të na ushqejnë me mish dhe tym…
Çudia më e madhe zgjat 3 ditë. Sot është dita e tretë! Atë që s’e bën politika sot do e bëjë radikalizmi nesër! (Tiranë 22 janar 2013)”, shkruan Majko në Facebook.