Prezantohet Vila: Te Partizani, për titullin kampion

anazapta

Emiljano Vila është prezantuar dje para mediave si blerja më e re e skuadrës së Partizanit. Në praninë e presidentit Gazmend Demi dhe zyrtarëve të tjerë të klubit, mesfushori durrsak ka firmosur edhe kontratën. “Dua të falënderoj në radhë të parë presidentin Demi dhe profesor Starovën e Shpëtim Duron. Gjithashtu dua të falënderoj dhe të gjitha klubet shqiptarët që shfaqën interes për të marrë shërbimet e mia gjatë kësaj merkatoje, por unë besoj se kam bërë zgjedhjen e duhur që i jam bashkuar skuadrës së Partizanit”, ka thënë lojtari i cili dy ditë më parë pritej të firmoste te skuadra e Kukësit, madje drejtuesit e këtij ekipi e kishin bërë pothuajse të mbaruar akordin me të. Deri në këto momente lojtari i ekipit Kombëtar është pothuajse një nga blerjet më cilësore të Partizanit. Ai do të mbajë numrin 88 në fanellë edhe pse thotë se kishte kërkuar të mbante në shpinë numrin 11. “Në Kombëtare dhe te Janina kam mbajtur numrin 11, por te Partizani atë numër e ka Nderim Nexhipi. Kam shumë respekt për Nexhipin. Është një djalë shumë i mirë dhe kam fatin që do të luaj me të te Partizani, ndaj zgjodha numrin 88 atë të vitit tim të lindjes”, ka sqaruar futbollisti.

Objektivi – Lojtari i rikthyer pas disa viteve në kampionatin shqiptar ka shpalosur edhe objektivat e tij me të kuqtë, ku kryesori pritet të jetë titulli kampion. “Kur më bëri ofertë presidenti Demi, kisha një synim, titullin kampion. Por futbolli do edhe pak fat ndaj besoj se edhe me pak fat ne do t’ia dalim”, ka vazhduar 26-vjeçari. Vila ka folur edhe për faktin se shumë lojtarë të Kombëtares po bëhen pjesë e kampionatit shqiptar. “Besoj se kam bërë zgjedhjen e duhur. Vjet ishte një kampionat shumë i mirë dhe këtë vit me ardhjen e 5-6 lojtarëve të ekipit përfaqësues, niveli do të rritet edhe më shumë. Ndaj besoj se kampionati do të jetë më i bukur dhe nuk jam aspak pishman që u riktheva. Kisha oferta edhe nga Greqia, por nuk mund të rrija në atje vetëm për të luajtur jashtë vendit derisa kushtet nuk më plotësoheshin”, vazhdoi lojtari i cili në mbyllje të fjalës së tij deklaroi se do të jepte maksimumin për të kuqtë. “Unë di të them këtë se që ditën e parë që do të vesh fanellën e Partizanit do të jap maksimumin në fushën e lojës dhe e ndjej se me këtë skuadër do të shkojmë shumë larg”, përfundoi Vila.

 

Share This Article
3 Comments

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *