Procesi i zgjedhjes së Presidentit të ri pritet të shoqërohet me debat politik dhe juridik. Kjo pasi mes Kushtetutës dhe Kodit Zgjedhor ka një përplasje sa i përket mandatit të Kuvendit mbi bazën e të cilit referohen edhe afatet e zgjedhjes së Presidentit.
Viti 2017 do të jetë një periudhë intensive debati për politikën shqiptare. Kjo pasi gjatë këtij viti do të kemi dy zgjedhje shumë të rëndësishme, ato parlamentare dhe ato presidenciale. Madje me shumë mundësi të dyja ato mund të zhvillohen brenda një afati shumë të ngushtë, prej 1 muaji.
Por ndërsa për zgjedhjet parlamentare çdo gjë varet nga verdikti që do të shprehin qytetarët në zgjedhjet që do duhet të mbahen në një nga dy të dielat e fundit të muajit qershor, zgjedhja e presidentit pritet të shndërrohet në një konflikt jo vetëm politik, por edhe juridik. Kjo për vetë faktin nëse Presidenti i ri do zgjidhet para apo pas zgjedhjeve parlamentare.
Për këtë do kërkohet një interpretim juridik pasi ekziston një konflikt mes dy ligjeve shumë të rëndësishme, Kushtetutës së Shqipërisë dhe Kodit Zgjedhor, megjithëse në bazë të hierarkisë së ligjeve në vendet demokratike në rastet kur ka përplasje mes ligjeve, prevalon gjithmonë Kushtetuta.
Konflikti ligjor
Konflikti mes këtyre dy ligjeve lidhet pikërisht me kohën kur mbaron mandati i Kuvendit të Shqipërisë, i cili më pas përcakton edhe afatet se kur duhet të zgjidhet Presidenti i Republikës. Kështu, Kushtetuta në Nenin 65 të saj përcakton se Kuvendi zgjidhet çdo 4 vjet dhe mandati i tij fillon me mbledhjen e parë të tij pas zgjedhjeve dhe përfundon në të njëjtën datë të të njëjtit muaj të vitit të katërt nga data e mbledhjes së parë.
Në çdo rast, Kuvendi qëndron në detyrë deri në mbledhjen e parë të Kuvendit të ri të zgjedhur. Gjithashtu, në pikën 2 të këtij neni përcakton se zgjedhjet për Kuvendin e ri zhvillohen në periudhën zgjedhore më të afërt që i paraprin datës së përfundimit të mandatit të Kuvendit. Ndërkohë që neni 9 i Kodit Zgjedhor bën disa përcaktime të tjera që bien ndesh me ato kushtetuese. Më konkretisht sipas këtij neni përcaktohet se
“Presidenti i Republikës nxjerr dekretin për caktimin e datës së zgjedhjeve për Kuvendin jo më vonë se 9 muaj para mbarimit të mandatit të Kuvendit. Me vendim të Kuvendit, mbyllja e legjislaturës ose shpërndarja e tij bëhen jo më shpejt se 45 ditë para datës së caktuar për zgjedhjet dhe jo më vonë se 30 ditë para kësaj date”.
Pra, ndërsa Kushtetuta njeh si mandat të Kuvendit ekzistues edhe periudhën pas zgjedhjeve për parlamentin e ri deri sa të mbushen 4 vjet nga data e mbledhjes së parë të tij, Kodi Zgjedhor flet për shpërndarje të Kuvendit dhe mbyllje të legjislaturës 45 ditë maksimumi deri në 30 ditë minimumi para zgjedhjeve të reja parlamentare.
Zgjedhje e presidentit
Por nisur nga fakti se Kushtetuta qëndron më lart në hierarkinë e ligjeve se Kodi Zgjedhor llogaritë për zgjedhjen e Presidentit të ri do duhet t’i bëjmë sipas afateve që përcakton ajo.
Neni 88 i Kushtetutës sanksionon se mandati i Presidentit përfundon në të njëjtën datë të të njëjtit muaj të vitit të pestë nga data e betimit si President i Republikës. Në rastin konkret Presidenti Bujar Nishani është betuar në datë 24 korrik 2012 dhe sipas kësaj dispozite mandati i tij përfundon 24 korrik 2017.
Ndërkohë që i njëjti nen i Kushtetutës detajon se “procedura për zgjedhjen e Presidentit fillon jo më vonë se 60 ditë para mbarimit të mandatit presidencial paraardhës”. Referuar pikërisht kësaj dispozite procedura në një rast normal duhet të fillojë më 25 maj të vitit të ardhshëm. Por duket se në rastin e Nishanit dhe zgjedhjen e pasardhësit të tij kemi një situatë të veçantë.
Kjo për vetë faktin se mandati i Presidentit mbaron brenda 6 muajve të fundit të Parlamentit aktual. Kushtetuta përcakton se “kur mandati presidencial përfundon në gjashtë muajt që i paraprijnë fundit të mandatit të Kuvendit ekzistues, procedura për zgjedhjen e Presidentit fillon jo më vonë se 60 ditë para mbarimit të mandatit të Kuvendit”.
Sipas përcaktimeve të Kushtetutës mandati i Kuvendit ka filluar më 9 shtator 2013 dhe ai duhet të mbarojë sërish më 9 shtator të 2017. Ndaj rregulli i mësipërm krijon mundësitë që procedura e zgjedhjes së presidentit të ri të nisë edhe në korrikun e ardhshëm por jo më vonë se data 9 e tij.
Kjo i jep mundësi mazhorancës aktuale parlamentare që ta zgjedhë presidentin e ri e vetme pas zgjedhjeve parlamentare që do duhet të mbahen në qershor. Me këtë krijohet mundësia që PS dhe LSI të dalin së bashku në zgjedhje dhe më pas të zgjedhin edhe Presidentin.
Nga kjo mund të përfitojë edhe kryetari i LSI-së që të drejtojë partinë e tij në fushatë dhe më pas të dorëzojë mandatin e kryetarit të Kuvendit dhe atë të kryetarit të LSI-së dhe të zgjidhet Presidenti./MAPO

“Ndërkohë që i njëjti nen i Kushtetutës detajon se “procedura për zgjedhjen e Presidentit fillon jo më vonë se 60 ditë para mbarimit të mandatit presidencial paraardhës”. Referuar pikërisht kësaj dispozite procedura në një rast normal duhet të fillojë më 25 maj të vitit të ardhshëm.”
Paragrafi i mesiperm hedh poshte gjithe kete shkrim pa lidhje. Kur thuhet jo me vone se 60 dite do te thote se parlamenti mund ta zgjedhe me heret se 60 dite, pra ne fillim te Majit dhe do te mjaftonte nje séance e vetme.