Rama: Nuk ofrojmë menu dëshirash për t’u marrë votën, por plan për t’u ndryshuar jetën

redaktor

Në ditën e dytë të Konventës Kombëtare të Partisë Socialiste, kryetari Rama foli për një sërë aspektesh të qeverisjes, të cilat PS synon t’i ndryshojë në kahun pozitiv pas 23 qershorit. “Dje unë e fillova këtë bashkëbisedim mes nesh dhe publikut me pyetjen se në çfarë Shqipërie duam të jetojmë: në të vërtetën apo në atë të gënjeshtërt? Sot ne jemi si popull, të imponuar të jetojmë në një Shqipëri të gënjeshtërt. Ne duam ta zhbëjmë këtë imponim dhe të jetojmë në Shqipërinë e vërtetë, që di të thotë të vërtetën që di të dëgjojë e të jetojë me të vërtetën. Ne jetojmë në një vend për të cilin programohet i njëjti avaz. Ja çfarë duam të ndryshojmë ne socialistët dhe progresistët. Ne nuk duam t’u afrojmë shqiptarëve një listë premtimesh apo menu dëshirash për t’u marrë votën, por një plan për t’u ndryshuar jetën”, tha Rama.

Rama u ndal më tej në programin e PS, duke shpjeguar alternativën socialiste përmes kontrasteve me sistemin aktual.

“Çdo shqiptar duhet të kuptojë se cila është zgjedhja që duhet të bëj me 23 qershor. Zgjedhja për punësim, apo rritja e papunësisë? Taksën e ndershme apo taksën e sheshtë. Zmbrapsjen e krimit apo nënshtrimin ndaj krimit? Sot na është imponuar një Shqipëri ku mbi 70% e shqiptarëve ndjehen të kërcënuar. Shërbime sipas nevojës apo sipas xhepit? Sot çdo gjë është mall, edhe drejtësia është mall që blihet dhe kush nuk ka para nuk e blen dot. Zhvillim rural apo braktisje të fshatit? Atdhe të pastër apo vend që prodhon dhe importon plehra? Nacionalizëm primitiv për të shkuar buzë humnerës së të shkuarës, apo sytë nga e ardhmja? Beteja ndaj Millosheviçit ishte beteja e atdhedashurisë ndaj nacionalizmit dhe fitoi beteja e atdhedashurisë ndaj nacionalizmit.

Çfarë duam ne dhe ku do shkojmë? Nuk duam mocione përtej tifozi, që e bëjnë të paaftë votuesin të kuptojë se po voton rrënimin e vet. Në këtë pikë përtej fanellave dhe emocioneve të tifozëve ka një rëndësi të veçantë që njerëzit të kuptojnë ku ndryshojmë ne nga ata që qeverisën, ku ndryshojnë idetë dhe rrugët. E para gjë nuk është programi ynë ekonomik, as programi për ripërtëritjen shqiptare, as për rivendosjen e demokracisë. E para gjë është se politika për ne është qëllim fisnik, për ata është mjet përfitimi. Politika për ne është mundësia për t’i shkuar pas një vizioni për Shqipërinë evropiane. Dhe pyetja që lind për të gjithë ata që janë ende të luhatur dhe që shkojnë pas fanellës bardhë e blu dhe që e ngatërrojnë me fanellën e Tiranës. Sot jemi në një siklet ndërkombëtar në sytë e botës për shkak të imazhit të rrënuar të Shqipërisë dhe 1 mijë e 1 problemeve që mbeten sot e gjithë ditën në të gjitha rezymetë që bota bën për të shkuar pranë saj.

Programi ynë është i ri dhe modern dhe jo i vjetër dhe i lodhur, ne me këtë program hapim rrugën e bashkimit përmes një plani zhvillimi të qyteti dhe fshatit. Programi i avazit të vjetër është për të sunduar përmes përçarjes dhe errësirës që ushqehet përmes varfërisë. Sot Shqipëria shkon drejt rrugës së gabuar. Përsëri përtej këtyre që ju thamë, konstatimeve drithëruese me shifra dhe fakte, Shqipëria shkon në drejtim e gabuar sepse jetojmë në një Shqipëri që nuk dëgjon, shqiptarët nuk dëgjohen. Dua t’ju rrëfej si mund të ndjehesh kur takon 1 invalid dhe kërkojnë të drejtën për t’u dëgjuar, pas zhbërjes së ligjit që u caktonte të drejtën për të t’u dëgjuar. Takon ish–të përndjekurit dhe u mungon e drejta për t’u dëgjuar dhe i vënë flakën vetes pasi plas nga pamundësia për t’u dëgjuar. Takon gruan e policit të vrarë në Kukës, e cila ankohet se nuk na dëgjojnë. Takon një mësues në fshat, 23 vjet mësuese historie të papunë, pasi historinë në atë fshat e jep një muzikant jo me shkollë të lartë, por një që i ka rënë dajres në një miting… Po të huajt çfarë thonë, nuk ju merr kush seriozisht nëse jeni kështu siç jeni…këtu lind domosdoshmëria për të shkuar përtej programit në zemrën e çdo shqiptari që është prind dhe sipërmarrës para se të jetë i rreshtuar në partinë në pushtet”, tha Rama.

 

Fjala e Ramës

http://www.youtube.com/watch?v=xk8FvUitB84

 

* * *

“Rilindja Shqiptare”, PS prezanton programin qeverisës

22 shkurt – Partia Socialiste po zhvillon konferencën kombëtare ku po prezanton programin e saj Për një Rilindje Kombëtare.

Fillimisht, përmes një videoje ku janë shfaqur disa deputetë socialistë, partia më e madhe e opozitës ka premtuar zgjidhjen e një seri çështjesh që përbëjnë sipas tyre plagët e shoqërisë shqiptare.

Deputetët socialistë kanë premtuar rigjenerimin e sistemit arsimor, atij shëndetësor, të artit dhe kulturës. Gjithashtu, ata kanë dhënë garancinë e tyre se qeveria e re pas 23 qershorit do të luftojë krimin që ka marrë rrugët, krimin në familje, dhunën ndaj grave, etj.

Një tjetër pikë e prekur ka qenë taksimi, ku deputetët kanë premtuar heqjen e taksës së sheshtë dhe vendosjen e taksës progresiste që parashikon: kush fiton më pak paguan më pak dhe kush fiton më shumë paguan më shumë.

Një tjetër premtim ishte ai për ish-të përndjekurit, të cilët sipas socialistëve do të marrin rikompensimin dhe dëmshpërblimet. Vetë kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, është shprehur i bindur se më 23 qershor qytetarët shqiptarë do të votojnë për vizionin e kësaj force politike.

“Ne do t’u japim përgjigje shumë çështjeve. Njerëzit e kanë të qartë se sot qeverisen mbrapsht. E dinë se korrupsioni është shtrirë thellë. E dinë se kryeministri do bëjë gjithçka për të qëndruar në pushtet. Ata e dinë që kjo është e keqe për ta dhe për Shqipërinë”, ka deklaruar Rama, i cili ua ka lënë më pas fjalën deputetëve të PS, të cilët kanë folur për çështje të caktuara.

Vasilika Hysi për rendin dhe sigurinë: “Krimi është rritur, s’ka kursyer as gratë e as fëmijët. Ne kemi nevojë të sigurojmë pronën dhe familjen. Krimi duhet dënuar dhe autorët duhen ndëshkuar rëndë. Shqipëria i ka ligjet, por ato nuk zbatohen. PS do marrë masa që askush të mos bjerë viktimë e krimit. Do përmirësojmë politikat ekonomike e sociale dhe sistemin e drejtësisë”.

Sajmir Tahiri për rendin dhe sigurinë: “Krimi është rritur 4-fish. Në 8 vjet qeverisje shqiptarët janë 4 herë më të rrezikuar. Shkak për këtë situatë janë varfëria dhe gropa e papunësisë, militantizmi dhe korrupsioni. Krimi komandon në rrugë dhe në zyrat e shtetit, ndërkohë që oficerët e ndershëm të policisë janë braktisur në rrugë. Pas 23 qershorit do të marrë fund epërsia e krimit. Në ditët e para ne do rivendosim Policinë e Shtetit në krye të detyrës. Do kthejmë besimin e publikut tek Policia e Shtetit. Do rikthejmë strukturën demokratike në Policinë e Shtetit. Do përcaktojmë mirë përgjegjësitë për zinxhirin e komandës. Parimi 1 shtet 1 polici do jetë shtrati i koordinimit, në mënyrë që krimi të mos marrë rrugët. Nuk do ketë më lloj lloj policish, që në vitet e fundit janë vërsulur kundër njëra-tjetrës. Do rrisim rrogat e funksionarëve të policisë dhe do ndihmojmë familjet e policëve të vrarë”.

Ledi Shamku për arsimin: “Shqipëria dhe arsimi qeverisen nga të paditurit. Situata mund të rregullohet vetëm përmes arsimit. Duhet të përballemi me këtë plagë të përhapur të shqiptarëve. Asnjë fëmijë nuk duhet lënë mënjanë. Nuk duhet të ketë asnjë fëmijë mënjanë për shkak të varfërisë. Nuk mund të jetë më arsimi sipas xhepit. Arsimi do të jetë sipas nevojës, meritës dhe talentit. Ne kemi planifikuar ngritjen e shkollave dhe do garantojmë transportin e fëmijëve që sot rrijnë jashtë shkollave. Situata e sotme e arsimit nuk është çështje buxheti, por mungese vullneti. Brenda mandatit tonë të parë do ta shpiem në 40 për qind pjesëmarrjen në shkolla”.

Share This Article
2 Comments
  • Prezantim shume modern, i qarte dhe pa spekullime e superlativa te tipit salinian.
    Bravo PS, jeni aty ku duhet tani duhet shqiptaret te bejne realitet endren europiane, ate ender qe kerkuam ne vitn 90-te.
    Me kete program, kemi mundesine ti heqim Fiks-Fare, mundesine per te na dhne ate gjendje fatkeqe te qindra familjeve qe darken e ngrysin pa ngrene.
    Votoni me te miret, votoni ata njerez qe na japin shprese, votoni nje vizion europian, votoni Edi Ramen dhe partine qe ai perfaqeson, sdo te kete te humbur, do te jemi te gjithe te fituar, do te fitojme dinjtetin sejcili ne punen tone.

  • Programin mund ta gjykojme vetem kur te publikohet qe te studjohet per shifrat dmth mundesite dhe rruget e realizimit. deri atehere per horrin e bulevrdit kam t’i them se votat jepen per “Partine”( lexo sipas Majakovskit “per Edin”) ose “kunder Saliut” sepse a jane te mire apo jo ata te sigurtet e Listes se mbyllur kete edi vetem ai apo ata qe i kane emeruar deputete dhe kjo nuk eshte demokraci.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *