Pretendimet e Bashës për tramin dhe ndotjen e Tiranës (INTERVISTA)

redaktor

Në këtë intervistë për gazetën ‘DITA’ specialisti Qemal Poçi tregon shkaqet që çuan në ngjarjen e djeshme në Patos-Marinzë, ndërsa hedh poshtë akuzat e kryebashkiakut të Tiranës për nivelin e ndotjes në Tiranë

– Zoti Qemal, dje ka ndodhur një ngjarje e rëndë: Kanë shpërthyer dy puse nafte në Patos-Marinzë. Si do ta përcaktonit këtë aksident dhe sa i rrezikshëm është ai për banorët e zonës?

– Natyrisht që kemi të bëjmë m një aksident të paralajmëruar. Patos-Marinza është një zonë e njohur naftëmbajtëse dhe rreziqet janë gjithnjë të pranishme. Për atë që ndodhi, paralajmërimet ishin dhënë me kohë. Kam parasysh këtu ankimet e banorëve, kritikat që janë bërë për shpimet pa kriter në atë zonë gjatë viteve të fundit si dhe incidente më të vogla që kanë ndodhur. Pra kemi të bëjmë me një problem të mbartur nga qeveritë e kaluara, për të cilat është vënë në dijeni edhe qeveria aktuale. Të paktën që në fillim të këtij viti institucionet e shtetit janë vënë në dijeni të rreziqeve potenciale.

– Sidoqoftë, zoti Qemal, në sqarimin që bënte kompania përkatëse, Bankers Petrolium, thoshte se gazi që ka rrjedhur është gaz i ëmbël dhe i padëmshëm. Nëse është kështu, përse gjithë ky alarm?

– Nuk është absolutisht kështu. Më habiti njoftimi i asaj kompanie, sikur ka të bëjë me injorantë. Nafta është një hidrokarbur dhe kur djegia e saj bëhet e plotë, ka si produkt përfundimtar gazin karbonik. Përbërësit e hidrokarbureve janë kryesisht azenet, alkanet dhe cikloalkanet, si dhe kompozime që përmbajnë oksigjen, azot dhe squfur. Këto të fundit i japin naftës atë erën e pakëndshme që e konstatojnë të gjithë. Sidoqoftë nuk kemi të bëjmë me gaz të ëmbël dhe të padëmshëm, sikurse thoshte kompania dje.

– Të kalojmë tani te një problem tjetër.

Qemal Poci duke folur per DITA
Qemal Poci duke folur per DITA

– Pra ju, si specialist, nuk jeni dakord me ato që thotë Basha?

– Natyrisht që nuk jam. Nga të dhënat e shtypit del, se “monitorimi i cilësisë së ajrit për vitin 2014, ka përcaktuar si një ndër ndotësit kryesorë, cilësinë e keqe të karburanteve”. Pra, për vendin tonë, veçanërisht për Tiranën, njëri nga ndotësit e shumtë nuk është thjesht gazi karbonik, por cilësia e naftës. Por, për të përcaktuar rolin negativ të naftës, duhet të dimë: sa ton naftë konsumohet në ditë në Tiranë; çfarë nafte është ajo: naftë europiane (që përmban 10 mg squfur për 1 litër), naftë sipas Direktivës 85/210/KE … që pranon 50 mg squfur për litër), apo naftë e Ballshit, e papastër me 350 mg squfur për 1 litër. Madje, tek ne tregtohet edhe naftë e papërpunuar fare, e vjedhur direkt nga puset me autobote, naftë e trafikuar ilegalisht me peshkarexhë nga Italia, Greqia dhe Mali i Zi etj etj. Duhet të dimë, si është gjendja e automjeteve, mosha (vjetërsia) e tyre, gjendja motorike, sa automjete qarkullojnë etj. etj. Duhet të dimë: Sa distributorë janë të licensuar në Shqipëri për shitjen e karburanteve, sa prej tyre abuzojnë. Sa është përmbajtja e squfurit në naftën që tregtohet: 10 miligram për 1 litër, 50 apo 350. Për të gjitha këto ne nuk kemi të dhëna. Edhe të dhënat që dalin gjatë kontrolleve, nuk bëhen transparente. Ndofta, ndonjë distributor që abuzon edhe “gjobitet”, por kjo gjobë ose nuk vilet, ose nuk shkon në arkën e shtetit. Nuk kemi të dhëna se sa benzinë shitet me përmbajtje plumbi (ai i shtohet benzinës për të rritur numrin e oktaneve). Përderisa disa distributorë shesin “benzinë pa plumb” do të thotë se ka dhe nga ata që e shesin benzinën me plumb. Por, qytetari, pronari i automjetit nuk di gjë për këtë dhe prandaj prishet para kohe makina dhe, gjatë djegies së naftës , emetojnë jo vetëm gazin karbonik që ngjitet lart në biosferë, por edhe blozë që futet në mushkëritë tona. Nga sa thashë, në rastin tonë, kush është fajtori: gazi karbonik, apo bloza dhe grimcat e tjera që ndotin mjedisin.

