Ekskluzive / Gjyqi kundër Koçi Xoxes, seanca e mbrojtjes së fundit. Pse refuzoi Koçi Xoxe paraqitjen në seancë, vendimi i Trupit Gjykues dhe sjellja me forcë e tij në sallë. Masa e dënimit që Prokurori i kërkoi gjykatës për pesë të pandehurit
Akuza i kërkoi gjykatës 20 vite burg për Pandi Kriston, 15 vite burg për Vaskë Kolecin, 12 vite burg për Nuri Hutën dhe 7 vite burg për Vango Mitrojorgjin. Xoxe, në shenjë proteste ndaj Prokurorit, Trupit Gjykues dhe avokatëve refuzon ardhjen në seancë, sillet me dhunë.
(Vijon nga numri i kaluar)
Në seancën e XII-të të gjyqit prokurori Bedri Spahiu jep pretencën për Koçi Xoxen e katër të pandehurit e tjerë të akuzuar si armiq e trockistë. Prokurori kërkoi dënim me vdekje me pushkatim për Koçi Xoxen. Gjithashtu, akuza i kërkoi gjykatës 20 vite burg për Pandi Kriston, 15 vite burg për Vaskë Kolecin, 12 vite burg për Nuri Hutën dhe 7 vite burg për Vango Mitrojorgjin. Xoxe, në shenjë proteste ndaj Prokurorit, Trupit Gjykues dhe avokatëve refuzon ardhjen në seancë, sillet me dhunë. Njëkohësisht, ai kërkoi që avokati i tij të mos e bëjë mbrojtjen, po për të njëjtat shkaqe…
Sekretari i Gjykatës: -Komunikojmë njoftimin e mëposhtëm: Akuza publike, me shkresën datë 30.V.1949 njofton se për datën e sotme nuk është gati për të bërë pretencën, prandaj lutet që të shtyhet audienca për datën e nesërme. Prandaj audienca shtyhet kryesisht për datën e nesërme, datë 31.V.1949. Tiranë, më 30.V.1949. (Firmosin: Kryetari dhe Sekretari)
Kryetari(Frederik Nosi):- Sot më datë 31.05.1949, ora 5 pas dreke, çelim seancën gjyqësore kundër grupit trockist dhe armiqve të popullit të kryesuar nga i pandehuri Koçi Xoxe, etj… Trupi gjykues është në formimin e mëparshëm. Gjithashtu edhe akuza publike. Gati janë dhe të pandehurit, duke pasur pranë mbrojtësit e tyre.
(Kryetari pyet në vazhdim akuzën publike, të pandehurit dhe mbrojtësit nëse kishin gjë tjetër për zgjerim të hetimeve. Ata deklaruan se nuk kishin gjë tjetër).
VENDIM
Pasi nuk ka gjë tjetër për zgjerimin e hetimeve deklarohet përfundimi i procedimit dhe i jepet fjala shokut Prokuror që të bëjë pretencën.
Prokurori Bedri Spahiu: (Bën pretencën kundër të akuzuarve).
(Pretencën Prokurori e kishte të shkruar dhe e bën pjesë të pandarë të këtij procesi. Prokurori, duke analizuar një e nga një të gjitha provat, përfundimisht kërkoi që të deklarohet fajësia e të pandehurve dhe dënimet e tyre si vijon: Koçi Xoxe të dënohet me vdekje me pushkatim. Pandi Kristo të dënohet me 20 vite privim lirie me punë të detyruar. Vaskë Koleci të dënohet me 15 vite privim lirie me punë të detyruar. Nuri Huta të dënohet me 12 vite privim lirie me punë të detyruar. Vango Mitrojorgji të dënohet me 7 vite privim lirie me punë të detyruar. Prokurori kërkoi që për gjithë të pandehurit të vendoset konfiskimi i pasurisë së luajtshme dhe të paluajtshme. Kërkoi gjithashtu humbjen e përhershme të së drejtës civile për të pandehurin Koçi Xoxe dhe nga 5 vjet për të pandehurit e tjerë. Prokurori kërkoi që të pandehurit Koçi Xoxe, Vaskë Koleci e Vango Mitrojorgji të dënohen edhe me humbjen e gradës. Për katër të pandehurit, Pandi Kristo, Vaskë Koleci, Nuri Huta dhe Vango Mitrojorgji kërkoi të humbasin të drejtën civile të parashikuar në nenin 37 të Kodit penal gjer në pikën ‘dh’ të këtij neni)
Avokatët(Njëri pas tjetrit): -Kërkojmë që të na jepet një farë kohe për të bërë mbrojtjen e fundit.
VENDIMI
Për të bërë mbrojtjen e fundit avokatët, u akordohet afat dhe për këtë shtyhet audicioni më datën 3.VI.1949, ora 5 pasdreke. Tiranë, më 31.V.1949
(Firmosin Kryetari, dy zëvendësit e tij dhe Sekretari)
Kryetari:- Sot në orën 5 pas dreke të datës 3.VI.1949, çelim audiencën e XII të procesit kundër grupit trockist dhe armiq të popullit. Trupi Gjykues në formimin e mëparshëm. Gjithashtu edhe akuza publike. Nga të pandehurit gati: Pandi Kristo, Vango Mitrojorgji dhe Nuri Huta.
Prokurori: -I pandehuri Koçi Xoxe ka refuzuar që të paraqitet në gjyq dhe ka refuzuar gjithashtu të lëshojë një deklaratë të shkruar prej tij se refuzon të përgjigjet për mbrojtjen e fundit.
VENDIM
Trupi Gjykues, bashkërisht vendosi që të sillet para gjyqit përdhunisht i pandehuri Koçi Xoxe për të bërë mbrojtjen e fundit dhe nëse nuk do, ta bëjë këtë para trupit gjykues.
(Pas këtij vendimi, seanca u pezullua për 15 minuta deri sa u soll i pandehuri Koçi Xoxe dhe u vu në vendin e posaçëm të të akuzuarve. Kështu rifilloi audienca gjyqësore)
Koçi Xoxe: -Nuk erdha vetë, por më sollën me forcë.
Kryetari(Frederik Nosi): -Trupi gjykues vendosi të të sjellë përdhunisht për të bërë mbrojtjen e fundit dhe nëse refuzon ta bësh, të deklarohesh shprehimisht para gjyqit për këtë.
Koçi Xoxe: -Nuk dua të bëj mbrojtjen, se nuk kam besim tek gjyqi. Nuk kam besim tek avokati dhe se Prokurori ka bërë një pretencë të poshtër dhe false. Avokatin nuk e autorizoj që të flasë në emrin tim.
Kryetari: -Avokati është shënuar kryesisht nga ana e Gjykatës dhe ai do të bëjë mbrojtjen sipas ligjit.
(Pas kësaj, i pandehuri Koçi Xoxe, meqë refuzoi të mbrohet, duke qenë i shoqëruar, u dërgua rishtas në burg)
VENDIM
Duke parë se i pandehuri Koçi Xoxe refuzoi të asistojë në gjyq, për të bërë mbrojtjen e fundit, trupi gjykues, bashkërisht, në mbështetje të nenit 13, paragrafi i dytë të ligjit mbi fajet penale kundër popullit dhe Shtetit, vendosi që të vazhdojë mbrojtjen për të pandehurit e tjerë.
Kryetari: -Avokati S. Stringa, ftoheni të bëni mbrojtjen e fundit për të pandehurin Koçi Xoxe.
Avokati S. Stringa: -Duke marrë parasysh se vetë i pandehuri këtu para gjyqit hoqi dorë nga mbrojtja dhe nuk më lejoi të flas në emrin e tij, e shoh të tepërt që të bëj mbrojtjen e fundit për të.
Prokurori(Bedri Spahiu): -Avokati mbrojtës është shënuar kryesisht nga ana e gjykatës dhe duke bërë mbrojtjen, ai do t’i shërbejë të drejtës.
Kryetari(Frederik Nosi): -I theksoj dhe një herë mbrojtësit Spiro Stringa se është shënuar kryesisht nga ana e Gjykatës dhe prandaj duhet të bëjë mbrojtjen e fundit, qoftë edhe pse i pandehuri refuzoi të mbrohet.
Avokat Spiro Stringa: -Atëherë, Zoti Kryetar, unë po bëj mbrojtjen e fundit që kam përgatitur, duke konsideruar se është vetë i pandehuri prezent.
(Pastaj, avokati Spiro Stringa mori fjalën dhe bëri mbrojtjen e fundit për të pandehurin Koçi Xoxe, të cilën e paraqiti me shkrim dhe kërkoi përfundimisht që gjykata të tregohet e mëshirshme dhe t’i falë jetën. Kjo mbrojtje e shkruar, bëhet pjesë e këtij procesi)
Avokati V. Bidoshi: (Bën mbrojtjen e fundit të të pandehurit Pandi Kristo. Mbrojtjen, avokati në fjalë e paraqiti me të shkruar. Përfundimisht ai kërkon nga gjykata t’i akordojë Pandi Kristos të gjitha lehtësitë ligjore. Kjo mbrojtje bëhet pjesë e këtij procesi)
Avokati Fuat Fico: (Bën mbrojtjen e fundit të të pandehurit Vaskë Koleci. Mbrojtjen, avokati në fjalë e paraqiti me të shkruar. Përfundimisht ai kërkon nga gjykata që në rast dënimi të kihet parasysh dispozita e nenit 60, paragrafi 6 i Kodit Penal. Kjo mbrojtje, bëhet pjesë e këtij procesi)
Avokat Dhimitër Shkurti: (Bën mbrojtjen e fundit për të pandehurin Vango Mitrojorgji. Mbrojtjen, avokati e paraqiti me shkrim. Përfundimisht kërkoi që t’i lehtësohet dënimi eventual në mbështetje të dispozitës së nenit 60, nr 6. Kjo mbrojtje, bëhet pjesë e këtij procesi).
Avokat Kol Dhimitri: (Bën mbrojtjen e fundit për të pandehurin Nuri Huta. Mbrojtjen, avokati e paraqiti me shkrim. Përfundimisht kërkoi që duke marrë parasysh se i përfaqësuari prej tij nuk paraqet ndonjë rrezikshmëri të madhe, të dënohet me minimumin e dënimit që parashikon ligji. Kjo mbrojtje, bëhet pjesë e këtij procesi).
(Vijon nesër)
Përgatiti: Kujtim Boriçi
Dënimet e kërkuara nga Prokurori Spahiu për pesë të pandehurit
1-Koçi Xoxe të dënohet me vdekje me pushkatim, konfiskimin e pasurisë së luajtshme e të paluajtshme dhe humbjen e përhershme të së drejtës civile.
2-Pandi Kristo të dënohet me 20 vite privim lirie me punë të detyruar, konfiskimin e pasurisë së luajtshme e të paluajtshme dhe humbjen e përhershme të së drejtës civile.
3-Vaskë Koleci të dënohet me 15 vite privim lirie me punë të detyruar, konfiskimin e pasurisë së luajtshme e të paluajtshme dhe humbjen e përhershme të së drejtës civile.
4-Nuri Huta të dënohet me 12 vite privim lirie me punë të detyruar, konfiskimin e pasurisë së luajtshme e të paluajtshme dhe humbjen e përhershme të së drejtës civile.
5-Vango Mitrojorgji të dënohet me 7 vite privim lirie me punë të detyruar, konfiskimin e pasurisë së luajtshme e të paluajtshme dhe humbjen e përhershme të së drejtës civile.
NESËR DO TË LEXONI:
-Çfarë kërkuan të pandehurit Koçi Xoxe, Pandi Kristo, Vaskë Koleci, Vango Mitrojorgji e Nuri Huta në seancën e mbrojtjes së fundit para trupit gjykues.
-Mbrojtja e gjatë e të pandehurit Nuri Huta, i cili kërkon lehtësi dënimi duke pranuar fajësinë me argumentin se çdo gjë e ka bërë me urdhër të Koçi Xoxes pa ditur se ajo që bënte ishte në kundërshtim me ligjin.
-Debatet e seancës së XIII-të (datë 4 qershor 1949) mes Prokurorit Bedri Spahiu dhe avokatit Spiro Stringa, mbrojtësin e të pandehurit Koçi Xoxe lidhur me kundërshtitë e mbrojtjes.