Presidenti i La Liga, Javier Tebas, shprehu besimin e tij absolute në pafajësinë e Cristiano Ronaldos, në lidhje me akuzat dhe çështjen e hapur nga organet tatimore spanjolle, me pretendimin dhe akuzën e evazionit fiskal në shumën e 14.7 milionë euro në dëm të Thesarit të shtetit. Në ditën e fundit të aktivitetit të La Ligas, të zhvilluar në Villareal, presidenti, Javier Tebas u shpreh fuqishëm në favor të CR7 gjatë intervistës së dhënë për mikrofonin e La Sexta.
“Duke ditur kushtet dhe profesionalizmin që i karakterizon, nuk kam dyshime që Cristiano është i pafajshëm. Ne jetojmë në një epokë kur sapo del ndonjë lajm në lidhje me Thesarin, çdo kush është i etiketuar si fajtor dhe kriminel. Unë jam i sigurtë që ai është i pafajshëm dhe bazuar në ato që kam lexuar, jam i bindur se nuk ka fare krim”, deklaroi presidenti i La Liga, i cili ka vlerësuar edhe konsekuencat që do të kishte mbi ligën spanjolle largimi i mundshëm i Cristiano Ronaldos nga Real Madrid: “Nuk mund të vlerësohet nga mënyra sasiore, por është shumë e rëndësishme dhe më shumë me rritjen ndërkombëtare të La Liga. Do të ishte një humbje shumë e rëndësishme për ne, një humbje e pariparueshme”.
