Me rastin e 90-vjetorit të themelimit të Medresesë së Tiranës, Presidenti Nishani vlerësoi sot paradite në një ceremoni solemne, Medresenë e Tiranës me titullin “Për merita të veçanta civile” me motivacionin:
“Si një shkollë e arsimit fetar në Shqipëri, e cila duke u bërë pjesë e arsimit tonë, përgatiti për disa dhjetëvjeçarë në një nivel të lartë një plejadë teologësh myslimanë, të cilët luajtën një rol parësor në ripërtëritjen e moralit tonë kombëtar”.
Nishani e vlerësoi lart Medresenë e Tiranës dhe sistemin arsimor të Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, duke theksuar se “dekorata e lartë që unë në cilësinë e Presidentit të Republikës po i akordoj kësaj shkolle është ndoshta një nderim i vonuar shtetëror dhe institucional ndaj kësaj vatre të arsimit shqiptar të shekullit XX.
Ishte pikërisht kjo shkollë e mesme e fesë islame e ngritur në Tiranë, e cila duke u bërë pjesë e arsimit tonë kombëtar përgatiti për katër dhjetëvjeçarë të plotë në periudhën 1924-1964 në një nivel të lartë ndërkombëtarë një plejadë teologësh myslimanë, të cilët luajtën një rol parësor në ripërtëritjen e moralit tonë kombëtar.”
