Presidencialet Afganistan, Abdullah drejt fitores

anazapta

Rezultatet e para të pjesshme të zgjedhjeve presidenciale në Afganistan, tregojnë se ish-ministri i jashtëm, Abdullah Abdullah, po udhëheq para rivalit të tij kryesor, ish-ministrit të financave, Ashraf Ghani, transmeton Reuters.
Komisioni i Pavarur i zgjedhjeve i Afganistanit ka njoftuar se rezultatet e 26 prej 34 provincave tregojnë se Abdullah është në udhëheqje me 41.9%, Ghani është i dyti me 37.6 për qind, ndërsa kandidati tjetër, Zalmai Rassoul, ka 9.8 për qind të votave.
Kryesuesi i komisionit, Yousouf Nouristani, ka tërhequr vërejtjen se kjo radhitje mund të ndryshoj derisa vazhdon numërimi i fletëvotimeve.
Në zgjedhjet presidenciale të mbajtura më 7 të këtij muaji, votuan më se 7 prej 12 milionë njerëzve me të drejtë vote. Votimet u zhvilluan përkundër kërcënimeve nga talibanët. Pritet që rezultatet përfundimtare do të shpallen deri më 24 të këtij muaji.
Nëse asnjëri prej kandidatëve nuk do të ketë më tepër se 50 për qind të votave, atëherë në fund të muajit maj zhvillohet rrethi i dytë. Afganistani do të përballet në fund të vitit me sfidën e madhe të ruajtjes së sigurisë pasi atëherë do të tërhiqen trupat luftarake amerikane dhe pritet të ruhet vetëm një prani e pjesshme nëpër baza.

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *