Ekskluzive / Dokumentet arkivore të procesit gjyqësor ndaj “puçistëve në ushtri”. Kërkesa e prokurorit Murat Kamani për Gjykatën Speciale Ushtarake të kryesuar nga Aranit Çela për masën e dënimit të gjeneralëve.
Prokurori Murat Kamani: Veçmas e në bashkëpunim, kanë kryer veprimtari të gjatë armiqësore, sabotuese, me qëllim eliminimin e rolit të Partisë së Punës dhe Komandantit të Përgjithshëm Enver Hoxha
Pasi ka sjellë në gjyq provat për akuzën e fundit, atë të sabotimit ekonomik dhe grabitjes së pasurisë ushtarake nga gjeneralët Beqir Balluku, Petrit Dume, Hito Çako e Rrahman Parllaku, prokurori Murat Kamani, i kërkon Gjykatës së Posaçme Ushtarake të kryesuar nga Aranit Çela masën e dënimit për gjeneralët e akuzuar për “Tradhti të lartë ndaj Atdheut”. Akuza kërkon dënim me vdekje për Ballukun, Dumen e Çakon dhe 25 vite heqje lirie për Parllakun…
(Vijon nga numri i kaluar)
Prokurori Murat Kamani: -Shokë gjyqtarë!
Të pandehurit Beqir Balluku, Petrit Dume, Hito Çako e Rrahman Parllaku kanë kryer vjedhje dhe shpërdorime në përpjestime të mëdha të pasurisë ushtarake… Këta pashallarë të rinj, si njerëz të paskrupullt e qelepirxhinj e kanë përdorur pasurinë e popullit brenda dhe jashtë ushtrisë si çifligun e tyre duke shpenzuar mijëra e mijëra lekë për asgjë, për dreka e darka e dëfrime për veten, për rrethin e tyre familjar e atë miqësor, duke pasur si qëllim, veç të tjerave, të njollosin figurën aq të pastër, të dashur dhe të respektuar për partinë e popullin tonë të udhëheqësit dhe të komunistit…
Balluku, Dume e Çako, duke shfrytëzuar postet e larta që atyre u ishin besuar në Parti, në pushtet dhe në ushtri, si kusarë e shpërdorues të regjur, për një kohë të gjatë, vetë apo të shoqëruar nga rrethi i tyre familjar, kanë ngrënë në Shtëpinë e Pushimit në Durrës, Pogradec e Tiranë ushqime pa paguar asnjë lek nga xhepi i tyre duke marrë dhe me vete produkte të ndryshme ushqimore. Ja çfarë ka vjedhur secili prej tyre:
I pandehuri Beqir Balluku: Ka përvetësuar gjithsej 5.171.590 lekë, detajuar si vijon: 30.895 lekë në degën ekonomike të Ministrisë së Mbrojtjes, 1.497 lekë në shtëpinë e Pushimit të Ushtarakëve në Pogradec, 12.810 lekë në Shtëpinë Qendrore të Ushtrisë, 389.840 lekë në klubin sportiv “Partizani” dhe 1.414.360 lekë në Shtëpinë e Pushimit në Durrës.
I pandehuri Petrit Dume: Ka përvetësuar gjithsej 2.831.960 lekë e detajuar si vijon: 726.430 lekë në Shtëpinë e Pushimit në Pogradec, 582.060 lekë në degën ekonomike në Ministrinë e Mbrojtjes, 90.860 lekë në Shtëpinë Qendrore të Ushtrisë nëpërmjet marrjes së librave pa pagesë, 2.732 lekë në klubin sportiv ‘Partizani” dhe 1.159.360 lekë ën Shtëpinë e Pushimit në Durrës,
I pandehuri Hito Çako: ka përvetësuar gjithsej 1.734.840 lekë. Nga këto, 6.346 lekë në degën ekonomike të Ministrisë së Mbrojtjes, 135.260 lekë në Shtëpinë Qendrore të Ushtrisë, 111 lekë në Shtëpinë e Pushimit në Pogradec dhe 98.540 lekë në Shtëpinë e Pushimit Durrës…
KËRKESA E PROKURORIT PËR DËNIME
Shokë gjyqtarë!
Pas analizës së provave dhe pas paraqitjes së krimeve dhe të akuzave që rëndojnë mbi grupin armik e anti-parti të komplotistëve në ushtri të kryesuar nga Beqir Balluku dhe me bashkëpunëtorë kryesorë Petrit Dumen, Hito Çakon e Rrahman Parllakun, më del për detyrë që duke mbajtur parasysh rrezikshmërinë e krimeve të kryera prej tyre, synimet dhe qëllimet që ka ndjekur tërë kjo veprimtari komplotuese dhe puçiste, duke pasur parasysh gjerësinë e aktivitetit kriminal që paraqet vepra e tyre, rrethin e personave të përfshirë në këtë veprimtari, rolin që kanë luajtur të gjithë të pandehurit në organizimin e komplotit, personalitetin dhe individualizmin për sejcilin, si dhe pasojat që i kanë ardhur Partisë dhe shtetit tonë, të bëj kërkimet përfundimtare rreth kësaj çështje si dhe dënimet që duhen aplikuar për seicilin prej të pandehurve.
E theksoj dhe e përsëris edhe një herë se në vargun e tërë punës armiqësore të zhvilluar gjer tani kundër vendit tonë, veprimtaria armiqësore, tradhtare, sabotuese dhe komplotiste e të pandehurve Beqir Balluku, Petrit Dume, Hito Çako e Rrahman parllaku paraqet rrezikshmëri të madhe. Asnjëherë ndaj vendit tonë, ndaj lirisë dhe pavarësisë sonë nuk është ndërmarrë një veprimtari kaq armiqësore ku u pleksën në një të vetme banditizmi i Beqir Ballukut, revizionizmi i Hito Çakos, bonopartizmi i Petrit Dumes dhe karrierizmi i Rrahman Parllakut. Dhe të gjitha këto së bashku i ka secili prej tyre. Ata të gjithë ishin një grup puçistësh i organizuar me qëllimin e detyrës së caktuar për të përmbysur pushtetin e popullit në vendin tonë… Kryesori në këtë komplot ishte Beqir Balluku, ndërsa bashkëpunëtorët më të afërt ishin Petrit Dume, Hito Çako e Rrahman Parllaku…
Vendimi që ju do të jepni le të jetë një shprehje e vullnetit dhe dëshirës së popullit e njëkohësisht një mësim tjetër për të gjithë armiqtë tanë… Vendimi juaj të shërbejë si një shembull për cilin do që do të guxojë të ngrejë dorë kundër atdheut tonë socialist. Prandaj, për të gjitha këto arsye dhe në bazë të shkallës së fajeve shumë të rënda që ata kanë kryer, tradhtisë së lartë ndaj atdheut, duke shprehur edhe dëshirën e masave tona punonjëse që me të drejtë janë shumë të indinjuara për këtë veprimtari armiqësore, vendimi juaj duhet të jetë i ashpër ndaj të gjithë të pandehurve që po gjykojmë.
Përfundimisht, duke i gjetur akuzat në ngarkim të të pandehurve plotësisht të vërtetuara, kërkoj që pasi të deklarohen fajtorë sipas krimeve që përmbahen në akt-akuzë, të dënohen:
1-I pandehuri Beqir Balluku, të deklarohet fajtor për krimet e parashikuara nga nenet 54, 72, 73/II në kombinim me nenin 76 të Kodit penal si dhe nga nenet 80 e 323/II të Kodit penal dhe të dënohet:
a-Për krimin e tradhtisë ndaj atdheut që parashikohet nga neni 64 i Kodit penal, me vdekje dhe me konfiskim të pasurisë, me heqjen e titujve të nderit e dekoratave.
b-Për krimin e sabotimit që parashikohet nga neni 72 i Kodit Penal të dënohet me vdekje, me konfiskimin e pasurisë dhe me heqjen e titujve të nderit e të dekoratave.
c-Për krimin e agjitacionit e të propagandës kundër pushtetit popullor, i parashikuar nga neni 73/2 i Kodit penal të dënohet me vdekje dhe me heqjen e titujve të nderit e dekoratave.
Ç-Për krimin e përvetësimit të pasurisë socialiste në përpjesëtime të mëdha që parashikohet nga neni 80/1 i Kodit penal, të dënohet me vdekje.
d-Për krimin e shpërdorimit të pozitës zyrtare nga e cila kanë ardhur pasoja veçanërisht të rënda që parashikohen nga neni 323/2 të kodit penal të dënohet me 20 vjet heqje të lirisë.
Përfundimisht, duke bërë bashkimin e krimeve sipas nenit 48 të kodit penal të dënohet me vdekje, me konfiskim të pasurisë dhe me heqjen e titujve të nderit e të dekoratave.
2-I pandehuri Petrit Dume, të deklarohet fajtor për krimet e parashikuara nga nenet 54, 72, 73/II në kombinim me nenin 76 të Kodit penal si dhe nga nenet 80 e 323/II të Kodit penal dhe të dënohet:
a-Për krimin e tradhtisë ndaj atdheut që parashikohet nga neni 64 i Kodit penal, me vdekje dhe me konfiskim të pasurisë, me heqjen e titujve të nderit e dekoratave.
b-Për krimin e sabotimit që parashikohet nga neni 72 i Kodit Penal të dënohet me vdekje, me konfiskimin e pasurisë dhe me heqjen e titujve të nderit e të dekoratave.
c-Për krimin e agjitacionit e të propagandës kundër pushtetit popullor, i parashikuar nga neni 73/2 i Kodit penal të dënohet me vdekje dhe me heqjen e titujve të nderit e dekoratave.
Ç-Për krimin e përvetësimit të pasurisë socialiste në përpjesëtime të mëdha që parashikohet nga neni 80/1 i Kodit penal, 25 vjet heqje lirie.
d-Për krimin e shpërdorimit të pozitës zyrtare nga e cila kanë ardhur pasoja veçanërisht të rënda që parashikohen nga neni 323/2 të kodit penal të dënohet me 15 vjet heqje të lirisë.
Përfundimisht, duke bërë bashkimin e krimeve sipas nenit 48 të kodit penal të dënohet me vdekje, me konfiskim të pasurisë dhe me heqjen e titujve të nderit e të dekoratave.
3-I pandehuri Hito Çako, të deklarohet fajtor për krimet e parashikuara nga nenet 54, 72, 73/II në kombinim me nenin 76 të Kodit penal si dhe nga nenet 80 e 323/II të Kodit penal dhe të dënohet:
a-Për krimin e tradhtisë ndaj atdheut që parashikohet nga neni 64 i Kodit penal, me vdekje dhe me konfiskim të pasurisë, me heqjen e titujve të nderit e dekoratave.
b-Për krimin e sabotimit që parashikohet nga neni 72 i Kodit Penal të dënohet me vdekje, me konfiskimin e pasurisë dhe me heqjen e titujve të nderit e të dekoratave.
c-Për krimin e agjitacionit e të propagandës kundër pushtetit popullor, i parashikuar nga neni 73/2 i Kodit penal të dënohet me vdekje dhe me heqjen e titujve të nderit e dekoratave.
Ç-Për krimin e përvetësimit të pasurisë socialiste në përpjesëtime të mëdha që parashikohet nga neni 80/1 i Kodit penal, 20 vjet heqje lirie.
d-Për krimin e shpërdorimit të pozitës zyrtare nga e cila kanë ardhur pasoja veçanërisht të rënda që parashikohen nga neni 323/2 të kodit penal të dënohet me 8 vjet heqje të lirisë.
Përfundimisht, duke bërë bashkimin e krimeve sipas nenit 48 të kodit penal të dënohet me vdekje, me konfiskim të pasurisë dhe me heqjen e titujve të nderit e të dekoratave.
4-I pandehuri Rrahman Parllaku, të deklarohet fajtor për krimet e parashikuara nga nenet 54, 72, 73/II në kombinim me nenin 76 të Kodit penal si dhe nga nenet 80 e 323/II të Kodit penal dhe të dënohet:
a-Për krimin e tradhtisë ndaj atdheut që parashikohet nga neni 64 i Kodit penal, me 25 vite heqje lirie dhe me konfiskim të pasurisë, me heqjen e titujve të nderit e dekoratave.
b-Për krimin e sabotimit që parashikohet nga neni 72 i Kodit Penal të dënohet me 25 vite heqje lirie, me konfiskimin e pasurisë dhe me heqjen e titujve të nderit e të dekoratave.
c-Për krimin e agjitacionit e të propagandës kundër pushtetit popullor, i parashikuar nga neni 73/2 i Kodit penal të dënohet me me 25 vite heqje lirie dhe me heqjen e titujve të nderit e dekoratave.
Ç-Për krimin e përvetësimit të pasurisë socialiste në përpjesëtime të mëdha që parashikohet nga neni 80/1 i Kodit penal, 25 vjet heqje lirie.
Përfundimisht, duke bërë bashkimin e krimeve sipas nenit 48 të kodit penal të dënohet me 25 vjet heqje lirie, me konfiskim të pasurisë dhe me heqjen e titujve të nderit e të dekoratave. (Vijon nesër)
Përgatiti për botim: Kujtim Boriçi
NESËR DO TË LEXONI:
-Vendimi në ‘Emër të Popullit’ i Gjykatës së Posaçme Ushtarake të kryesuar nga Aranit Çela(Kryetar i Gjykatës së Lartë) me anëtarë Tahir Minxhozi, Nazar Berberi, Hilmi Telegrafi e Lirim Gjetja, kundër Beqir Ballukut, Petrit Dumes, Hito Çakos e Rrahman Parllaku, akuzuar për “Tradhti të lartë ndaj Atdheut”.
-Cilat janë provat e akuzës mbi të cilat Gjykata e Posaçme Ushtarake argumenton dhe merr vendimin për dënim të gjeneralëve.
-Kur dhe si ka filluar veprimtaria individuale armiqësore e të pandehurve dhe si u bashkuan në një grup.