Neymar do të largohet nga Spanja? Të bëjë si të dojë, sepse ky nuk është ndonjë problem i madh për presidentin e La Ligës, Javier Tebas!
Ky i fundit është shprehur se më shumë shqetësohet për ditët kur futbolli spanjoll nuk do të ketë më legjendat Lionel Messi dhe Cristiano Ronaldo. “La Liga dhe Barcelona janë më të mëdha se Neymar. Do të isha më i shqetësuar, nëse largohen Cristiano Ronaldo ose Lionel Messi”, – ka reaguar 55-vjeçari, i njohur si tifoz i Real Madridit.
Sipas asaj që shkruhet në medie prej disa javësh, PSG-ja është gati të paguajë klauzolën e lirimit të brazilianit, 222 milionë euro, ndërsa vetë lojtari synon të fitojë “Topin e Artë” duke u bërë pika e referimit në skuadrën parisiene, ashtu si Messi në “Camp Nou”.
Megjithatë, Tebas mendon se transferimi i 25-vjeçarit në Paris do të kryhej jashtë rregullave të parashikuara nga UEFA. “Edhe nëse francezët nuk do ta paguajnë vetë klauzolën, ne do t’i padisim. Ata nuk mund të bëjnë disa numra komercialë për të treguar se janë klub më i madh se Barcelona apo Real Madridi. Askush nuk e beson këtë, që do të thotë se shteti i Katarit po transferon para në mënyrë të palejueshme”, – ka shpjeguar ai.
PSG-ja e ka marrë paralajmërimin, por askush nuk mund të vërë duart në zjarr se do të dënohet nga UEFA. Të paktën, me sa është njoftuar deri tani, transferimi i Neymar-it nuk do të vihet në rrezik.