– Megjithatë, cili është niveli i ndotjes në Tiranë?

– Në gazetën “DITA” të datës 15 shkurt 2015, një shkrim i kushtohej ndotjes së ajrit në Tetovë. Atje fabrika “Jugoprom”, e ndërtuar në vitin 1957 duke mos patur filtra për 285 ditë pune në vit, emeton 30m³ pluhur. Si pasojë e këtij emetimi jo vetëm që dëmtohen rrugët respiratore, por edhe sistemin kardiovaskular, organe dhe sisteme të tjera, vetëm gjatë vitit 2014 janë sëmurur nga kanceri 2,375 persona. Nga pikëpamja e ndotjes, Tetova zë vendin e 3-të në botë dhe të parin në Europë, ku niveli i ndotjeve i kalon normat e lejueshme 20 herë, duke arritur në 500-700 deri në 1000 mikrogram grimca në 1 m³ ajër. Mbas Tetovës vjen Shqipëria me 45.4 mikrogram për 1 m³ ajër, kurse pas saj vjen Roma me 40.4 ( të dyja këto mbi nivelet e lejueshme). Le të kthehemi tani tek shqetësimet e Lulzim Bashës. Sikur ndotja e ajrit të Tiranës apo Shqipërisë të bazohej vetëm në gazin karbonik, ne do të zinim vendin e parë në Europë nga pastërtia e ajrit. Por, në qoftë se ndotja do të vlerësohej nga sasia e grimcave në ajër, ne do të zinim vendin e dytë nga fundi, duke ardhur pas Tetovës. Por grimcat, që Basha i quan blozë, janë materie dhe ato përbëhen nga elemente kimike, shumica e të cilave janë toksik. Këta janë: plumbi, kromi, nikeli, magnezi, squfuri, elementi radioaktiv radon, cianure etj. Për ta qetësuar “kryebashkiakun” por edhe për ta bindur se si flet ai pa argumente, mund të japim disa të dhëna konkrete.

– Dhe ç’tregojnë ato të dhëna?

– Së pari duhet të dimë se 100 litra ajër normal përmban : azot 78%, baraz me 16 gram dhe 320 miligram, oksigjen-20.93% baras me 4 gr e 650 mg; argon 0.94% baraz me vetëm 26 miligram CO² ne 100 litër ajër, që i bie 260 miligram për 1 m³. 100 liter ajer peshon 22.21 gram. Sipas të dhënave të shtypit (viti 2007), Tirana si qytet zë një sipërfaqe prej 31 km², pra 31 milion m². Sikur të llogarisim një lartësi të shtresës së biosferës prej 100 m, ajri që mbulon Tiranën arrin 3 miliard e 100 milion m³ (sikur ajri të jetë statik, i palëvizshëm). Ky vëllim në normë ka 806 ton gaz karbonik (këtu përfshihet edhe 6 ton CO² e bashkisë, nuk po e heqim). Kjo sasi është 134 herë më e madhe se 6 ton që shqetësohet zoti Basha. Kjo sasi (6 ton), në totalin prej 806 ton CO² që ka ajri në normë, nuk luan asnjë rol dhe nuk ndikon fare. Pra, zhurma që u shoqërua edhe me thirrje histerike, është jo vetëm e pajustifikuar, por edhe e pafalshme. Nga sa shtjelluam, del se Shqipëria nuk emeton shume gaz karbonik, pasi ne nuk kemi shumë fabrika, uzina e kombinate (ato i shkatërroi “teoria e nivelit zero”). Edhe pse Shqipëria aderon në Protokollin e Kiotos, ne nuk kemi asnjë kufizim për rritjen e nivelit të CO². Për ta kuptuar më mirë këtë, duhet thënë, se Italia në bazë të Protokollit të Kiotos, lejohet të prodhojë 487 milion ton CO² në vit. Por, në fakt ajo ka prodhuar: për 10 vjeçarin 1990-2000, 531 milionë tonë (34 milionë tonë më tepër); për 10 vjeçarin 2001-2010, 546 milionë tonë në vit, 60 milionë tonë më tepër, dhe për 10 vjeçarin 2010-20120, 597 milionë tonë në vit, pra 110 milionë tonë më tepër. Për diferencën rreth 200 milion ton CO² më tepër që ka emetuar apo do të emetojë deri në vitin 2020, Italia do të paguajë një gjobë prej 25 EURO për 1 ton, në total rreth 5 miliard euro.

