Është prezantuar sot në qytetin e Gjirokastrës Plani Kombëtar për Rininë 2015-2020.
Ministri i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Blendi Klosi, i pranishëm në këtë takim, ka theksuar se ky prezantim vjen në kuadër të organizimit të 25 ditëve aktivitete, për 25-vjetorin e Ditës Kombëtare të Rinisë, ndërsa synon të adresojë problematikat, situatën aktuale, prioritetet dhe masat për realizimin e objektivave në fushën e rinisë.
“Për Prezantimin e Planit të Rinisë sot zgjodhëm Universitetin e Gjirokastrës, pasi përfaqëson institucionin më të rëndësishëm arsimor, shkencor e kulturor në rajonin jugor të Shqipërisë. Gjirokastra është një qytet që ofron një larmishmëri aktivitetesh në fushën e trashëgimisë kulturore dhe promovimit të turizmit. Andaj është e rëndësishme që ju, rinia të kontribuoni sa më shumë në zhvillimin dhe përmirësimin e jetës në këtë qytet përmes angazhimit në formimin tuaj arsimor dhe kulturor. Plani i rinisë është përgatitur nga 12 mijë të rinj studentë dhe përfaqësues të organizatave të shoqërisë civile, të cilët përmes kontributit të tyre sollën në këtë dokument të gjitha çështjet që shqetësojnë sot rininë shqiptare dhe zgjidhjet respektive për to”, tha ministri Klosi në fjalën e tij.
Më tej, ai bëri të ditur se Plani i Veprimit ka 6 objektiva kryesore dhe që synojnë krijimin e kushteve më të mira për të rinjtë shqiptarë, përmirësimin e cilësisë së jetës së tyre, përmes zhvillimit të më shumë mundësive në edukim, punësim, shëndetësi, kulturë dhe rritjen e pjesëmarrjes së plotë të të rinjve në shoqëri dhe vendimmarrje.
Duke qenë se Gjirokastra ka një traditë dhe një kontribut të rëndësishëm në zhvillimin e arsimit dhe shkencës shqiptare, ministri Klosi prezantoi në këtë takim një nga objektivat kryesore të Planit Kombëtar të Veprimit për Rininë: Edukimi i të Rinjve.
“Ky objektiv synon përmirësimin e kurrikulave të lidhura me aftësimin për jetën, cilësinë e arsimit, dhe cilësinë profesionale të mësimdhënës në të gjitha nivelet, përmirësimin e infrastrukturës, dhe krijimin e agjencive të pavarura me ekspertë të jashtëm për monitorimin dhe vlerësimin e sistemit arsimor dhe procesit mësimor në veçanti. Sfidat kryesore në arsimin e lartë përfshijnë nevojën për: (1) rritjen e cilësisë nëpërmjet përmirësimit të kushteve të mësimdhënies; (2) përmirësimin e kurrikulave dhe standardeve në përputhje me standardet më të mira europiane (3) lidhjen e strategjive të arsimit, dhe programeve me ato të sektorit privat për t’iu përgjigjur kërkesave të tregut të punës; (4) për të zgjeruar arsimin post-sekondar në përputhje me nevojat e zonave specifike dhe zhvillimit rajonal; (5) forcimin e kapaciteteve të përgjithshme institucionale”, tha ministri Klosi. /Dita/
