Presidenti Xhorxh Bush shpall luftën me terroristët

redaktor

Tronditja që pësuan Shtetet e Bashkuara me sulmet terroriste të 11 Shtatorit 2001 ishte e paimagjinueshme. Me ato sulme u trondit e gjithë bota. Ato sulme, bashkë me Kullat binjake të Qendrës Botërore të Tregtisë, shembën së paku tre mite: mitin e madhështisë amerikane, mitin e sigurisë dhe mitin e paprekshmërisë amerikane. Prandaj dhe ish-shefi i CIA-s, Xhorxh Tenet, i cili ishte në qendër të kësaj stuhie të përbotshme thotë me të drejtë në mënyrë metaforike se asaj dite i mbaruan orët, por ajo është një ditë që nuk mbaron kurrë. Në këtë pjesë të dytë të rrëfimit të Tenetit, kemi shkëputur përshkrimin që ai i bën atmosferës që mbizotëronte menjëherë pas 11 shtatorit në Shtëpinë e Bardhë dhe në majat më të larta të2 administratës amerikane. Se sa thellw e ka ndier Teneti sulmin e 11 shtatorit, mjafton tw theksojmë kwto fjalw qw ai ia ka shprehur shefit tw shërbimit inteligjent izraelit menjwherw pas ngjarjes: “Ne të gjithë u bëmë izraelitë atë ditë”Si shpërnda mjegulla dhe çoroditja fillestare dhe si u bind Presidenti Bush për të shpallur një nga luftrat më afatgjata të Shteteve të Bashkuara, atë kundër terroristëve të Bin Ladenit dhe gjithë terroristëve ndërkombëtarë. Është interesante të shihet se si ka operuar CIA, Kabineti i Luftës i Shteteve të Bashkuara dhe Shtëpia e Bardhë dhe si u administrua situata e rënduar e atyre ditëve dhe më tej.

 

Përktheu dhe përgatiti për botim: Xhevdet Shehu

 

(Vijon nga numri i kaluar)

 

Telekonferencë me Presidentin Bush

Unë dhe stafi im e lamë shtypshkronjën dhe u kthyem në godinën tonë rreth orës një të mesditës. Rreziku kishte kaluar për atë ditë, sipas mendjes sonë, dhe të gjithë ndiheshim të izoluar në ndërtesat e shtypshkronjës. Një nga punonjësit e lartë të stafit tim më tha më vonë se jo shumë kohë para se të largoheshim nga shtypshkronja, i kishte thënë një kolegu që sulmet kishin për t’u parë si një dështim i jashtëzakonshëm i shërbimit inteligjent, ndërsa kolegu e kishte parë atë me mosbesim dhe i ishte përgjigjur pak a shumë kështu: “Pse do të jetë ky një dështim i shërbimit inteligjent? Këto gjëra ndodhin. Kjo është një luftë. Kjo është një betejë”. Nuk e di çfarë do të kisha thënë unë në atë moment, sikur e njëjta gjë të më ishte thënë mua. Numri i të vdekurve po ngjitej në mijëra. Tregimi me gisht nga ndonjë tip, drejt nesh apo te dikush tjetër, ishte gjëja më e largët në skutat e mendjes sime. Por diku, mendova, fajësimi kishte filluar tashmë. Ndoshta kjo ishte e pashmangshme. Ndoshta ishte vetëm mënyra e punëve të Uashingtonit.

Ajo pasdite kaloi më së shumti nëpër një mjegullnajë mbledhjesh. Kujtesa historike më tregon se në orën 3.30 të pasdites kishte një telekonferencë, sërish në një linjë të sigurt, me presidentin, i cili kishte zbritur në Air Force Base në Nebraska, ndërkohë që i kishte bishtnuar rrugës së kthimit në Uashington. Presidenti ishte duke folur nga shtabi i nëndheshëm i Komandës Strategjike të Shteteve të Bashkuara.

Më kujtohet kur ai më pyeti se, sipas meje, kush e kishte bërë këtë. Unë i thashë të njëjtën gjë që i kisha thënë zëvendëspresidentit disa orë më përpara: al-Kaeda. I gjithë operacioni dukej, ndihej dhe provohej si i Bin Ladenit, ndërsa lista e udhëtarëve veçse kishte konfirmuar dyshimet tona. Kur i thashë Presidentit në mënyrë të veçantë për al-Midharin dhe al-Hazmin, ai i kishte lëshuar Majk Morelit një nga ato: ”Unë mendova se do të isha i pari që do ta dija”. Majku i bëri një telefonatë të zemëruar ndihmësit tim ekzekutiv, Ted Gistaros, i cili ishte për të dytën ditë në punë, duke i kërkuar të shihte pikat e bisedës që unë kisha përgatitur për qarkullim. “Nuk mundem”, i tha Tedi atij. “Ato janë në embargo”. “Embargo ndaj Presidentit të Shteteve të Bashkuara?” ia kishte kthyer Majku. Ishte kjo një nga ato përplasjet e vogla që ndodhin kur të gjithë punojnë nën një stres të madh. Pak kohë më parë Majku ishte në gjendje të kalonte çfarëdo informacioni që ne kishim për Presidentin nëpërmjet Andi Kardit. Atë pasdite në pikat e bisedave të mia ishte edhe një paralajmërim që kishim marrë nga shërbimi inteligjent francez, i cili thoshte se një tjetër grup terroristësh ishte brenda kufijve të Shteteve të Bashkuara dhe ishte duke u përgatitur për një valë të dytë sulmesh.

 

Takim në bunkerin e Shtëpisë së Bardhë

Gjatë gjithë telekonferencës, Presidenti ishte i përqendruar, i vetëpërmbajtur. Takimi ballë për ballë i asaj mbrëmjeje me të më shërbeu vetëm për të konfirmuar përshtypjen time të parë. Në kohën që unë mbërrita atje, diku pas orës nëntë, Shtëpia e Bardhë ishte një fortesë e armatosur. Megjithatë, unë isha tepër i zënë me leximin e përmbledhjeve të shtypit për të dalluar se çfarë mbrojtje shtesë ishte bërë. Makina ime u vendos në një vend parkimi, ndërsa Shërbimi Sekret më shoqëroi nëpër një korridor të gjatë dhe të ndërlikuar, që të çonte te një bunker, një vend që unë nuk e kisha vizituar kurrë më përpara dhe ku nuk do të shkoja kurrë ndonjë herë tjetër. Atje ishin Presidenti dhe Zëvendëspresidenti, tok me Dik Klarkun, Kondi Rajsin, Kolin Pauellin, Don Ramsfelldin, kryetarin e Shefave të Përbashkët Gjeneral lejtnant Hugh Shelton, si dhe disa të tjerë, përfshi Llajn Çenej dhe Laura Bush.

E mora me mend se “bunkeri” kishte në pjesën mbitokësore fortifikime me thasë me rërë dhe artileri. Ky nuk ishte i saj. Bunkeri i Shtëpisë së Bardhë ishte pak a shumë një imitim i Sallës së Situatave – por në sallë ishte një ndjenjë e qartë luftarake dhe, atë ditë, me shumë emocion të gjallë në një vend që nuk e kisha parë asnjëherë në jetën time: zemërim se si kishte mundur të ndodhte kjo, tronditje nga ajo që kishte ndodhur, dhimbje të thellë për të vdekurit, një ndjenjë detyrimi urgjente që ne duhej t’i përgjigjeshim dhe ta bënim sa më shpejt, si dhe një ndjenjë të vashdueshme frike për atë që mund të shtrihej përpara. Al-Kaeda e kishte bërë të sajën atë ditë, ose ne kështu besonim, por shumë të dhëna të shërbimit inteligjent tregonin se ky ishte akti i fillimit të një vazhdimësie shumëditëshe. Edhe në këtë moment të fillimit, kishte një frikë në rritje – atë që do të përhapej në ditët e ardhshme me mbërritjen e raporteve të reja – se terroristët kishin, në mënyrë sekrete brenda Shteteve të Bashkuara, një armë të shkatërrimit në masë dhe ishin përgatitur ta shkrepnin atë.

Në orën 8.30 atë mbrëmje, duke folur nga Zyra Ovale, presidenti iu drejtua kombit me fjalë sa energjike aq dhe tejet serioze, përfshi edhe shqiptimin për herë të parë të asaj që do të bëhej e njohur si Doktrina Bush. “Unë iu jam drejtuar të gjitha burimeve të shërbimit tonë inteligjent dhe bashkësive të detyrimit ligjor për të gjetur përgjegjësit dhe për t’i sjellë përpara drejtësisë”, i tha ai një audience globale prej rreth tetëdhjetë milionë njerëzish. “Ne nuk do të bëjmë dallim midis terroristëve që kryen këto akte dhe atyre që i strehojnë ata”. Për ne në CIA, doktrina e re donte të thoshte se ishte larguar më në fund vetëpërmbajtja. Ne, tashmë, kishim në sirtaret tona planin për të ndjekur si al-Kaedën dhe mbrojtësit e saj, talebanët, në Afganistan. Tani ne mund të fillonim ta zbatonim atë. Midis trishtimit të asaj dite, kuptuam se, më në fund, do të jepej autorizimi dhe burimet për të bërë punën, të cilën ne e dinim si bëhej.

Pas fjalimit në Zyrën Ovale, presidenti zhvilloi një takim me krejt Këshillin Kombëtar të Sigurisë, në të njëjtin bunker. Tani ai ishte shndërruar papritmas në një kabinet lufte. Disa orë më përpara nga Peruja, Kolin Pauelli fliste për problemin me një gjuhë diplomatike: Ne do t’ia bëjmë të qartë si Pakistanit, ashtu dhe Afganistanit se ka ikur koha e të folurit me dy kuptime. Unë isha ndoshta më shumë i prirur përpara: Po, ne na duhej ndihma e Pakistanit; ai ishte vendi më i afërt me Afganistanin dhe një nga vendet me më shumë ndikim mbi të. Por koha e bisedimeve me talebanët kishte ardhur e kishte shkuar. Për të shkuar pas Bin Ladenit dhe ushtrisë së tij në errësirë, ne duhej të hiqnim perden pas së cilës fshiheshin ata. Presidenti tha se ne duhej t’i detyronim vendet të zgjidhnin. Zëvendëspresidenti e shihte të arsyeshme të goditeshin në Afganistan objekteve që ia vlenin. Por ajo që unë mbaj mend më shumë se çdo gjë tjetër nga ajo mbledhje ishte sjellja e presidentit, jo fjalët e tij. Ai ishte plotësisht në detyrë, i vendosur, i drejtpërdrejtë. Ai theksoi urgjencën e momentit, ndërsa e bëri të qartë, me fjalë dhe me shembull, atë çfarë priste nga ne, për të menduar se si do të përgjigjeshim.

Nuk ka dyshim se 11 Shtatori, apo 9/11 sikurse njihet botërisht, ishte momenti elektrizues për presidencën e Bushit. Kjo datë e transformoi atë në atë mënyrë që unë nuk e mendoj se ndonjë nga ne mund ta parashikonte tërësisht. Udhëheqja e tij në muajt që erdhën më pas pësoi një ndryshim të jashtëzakonshëm.

 

Një ditë që nuk mbaron kurrë

Stafi im kryesor ishte duke më pritur, kur unë u ktheva në Langlej atë mbrëmje. Regjistri zyrtar i programit tim për atë ditë mbaron në orën 11.00 të natës, por mendoj se kjo do të thotë se Doti Hansoni më në fund shkoi në shtëpi në atë orë. Më kujtohet se unë e lashë godinën e Agjencisë rreth orës një të mëngjesit, por jo më shumë se për një dremitje, një dush dhe një ndërrim të teshave. Do të kthehesha në Shtëpinë e Bardhë të nesërmen në mëngjes. Ndonëse një ditë si 11 Shtatori, në të vërtetë, nuk mbaron kurrë, me përjashtim të orëve të saj.

Xhon Meklaflin, Xhim Paviti, Kofer Blleku dhe unë bisedonim shpesh në muajt e parë pas sulmeve, mbi jehonën emocionale që sulmet kishin lënë mbi punonjësit tanë. Gjithkush ishte duke punuar jashtë orarit; gjithkush ishte i tendosur. Ne po prisnim dhe po përgatiteshim për një reagim emocional, sidomos për pjesën e njerëzve të Koferit në Qendrën e Kundërterrorizmit. Gjithsesi, puna zinte punën dhe ai moment nuk erdhi asnjëherë. Në njëfarë mënyre, unë me kalimin e kohës ndjeva se më kishin shterrur emocionet. Ato i ndjeva një ditë pas Ditës së Falënderimeve.

… Ajo e premte ishte e para ditë që ndihesha mirë, prej më shumë se dy muajsh, që nga fundjava përpara sulmeve. Kisha konsumuar çdo rezervë adrenaline në ecje e sipër. Dikur, gjatë kohës së lirë të mëngjesit, shkova para shtëpisë sonë dhe u ula në stolin tim të preferuar Andirondak dhe u përhumba. Cilido që të ishte ngacmimi, të gjitha gjërat erdhën e ranë mbi mua në atë moment. Mendova për gjithë njerëzit që kishin vdekur dhe për ato që ne kishim përjetuar prej disa muajsh. Si mund të kishte ndodhur kjo në emër të Zotit? kujtoj se pyeta veten. Si mund të kisha qenë unë në ferr, në majë të gjithë kësaj? Çfarë jam duke bërë këtu? Pse unë? Pse jam duke jetuar përmes kësaj? Pyetjet përplaseshin me njëra-tjetrën në kokën time. Stefania mbërriti aty në atë kohë. Unë kisha qenë krejtësisht i vetëm deri në atë moment, me përjashtim të grupit të sigurisë që këqyrte shtëpinë nga rruga, dhe duke menduar kushedi se çë. Më kujtohet Stefania që më tha: “Ty të duket sikur je këtu. Kjo ndodh sepse ti ke qenë duke punuar gjatë gjithë jetës tënde dhe se ke marrë mbi vete të bësh akoma më shumë.” Ajo e bëri këtë. Ajo më nxori nga ajo gjendje, që ishte një kohë e zezë, e zezë deri atëherë.

 

“Ne të gjithë u bëmë izraelitë atë ditë”

E vetmja gjë që shumë njerëzve pothuajse u ka munguar rreth CIA-s dhe 11 Shtatorit, përfshi dhe Komisionin e 11 Shtatorit, aq sa mund të tregoj, është ajo çfarë ishte personale me ne. Lufta kundër terrorizmit ishte ajo që ne bënim; ajo ishte në gjakun tonë. Në muajt dhe vitet para 11 Shtatorit, ne kishim punuar në këtë terren çdo ditë. Për të penguar terroristët, ne përçanim sulmet, ruanim jetën. Ne sakrifikuam jetën tonë, shpesh figurativisht dhe herë-herë në kuptimin e vërtetë të kësaj fjale.

Nëse politikanët dhe shtypi, madje dhe Komisioni 11 Shtatorit, shpesh nuk arritën ta kuptonin këtë, nuk ndodhi kështu me partnerët tanë globalë në punët e shërbimit inteligjent. Ne ishim ende duke serënditur hollësitë e 11 Shtatorit, kur Evi Dichteri, shefi i Shin Bet-it, më telefonoi nga Izraeli për të më shprehur keqardhjen e tij dhe për të thënë se ai dhe njerëzit e tij ishin me ne, pa asnjë dyshim. Kjo nuk ishte një telefonatë burokratike. Evi dhe unë kishim punuar me Arafatin dhe shumë të tjerë, por ajo thirrje telefonike tregonte një lidhje që shkonte shumë përtej çdo gjëje që i kishte paraprirë asaj. Ji i fortë, më tha Evi. Drejto njerëzit e tu. Ai nuk tha se kishte parë qindra nga bashkatdhetarët e vet të vrarë nga terroristët, para syve të tij, ndërsa unë nuk kisha për të shtuar që tashmë e kuptoja ç’donte të thoshte të ishe shef i shërbimit, kur e njëjta gjë ndodhi mbi tokën time. Gjithë ajo ishte e padyshimtë, e fortë ngaqë nuk u tha kurrë. Megjithatë, disa vite më vonë, në regjistrimin e një mesazhi lamtumire për ceremoninë e largimit të Evit, unë shpreha fjalët që i ndjeva aq fort më 11 Shtator: “Ne të gjithë u bëmë izraelitë atë ditë”, i thashë Evit.

Me gjithë sforcimin në udhëtimet ajrore në Shtetet e Bashkuara, më 12 shtator mbërritën britanikët: Sër Riçard Dirlovi, shefi i MI-6; Eliza Maningam-Buller, zëvendësshefe e MI-5; si dhe Dejvid Maning, këshilltar për politikën e jashtme i Kryeministrit Bler. Unë ende nuk e di se si e gjetën hapësirën e lirë për të fluturuar në vendin tonë, por ata erdhën me një aeroplan privat, vetëm për natën, për të shprehur ngushëllimet e tyre dhe për të qenë me ne. Atë natë ne hëngrëm darkë në Langlej, një tregues i marrëdhënieve të veçanta midis dy vendeve tona aq dhe një nga ngjarjet më emocionuese që unë kam përjetuar gjatë shtatë viteve të mia si Drejtor i CIA-s.

Gjestet e mbështetjes vazhdonin të vinin. Mbreti Abdullah dhe Mbretëresha Rania të Jordanisë telefonuan për të shprehur ngushëllimet e tyre. Gjeneral Muhamed Mediene, shefi i shërbimit inteligjent algjerian, ishte në Uashington kur goditi al-Kaeda. Ashtu si Evi Dihteri, ai e njihte nga afër dhimbjen dhe sfidën e terrorizmit, ndaj dhe nuk mund të bënte ndryshe, veçse të shfaqte sa më shumë dinjitet dhe të shprehte së thelli ndjenjat e simpatisë për vuajtjen tonë.

Të gjithë këta njerëz e dinin se sa shumë 11 Shtatori kishte prekur zemrat e secilit prej nesh në CIA. Ata ishin aty; ata ndanin të njëjtin shqetësim me ne; ata e dinin që secili nga mijëra të vdekurit ishte një disfatë personale për ne. Dhe jam i sigurt se ata do ta kenë kuptuar po aq mirë sa kushdo jashtë CIA-s reagimin e shumë njerëzve kundrejt nesh, në orët dhe ditët menjëherë pas sulmit – në nivelet drejtuese dhe midis njerëzve të thjeshtë. Ne do të shkonim t’i shtypnim këta bastardë kudo që ishin, thoshim ne. Ne po shkojmë në ballë dhe çdokush do të na ndjekë. Dhe kjo ishte ajo çfarë kishim ndër mend të bënim.

 

“Ne jemi në luftë”

Më 12 shtator, presidenti kryesoi një mbledhje të Këshillit të Sigurisë Kombëtare dhe theksoi me terma të fortë çfarë kishte thënë në televizion në mbrëmjen e kaluar: ne duam jo vetëm të ndëshkojmë ata që janë pas sulmeve të ditës së djeshme, por të ndjekim terroristët dhe të gjithë ata që i strehojnë, në të gjithë globin.

Ditën tjetër, në Sallën e Situatave të Shtëpisë së Bardhë, unë takova presidentin dhe Kabinetin e Luftës, për herë të parë mbi planin tonë të luftës. “Ne jemi përgatitur të nisim në një kohë të shkurtër një program aksioni të maskuar i cili do të zhvillojë luftë me armikun, veçanërisht me al-Kaedën dhe mbrojtësit e saj talebanë”, i thashë. “Për të bërë këtë, ne do të vendosim një grup paramilitar të CIA-s brenda Afganistanit për të punuar me forcat opozitare, në mënyrë të veçantë me Aleancën Veriore, dhe do të përgatisim terrenin për ndërhyrjen e Forcave Speciale të Shteteve të Bashkuara.” Kjo nuk është e lehtë, i thashë Kabinetit. Vrasja e Ahmed Masudit, më 9 shtator, e kishte lënë Aleancën Veriore pa një figurë të fuqishme dhe të respektuar gjerësisht, por ne, tashmë, kishim teknologjinë në anën tonë dhe një rrjet të shtrirë të burimeve në vend, dhe ne do t’ia dilnim mbanë.

Kofer Blleku më ndoqi me një prezantim në kompjuter, që jepte me hollësi aftësitë tona të aksioneve të maskuara, pozicionimet e menduara e të tjera si këto. Si edhe unë, Koferi e bëri të qartë që ne do të merrnim përsipër të përballonim jo vetëm al-Kaedën, por edhe talebanët. Të dy ishin të pandashëm, po të mos donin vetë talebanët të ndaheshin, gjë që dukej e pamundur, pavarësisht nga përpjekjet tona për të futur një pykë midis tyre. Me pak fjalë, ne do të fillonim, jo vetëm një mision kërkimi dhe shkatërrimi për Bin Ladenin dhe ndihmësit e tij – luftë kundër një armiku që në pjesën më të madhe do të hidhte në erë vetveten para se të kapej. Kjo donte të thoshte viktima në anën e tyre dhe në tonën. Koferi nuk u orvat të parashikonte se sa do të ishte numri i amerikanëve që mund të vriteshin, por ai ia bëri të qartë presidentit që të kuptonte se misioni nuk do të kalonte pa gjak. Bushi i tha se e dinte këtë.

“Sa shpejt mund të dislokojmë ne grupet e CIA-s?” pyeti Presidenti.

“Brenda një kohe të shkurtër”, u përgjigj Koferi.

“Dhe sa shpejt mund t’i thyejmë talebanët dhe al-Kaedën?”

“Punë javësh”, i tha Koferi.

Unë nuk mendoja se ishte e mundur; dhe në fakt nuk ishte. Presidenti shprehu pakënaqësi kur mësoi se Pentagoni nuk kishte një plan të mundshëm në tavolinë për të ndjekur al-Kaedën dhe talebanët. Xhorxh Bushi ecte me njëqind milje në orë që nga ajo kohë, ishte tërësisht i zënë me punë. Nëse nuk ishe në gjendje për ta ndjekur, ai e largonte interesimin nga ti.

Thelbi i asaj që donim të bënim unë dhe Koferi ishte që kjo luftë të zhvillohej nga shërbimi inteligjent, jo thjesht të ishte një demonstrim i fuqisë. Sfida nuk ishte thyerja ushtarakisht e armikut. Sfidë ishte gjetja e armikut. Kur të bëhej kjo, mundja e tij do të ishte e lehtë.

 

Vijon nesër

Nesër do të lexoni:

 

Çfarë ndodhi në kupolën e administratës amerikane në javën e parë pas sulmeve të 11 Shtatorit

Takimi me Kabinetin e Luftës në Kemp Dejvid më 15 shtator dhe si u ra dakord për luftën kundër Al Kaedës

Përpjekjet për ta bindur qeverinë e Kabulit për të dorëzuar Usam Bin Ladenin drejtësisë së Shteteve të Bashkuara

Share This Article
1 Comment
  • Vazhdoni te kontribuoni tek shpelarja e trurit te njerezeve. Kullat i hodhi Bin Laden-i, kete e dime te gjithe mwahahahahahaahahaha!!!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *