Ekskluzive / Dokumentet arkivore të procesit gjyqësor ndaj “puçistëve në ushtri”. Dëshmitë e Nane Kutrës, Nikollaq Sallabandës, Qemal Golikut dhe Ernest Jakovës kundër gjeneralëve
Prokurori Kamani: 7 anëtarët e Komitetit Qendror në ushtri krijuan ‘Komitetin e Vogël Qendror’. Merrnin vendime kundër ligjit pa pyetur Partinë dhe Enver Hoxhën”
Në pretencën kundër ‘Grupit puçist në ushtri’, prokurori Murat Kamani vazhdon me argumentet për krimin ‘Tradhti e lartë ndaj Atdheut’ për gjeneralët Beqir Balluku, Petrit Dume, Hito Çako e Rrahman Parllaku. Referuar pretencës, shoqëruar me pohimet e dëshmitarëve, atribuimet e të pandehurve, gjeneralët e akuzuar jo vetëm e kanë pranuar aktivitetin kriminal në bashkëpunim, por janë vënë në garë kush të sjellë dëshmi më shumë për fajësinë e kolegëve…
(Vijon nga numri i kaluar)
Murat Kamani(Prokuror): -Shokë gjyqtarë, vazhdojmë me pretencën!
Drejtoria Politike e ushtrisë, duke qenë Drejtori e Komitetit Qendror të Partisë kishte detyrë të siguronte vënien në jetë të vendimeve, direktivave dhe orientimeve të Partisë dhe të kontrollonte zbatimin e tyre në ushtri. Por ajo, si rezultat i veprimtarisë armiqësore të të pandehurve, e humbi karakterin dhe qëllimin e saj, u shndërrua nga komplotistët në një drejtori si të gjitha drejtoritë e tjera në Ministrinë e Mbrojtjes, ajo u largua nga Komiteti Qendror dhe u vu në vartësinë e tyre. Ajo, duke pasur në krye tradhtarin Hito Çako, gradualisht po largohej nga detyrat e saj funksionale duke u vënë nën urdhrat e tradhtarit Beqir Balluku.
DËSHMI E TË PANDEHURIT BALLUKU
“Në urdhrat që kam lëshuar, kam vënë detyra për Drejtorinë Politike. Atë e kam vënë në rang të barabartë me drejtoritë e tjera në Ministri. Kam kërkuar që Drejtoria Politike të më raportonte mua dhe raportet që dërgonte në Komitetin Qendror të m’i jepte më parë mua dhe Petrit Dumes për t’i parë. Unë kam kërkuar që këto raporte t’i shikonte edhe Kolegjiumi i Ministrisë. Ky është një sabotim i vijës së Partisë, nënshtrim i Partisë nga Komanda”. (Procesverbali i gjyqit, faqe 67-68)
DËSHMI TË TJERA
Nane Kutra(Dëshmitar): “Beqir Balluku dhe Petrit Dumja, Drejtorinë Politike e quanin si drejtoritë e tjera. Hito Çako, në këtë drejtim ishte i gatshëm që dhe në stërvitje, ta kthente Drejtorinë Politike pjesë të saj.
Hamza Malaj: “Hito Çako, mbledhjet e Drejtorisë Politike i kthente në mbledhje shtabi dhe nuk lejonte asnjë të kundërshtonte mendimet e tij”.
Rrahman Parllaku(i pandehur): “Hito Çako ka zbatuar mendimin unik dhe Drejtorinë Politike ja ka nënshtruar me ndërgjegje urdhrave të Beqir Ballukut dhe Petrit Dumes…”
Hito Çako(I pandehur): “Beqir Balluku më ka thënë se në radhë të parë, të gjithë problemet që do të dalin nga Partia në ushtri, do më raportosh mua dhe ato që zgjidhim bashkë, le të mbeten deri tek ne. Komitetit Qendror të Partisë do t’i raportosh ato gjëra që do shikojmë bashkë.
Të gjithë dëshmitarët dhe të pandehurit si në hetuesi, ashtu edhe para gjykatës kanë shpjeguar se në raportet dhe materialet që i dërgoheshin Komitetit Qendror të Partisë nga Drejtoria Politike, nuk thuhej e vërteta. Ja dhe një fakt:
Hito Çako, me shkresën 28/8/1972 i dërgon letër Beqir Ballukut e Petrit Dumes raportin që do t’i paraqitej Komitetit Qendror nga ish-Drejtoria Politike mbi punën e bërë në ushtri për zbatimin e fjalës së shokut Enver Hoxha në Plenumin e Komitetit të Partisë në Mat dhe këta falsifikatorë, me qëllime të caktuara, bëjnë shënimin e japin porosi se si të zbukurohej dhe të mos paraqitej gjendja reale. Kështu kanë vepruar këta sabotatorë dhe për raportet e informacionit për përgatitjen luftarake e sektorë të tjerë të jetës në ushtri… Ja pohimet e bëra në gjyq:
Nikollaq Sallabanda(Dëshmitar): “Udhëheqjes së Partisë dhe të shtetit nuk i jepej realiteti, por ajo(udhëheqja) mbahej e izoluar. Në raportin që përgatita për Këshillin e Mbrojtjes për gjendjen e përgatitjes luftarake në ushtri, është nga rastet më të rënda… Ky material, për 3-4 herë m’u kthye nga Beqir Balluku e Petrit Dume. Ata e përpunuan dhe pastaj e kishin nisur. Pasi e kishin nisur, unë e pashë se gjendja ishte zbukuruar dhe nuk paraqiste të vërtetën”.
Beqir Balluku (Në ballafaqim me Petrit Dumen): “Dua të shtoj se si unë, Petrit Dume e Hito Çako kemi mashtruar në informacionet që i bënim udhëheqjes. Në këtë mënyrë, kemi bërë që veprimtaria jonë të mbetet e panjohur”
Shoku kryetar(Aranit Çela) e gjyqtarë!
Për të realizuar më mirë qëllimet e tyre puçiste, këta komplotistë e veglat e tyre ngrinin në qiell kultin e tyre. Ata e quanin Beqir Ballukun ‘teoricien i madh’, Petrit Dumen ‘një ushtarak i madh dhe burrë shteti’, Hito Çakon si ‘filozof e ushtarak i madh’, Rrahman Parllakun si ‘ushtarak i madh që i rri në kokë të ushtrisë’… Sinjifikative janë thëniet e dëshmitarëve Qemal Goliku, Hamza Malaj, Vaskë Gjino dhe Hetem Halili, të cilët në dëshmitë e tyre treguan mënyrën se si vepronin të pandehurit për të ndaluar sa të ishte e mundur komunistët dhe kuadrot që të komunikonin me Komitetin Qendror të Partisë…
Në këtë forum të quajtur nga të pandehurit si ‘Komiteti Qendror i Vogël’, merrnin pjesë 7 ish-anëtarë të Komitetit Qendror të Partisë në Ministrinë e Mbrojtjes. Në këto mbledhje që zhvilloheshin rregullisht, me rend dite të caktuar, përveç diskutimeve, merreshin edhe vendime e caktoheshin detyra për çështje që i përkisnin kompetencës së Komitetit Qendror, Këshillit të Mbrojtjes, Qeverisë e Komandantit të Përgjithshëm. Ja deponimet e të akuzuarve për këtë çështje:
Beqir Balluku: -Këto mbledhje kanë formën e një forumi, janë zhvilluar në ilegalitet dhe kanë pasur qëllime armiqësore. Kjo është veprimtari e përbashkët, por përgjegjësinë kryesore e mbaj unë dhe gjithë të tjerët.
Hito Çako: -Krijimi i të ashtuquajturit ‘Komitet Qendror i Vogël’ u bë me qëllim që të izolonim sa më shumë Komitetin Qendror të Partisë së Punës të Shqipërisë nga njohja dhe drejtimi i gjendjes në ushtri.
Petrit Dume: -Nga njëra anë, ne anëtarët e Komitetit Qendror të Partisë që punonim në ushtri, siç kemi vepruar praktikisht, ishim një ‘Plenum i Vogël’ dhe Drejtoria Politike ishte një ‘aparat i vogël’ i këtij plenumi…
Shokë gjyqtarë!
Të pandehurit Beqir Balluku, Petrit Dume, Hito Çako e Rrahman Parllaku sabotuan kriteret dhe normat e Partisë me kuadrin, zbatuan një politikë personale me të dhe krijuan privilegje të jashtëzakonshme për një kastë të caktuar ushtarakësh. Ja çfarë kanë deponuar të pandehurit dhe dëshmitarët për këtë drejtim:
Beqir Balluku: -Ne shkelëm normat e Partisë në punën me kuadrot dhe bëmë politikë personale, krijuam privilegje për kuadrot e larta, të cilët janë konsideruar nga ne si kuadro të afirmuar dhe nuk kishte nevojë të pyetej dhe të merrej mendimi i organizatës bazë (Faqe 115, dosja nr. 2).
Qemal Gjoliku: -Petrit Dume dhe Hito Çako i merrnin nëpër këmbë rregullat dhe normat e vendosura nga Partia për çështjen e kuadrit. Në një rast, kur unë i thashë Hito Çakos që na lini t’i studiojmë në organizatë dhe në Komitetin e Partisë pastaj t’i dërgojmë karakteristikat e 7-8 oficerëve që kishte dhënë urdhër Petrit Dume. Hito Çako na tha: “I lini këto, por zbatoni urdhrin e Shefit të Shtabit të Përgjithshëm dhe dërgoni menjëherë karakteristikat!” Unë përsëri i thashë se kjo mënyrë nuk më duket e drejtë. Hito Çako më tha: “Bëni kështu si u them unë se ne i dimë më mirë se ju rregullat.”
Rrahman Parllaku(Në ballafaqim me B. Ballukun): -Beqir Balluku ka aplikuar një politikë personale për kuadrin. Secili nga ana e vet është përpjekur të verë në funksione ato kuadro që u përshtateshin huqeve të thyer. Ata kërkonin të krijonin një rreth kuadrosh që do të përdoreshin në momentin përfundimtar të puçit…”
Hito Çako: -Si rezultat i njohjes personale, kam transferuar në Tiranë një numër kuadrosh ushtarakë… Për hakmarrje, nuk kam aprovuar propozimet e Komitetit të Partisë për ngritjen në përgjegjësi të disa kuadrove.
Shokë gjyqtarë!
Këta të pandehur futën në radhët e ushtrisë elementë me prejardhje politike të keqe, njerëz të deklasuar, të dënuar, njerëz me qëndrim moral jo të mirë, njerëz të afër dhe të njohur të tyre. Kështu ka vepruar i pandehuri Beqir Balluku që në radhët e ushtrisë futi elementë të tillë si Ali Ohri, oficer i fashizmit dhe i dënuar për punë armiqësore, Hamza Kazazin, djalin e kriminelit Jup Kazazi, Irfan Moravën që ka qenë i dënuar dhe së fundi u dënua përsëri për krime kundër shtetit. Po kështu, Hito Çako ka dhënë urdhër për kompletimin e shkollave ushtarake me elementë të njohur për të dhe të pa kontrolluar nga ana biografike…”
Këta armiq kanë sabotuar kudo dhe sa kanë mundur masat që ka marrë Partia me Letrën e Hapur të Komitetit Qendror për revolucionarizimin e mëtejshëm të ushtrisë dhe zbatimin e vijës së masave… Ja deponimet dhe dëshmitë për këtë vepër armiqësore:
Beqir Balluku: -Nga ne, vija e masave u mbyt, u kompromentua, ajo u zbatua në atë rrugë që solli amullinë, shthurjen, u kthye në një fenomen negativ. Ky ishte një sabotim i madh që ne i bëmë vijës së Partisë dhe në këtë drejtim ne ecëm në ata binarë që ecnin revizionistët sovjetikë…
Hito Çako: -Në bisedat e diskutimet që ne bënim me Beqir Ballukun e Petrit Dumen, ata janë shprehur: “Na hëngrët me vijën e masave, masat duhet të zbatojnë urdhrat e komandave!”
Shokë gjyqtarë!
Qëndrim të hapur dhe armiqësor kanë mbajtur të pandehurit armiq Beqir Balluku, Petrit Dume, Hito Çako e Rrahman Parllaku për heqjen e gradave në ushtri si dhe për realizimin e planit të tyre armiqësor, marrjen e pushtetit, kanë sabotuar e bashkërenduar punën për sabotimin e mbrojtjes së vendit, duke përgatitur fshehtas e aplikuar në ushtri Antitezat… Ja deponimet e tyre për këtë veprimtari armiqësore:
Petrit Dume: -Mua dhe kuadrove të tjera na qante zemra për gradat… Edhe pas heqjes së gradave, hierarkia na shoqëroi në stilin dhe metodën tonë të punës.
Hito Çako: -Kam pasur rezerva lidhur me heqjen e gradave. Mendoja se heqja e gradave do të sillte dobësimin e autoritetit të komandave. Petrit Dume ishte kundërshtari më i madh”.
Beqir Balluku: -Materiali(Antitezat) i përgatitur nga ne, është një kundërvënie e hapur ndaj Tezave të Këshillit të Mbrojtjes, është një revizionim që u bëhet tezave, një veprim i hapët armiqësor. Ajo që thuhet në antiteza çonte në mënyrë të paevitueshme në prishjen e autoritetit të vijës së Partisë. Ky është një falsifikim i plotë, një krim trockist, revizionist…
Petrit Dume: -Kjo veprimtari ka pasur për qëllim dobësimin e sistemit tonë të mbrojtjes, të shuajë frontin e rregullt të luftimit, duke kapitulluar që në goditjen e parë para armikut”.
Hito Çako: -Me pasojat që kanë ardhur, nga këto veprime të kryera nga ne në mënyrë të organizuar, ka ardhur sabotimi i vijës ushtarake të partisë për mbrojtjen e vendit…”
Ernest Jakova(Dëshmitar): -I pandehuri Petrit Dume është vënë në dijeni që në Pogradec për punën që bëhej për përpilimin e materialit të parë antitezë… (Vijon nesër)
Përgatiti për botim: Kujtim Boriçi
NESËR DO TË LEXONI:
-Pretenca(në vazhdim) e prokurorit Murat Kamani për të pandehurit Beqir Balluku, Petrit Dume, Hito Çako e Rrahman Parllaku, të akuzuar për ‘Tradhti të lartë ndaj Atdheut’. Si deponuan gjeneralët kundër njëri-tjetrit.
-Dëshmitë e oficerit madhor Vaskë Gjino kundër gjeneralëve të akuzuar lidhur me sabotimet në fushën ushtarake, fortifikimit të vendit dhe përgatitjen e forcave rezerviste për mbrojtje.
-Akuzat që pranuan vetë gjeneralët për veprimtarinë e tyre ‘armiqësore’ në dëm të mbrojtjes dhe interesave të vendit dhe për çfarë akuzuan njeri-tjetrin.
Kush e pergatiti nga Sekretarjati i KQPPSH këtë kasaphanë kuadrosh,duke nxjerrë në skene të ashtuquajturin KQ të vogel në ushtri?Kush ishte Sekretari i KQ të PPSH që kishte ideologjinë?Përse duheshin eleminuar këta kuadro,kur në të vertet nuk kanë berë asnje krim kundër atdheut,as Det nuk kanë shitur dhe as ushtri e armatim nuk kanë shkaterruar?Kanë berë vetem mbledhje dhe folur si mendonin,duke denoncuar më pas vetveten dhe njeri tjetrin për…mbledhjet e rregullta që kanë bërë,në ushtri,ndonjehere duke mos informuar…Kë?Sipas hierarkisë moniste Sekretarin ideologjik të KQPPSH i cili i varrosi realisht me egerfinë më të madhe…Kush ishte ky?Cfarë i percillte në të vertet diktatorit që flitet se ishte i semure me parainfrakt dhe i kapur me dinakëri nga Banda e Veriut,agjenturë serbe në Tirane,per të frenuar Lirinë e Kosoves!Kosovaret kur të kujtonin vëllezrit shqiptarë,të perqafonin Titon dhe lavderonin Rankovicin!Tani kuptohet maskara ndaj kuadrove të lartë të ushtrise,perse është bërë dhe kush e beri!Eshtë ai që na pruri në pushtet Berishën!Perse Berishën?Nuk kishte të tjerë?Historia gjer tani ka treguar vetem majën e Ajzbergut të Bandes se Veriut,agjenture kriminale e UDB ne Tirane!
Drejtoria Politike me ligj ishte nje drejtori e Ministrise se Mbrojtjes, qe merrej me edukimin politik e moral te kuadrove the ushtareve, ashtu sic Drejtoria e Stervitjes merrej me edukimin teknik e luftark, si te tilla ato duhej te pergjigjeshin para ministrit. Drejtoria Politike nuk ishte nje agjensi hetimi e Komitetit Qendror ne ushtri. Ketu jo vetem qe s’kemi te bejme me krim, por nuk kemi te bejme as edhe me nje shkelje admistrative.
I ashtuquajturi ” Komitet i Vogel Qendor” duhej te ndeshkohej me mase Partie, sepse perbente nje shkelje partiake, megjithese ata mblidheshin me qellimin e mire per te forcuar rolin e Partise ne Ushtri e jo per te komplotuar besoj une.
Pralla me mbret te prokurorit dhe me pas te gjykates qe duhet te ruanin vendin e punes. Ku qendron tradhetia? Pune ne formen qe e kane vleresuar ata vete gjithmone per te permbushur detyren edukim patriotik i ushtrise per te mbrojtur Atdheun! Kush lexoi nje qellim te dyte? Asnjeri. Perfundimi ne plumb. Faj! Eshte vene ne pune Ohri per repartet e kavalerise qe qenka marre me kete pune edhe per ushtrine e Mbretit! Skandal. Edhe vete ai ( Enveri ) ka punuar per mbretin,konsull, mesues etj ure! Edhe vete mbreti ka punuar per vehten por ne kete menyre edhe per vendin e tij. Po te shikosh kohen, nivelin etj, pervec heqies se shulave dhe largimit nga vendi ne ate kohe te keqe per popullin e tij, kur kishte marre detyra persiper, me Kushtetuten qe kishte bere vehte, une mendoj se ka punuar mire. Kongresi i Permetit i dha ate qe e meritonte.
U zgjata, per mua, ky gjyq nuk eshte gjyq! Ishte instaluar ngavash diktatura dhe nuk dilje dot jashte se te vrisnin! Keshtu e hengren nje e nga nje. Jashte pergjegjesise, sado e vogel, nuk shpeton kerkush. Historia duhet shkrojtur me ndershmeri. Por per te mbajtur privilegje duhet punuar pa vjedhur dhe vetem perpara. Marrja me te shkuaren nga politika eshte e demshme dhe mendoj,sic thashe, qe as nje nuk shpeton pa gje. Historjanet e kane detyre!