– Mendoni se Basha nuk i njeh këto të dhëna?

– Jo, mendoj se i di. Lulzim Basha këto llogari duhet t’i dijë mirë pasi ishte anëtar i qeverisë, kur Berisha, për ta shpëtuar Italinë nga kjo gjobë, vendosi ta kthente Shqipërinë në “një superfuqi energjetike”. Vetëm në Durrës u mendua të ndërtohen tre TEC-me qymyr me një total prej 2400 megavat (800 megavat secili). Kujtojmë se Italia, me referendum nuk ndërton TEC-e me qymyr në tokën e vet. Në Europë funksionojnë gjithsej 7 TEC-e me qymyr, prej të cilave : 3 shtete me nga 1 TEC dhe dy shtete me nga 2 TEC-e. Kurse Shqipëria do të ndërtonte 3 TEC-e. Sikur të ndërtohej vetëm një TEC, ai do të emetonte në ajër 30-40 mijë ton gaz karbonik (jo 6 ton) në ditë, veç miliona tonëve qymyri që do të digjte, hirit që do të grumbullohej, grimcave dhe erës së rëndë që do të mbulonte të gjithë zonën Durrës- Tiranë. U desh zëri i fortë i opinionit publik: shoqërisë civile, ambientalistëve dhe intelektualëve që Berisha të tërhiqej nga ky krim. Asnjë qeveritar i asaj kohe, duke përfshirë këtu edhe Bashën, nuk reagoi dhe nuk e ngriti zërin.

– Por, nuk mund ta mohojmë se kemi ndotje të mjedisit në Tiranë dhe në gjithë Shqipërinë, apo jo?

– Sigurisht që kemi ndotje dhe shumë madje. Prej gati një çerek shekulli, ndotja e ajrit dhe e gjithë mjedisit tek ne ka qenë pa ndërprerje mbi nivelet e lejueshme nga BE. Shpesh herë në shtyp janë përmendur vatrat e nxehta në Vlorë- zhiva në pyllin e sodës, zona naftëmbajtëse e Ballshit dhe Patos- Marinzës, arsenikut në azotikun e Fierit, preparateve klororganike në Spitallë të Durrësit, arsenikut në Rubik etj. Është folur shumë për minierat e Veriut, Pogradecit (Guri i Kuq), Bitinckës etj. që derdhin në det apo liqen mijëra ton jo vetëm dhera, por metale të rënda toksike: krom, bakër, arsenik, hekur, nikel etj. etj. Është folur (por më kot) për emetimet e metalurgjikut “Kurum” të Elbasanit, i cili pasi nuk vendos filtra, ka mbjellë kancerin deri në Tiranë, por edhe më tej. Është koha, që prania e grimcave në ajër mos të vlerësohet vetëm nga madhësia e tyre, por sidomos nga përmbajtja toksikologjike. Veç këtyre, Tirana ka shumë faktorë të tjerë për ndotjen e mjedisit: lëvizja e shumë automjeteve, një pjesë e të cilave të amortizuar që nuk e djegin plotësisht karburantin, por bashkë me gazin karbonik emetojnë tymra, squfur, plumb, blozë. Kësaj i shtohen tymrat e furrave të gëlqeres në Krujë, që nga djegia e gomave emetojnë edhe dioksinë, guroret e Dajtit dhe dherat me elementin radioaktiv radon; mbeturinat toksike të ish uzinave dhe fabrikave të mbyllura pas rënies së sistemit komunist, të cilat kanë përdorur përbërje toksike për proceset teknologjike-galvanizuese, kromin etj. Kemi shumë ligje, VKM, rregullore etj, për mbrojtjen e mjedisit, por ato kanë ngelur vetëm në letër dhe nuk zbatohen. Pajisjet për monitorime të ajrit janë të pamjaftueshme, sidomos jashtë Tiranës. Nuk mund të flitet për transparencë dhe për marrjen e mendimit të specialistëve, kur raportimet bëhen njëherë në vit në ministri dhe nuk bëhen publike. Nuk mund të flitet për profesionalizëm dhe garanci, kur akoma nuk dihet se cili është autoriteti kryesor i referencës së këtyre monitorimeve: Ministria e Mjedisit, apo Instituti i Kujdesit Publik; Nuk mund të flitet për seriozitet për monitorimet, kur institucionet që ngarkohen me këto detyra kanë mangësi në organika, pajisje dhe kur në to vihen apo drejtojnë militantë dhe jo teknicienë. Zoti Basha, në vend që të “shqetësohej” për një gjë që nuk ekziston, të punonte më tepër për kryeqytetin që ai pretendon se e drejton. Shumë mjedise janë të ndotura nga plehrat, materialet inerte të ndërtesave të prishura pasi qenë ndërtuar pa leje, të pastrojë urat e Lanës që i ka para hundës (ShQUP-it), të cilat janë kthyer në tualete publike, por edhe qendra prostitucioni. “Kryetari i bashkisë në ekzil” duhej të bënte punë dhe jo të kthehej në qaraman shëtitës.

Share This Article
2 Comments
  • E pra,nese duhet te flasim per dicka qe nuk jemi specialiste apo hiqemi se nuk jemi,duhet te marrim mendimin e specialisteve dhe pastaj te shohim a ka vepruar drejt apo gabim dikush.Pergjigjet e akuzave z.Basha i ka ne shkrimin e mrekullueshem te z.Qemal,qe nuk flet me llafollogjira boshe por me shifra e argumente,te cilat nuk mbajne anen e askujt.Ato jane ato qe jane dhe kaq.Gjykimet le t,i bejne ata qe kane kohe per te bere nje gje te tille e jo per te ndryshuar situaten.Si shpjegohet qe kudo qe akuzojne PD-istat dalin bosh nepermjet fakteve?!Eshte ne linjen e shefit te tyre parimi ” shpif shpif se dicka do ngelet! sepse ne fakt edhe i ka ecur me kete stil.Edhe qeveria aktuale duhet doemos te marre me shume mendimin e specilalisteve ne cdo fushe qe te mos lere hapsira per akuza nga pala tjeter dhe sidomos per te ndryshuar gjerat qe nuk shkojne mire.Respekte z.Qemal!

  • Luli i bordellove tw Holandws na cau trapin me tramin e tash po e ndjen se e hengri kallamin. Mirw ai, se kaqol ishte e kaqol mbeti, po ata palo “intelektualw qw mblodhi nw fushatwn e lokaleve tw 2011-s te lokali CiljUETi, ku janw, c’i gjeti?
    Le tw na bwjnw njw cikw bilancin e atyre prockave qw na shitwn 4 vjet mw parw tek Europiani i Cilit, tw cilit i mbanin kandilin dhe pa pikw turpi dhe intelektualizmi rokaniswn kokat e njerwzve me plane e projekte kwshtjellash nw rwrw dhe tani struken si struci tw twrw?
    Pa le tw na vihen nw radhw e tw na flasw secili sot se ku vanw, more shokw, ku vanw idetw e tyre fantaziste gwnjeshtroserviliste nw mbwshtetje tw kryetarit me vota tw vjedhura, qw nuk bwri asnjw punw pwr Tiranwn, sw cilws vetwm ia shk…dheu nanwn, e bashkw me tw edhe kwtyre pseudointelektualwve, qw njw kolopuc i dritave tw kuqe Dutche i vuri nw radhw si delet dhe e treguan veten ashtu sic thotw topallica, si zhelet.
    Morali i pwrrallws: Nw kww derexhe qw e solli Luli Tironen, nuk ka faj vetwm ky birbo vraswsi dhe hajduti , por edhe kwta intelektualw sahanlwpirws, qw, pa njohur asnje nga veset tij, i thurwn hosanara e lavdwrime, duke u shndwrruar nw gojwshthurura tw turpit, qw tani i vijne pwr ndonje kothere rretherrotull shqupit.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *