Presidenca ka përuruar fasadën e re të saj pasditen e sotme përmes një ceremonie të organizuar në ambientet e saj. Vetëm pak orë para festës së madhe, mbyllja e punimeve për rikonstruksionin e oborrit dhe fasadës së Presidencës është shoqëruar me ceremoninë ku nuk munguan falënderimet e presidentit Nishani për donatorët dhe kreun e Bashkisë së Tiranës, të cilët sipas tij mbështetën idenë e një fytyre të re për Presidencën.
“Presidenti dhe stafi menduan që të punojnë gjatë këtyre ditëve, për t’i dhënë një imazh të ri ndërtesës së Presidencës, kopshtit, si simboli i Kreut të Shtetit, si institucioni kryesor i vendit. Gjej rastin të falënderoj donatorët që bënë të mundur një imazh kaq të këndshëm dhe estetik për Presidencën. Faleminderit atyre që dhuruan një ulli 450-vjeçar, skulptorit të talentuar që dhuroi skulpturën, Bashkisë së Tiranës, zotit Basha, i cili mbështeti idenë e Presidentit”, tha Nishani gjatë ceremonisë.
Gjithashtu, ai theksoi se institucioni i Presidencës krahas fasadës së re do të ketë një frymë të re edhe në funksionin që do të kryejë. Ai ftoi qytetarët të vizitojnë ambientet e rikonstruktuara gjatë ditëve në vijim.