Para disa kohësh, revista shëndetësore “Pediatrics” publikoi një studim i cili theksonte efektin negativ të pijeve energjike te fëmijët dhe adoleshentët. Duke parë që kjo kategori përbënin 30-50 për qind të konsumatorëve, studimi bëri jehonë në të gjitha mediat, të cilat paralajmëruan “Pijet energjike nuk janë për fëmijët”.
Tashmë një tjetër studim i kryer nga Shërbimi për Shëndetin Mendor dhe Abuzimin me Substancat në SHBA flet për një rritje shqetësuese të numri të të rinjve që i drejtohen spitalit për shkak të konsumimit të këtyre pijeve.
Në katër vjet, dyfishi i pacientëve
Raporti flet për një rritje dy herë më shumë të shtrimeve në spital, duke krahasuar vitin 2011 me vitin 2007. Nga10.068, numri i të paraqiturve në spital me ankesa për pijet energjike të konsumuara ka arritur në 20 783 në katër vjet. Të sëmurët paraqiten me simptoma si pagjumësi, nervozizëm, takikardi, konvulsione madje në disa raste edhe kriza epileptike, të cilat mendohet se vijnë nga sasia e madhe e kafeinës, e cila gjendet në pijet energjike. Raporti bazohet në të dhënat e mbledhura në 230 spitale, të cilat përbëjnë vetëm 5 për qind të spitaleve që ka vendi.
Howard Mell, mjek i urgjencës në Cleveland, thotë se duhet një ndërgjegjësim më i madh për këto lloj pijesh. “Njerëzit nuk e kuptojnë. Vijnë në urgjencë dhe thonë se kanë pirë tri pije energjike për një orë, duke mos e ditur se është njësoj sikur kanë pirë 15 kafe”.
Rasteve në fjalë u shtohet edhe një rast i bërë publik në media kohë më parë: ai i një vajze nga Merilendi, e cila vdiq pasi piu dy kanaçe me pije energjike. Vajza kishte pirë 1.5 litra “Monster Energy”. Autopsia foli qartë: ndalim i zemrës për shkak të helmimit nga kafeina.
Në SHBA janë nën hetim të paktën edhe 18 raste si ai i vajzës nga Merilendi. FDA (Food and Drug Administration) po mbledh informacione në lidhje me markat që janë nën akuzë. Por ndërkohë, shitjet e këtyre produkteve janë shtuar me 17 për qind. / Përgatiti: Gazmira Sokoli