Prezantohet programi i parë i studimeve Master në sektorin e Turizmit

Saimir Lleshi

Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, Arben Ahmetaj mori pjesë sot në konferencën “Zhvillimi i sektorit të turizmit”, e organizuar me qëllim prezantimin e programit të studimeve master në sektorin e turizmit.

Programi i studimit vjen si produkt i një bashkëpunimi mes Universitetit Katolik “Zoja e Këshillit të Mirë” dhe Universitetit të Bolonjës.

Masteri do të zhvillohet në vitin akademik 2015-2016 dhe do të angazhojë të rinj me formim ekonomiko-juridik dhe sipërmarrës aktualë dhe potencialë,duke pasur si objektiv t’i pajisë ata me kompetenca të përgjithshme dhe specifike, të domosdoshme për formimin dhe zhvillimin e kulturës së sipërmarrjes ekzistuese në vend, si dhe krijimin e një baze për ngritjen e sipërmarrjeve të reja në sektorin eturizmit. Diploma në përfundim të masterit, është diplomë e dyfishtë e Universitetit Zoja e Këshillit të Mirë dhe Universitetit të Bolonjës.

Ministri Ahmetaj tha se masteri profesional për ngritjen dhe zhvillimin e ndërmarrjeve në sektorin e turizmit do të jetë një platformë shumë e mirë për formimin e një brezi të ri sipërmarrësish në këtë sektor.

Duke folur për zhvillimin e sektorit, Ministri informoi se aktualisht MZHETTS po punon për hartimin e një draft ligji për turizmin detar, një degë e sektorit të turizmit që mund të japë një kontribut të rëndësishëm në zhvillimin e ekonomisë.

Po ashtu, Ministri bëri me dije se, miratimi i ligjit “Për Turizmin” ka nxitur interesin e investitorëve për investime serioze në Shqipëri në fushën e turizmit, një prej të cilave është një ofertë zyrtare për një investim rreth 330 milionë euro në jug të vendit.

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *