Ndërsa Mirash Kola mbante peng 21-vjeçaren Dhurata Lleshi, prindërit e gruas së tij, Aranisës, kanë bërë disa vizita në shtëpinë e tyre, por nuk e kanë parë asnjëherë vajzën nga Mirdita. Prindërit e gruas së Kolës jetonin vetëm 20 metër nga shtëpia e së bijës, por nuk e morën vesh kurrë se brenda mbahej peng një vajzë e re, që dhëndri e kishte sjellë në shtëpi. Në një intervistë për gazetën “Panorama”, Zef dhe Drane Kqira thonë se vajza e tyre ka pesë vjet që përjton një jetë ferri me burrin e saj.
Ata thonë se Marashi dhe Aranisa janë njohur në fshatin ku jetojnë. Marashi sapo ishte kthyer nga emigrimi dhe menjëherë i kishte rënë në sy fqinja e re
“Fillimisht u fejuan dhe brenda dy muajsh bëmë edhe dasmën. Më 6 janar kanë bërë pesë vjet martesë. Pesë vjet ferr, thuaj më mirë”, thonë prindërit e gruas me të cilën Marashi ka edhe një vajzë 3 vjeçe.
Ata thonë se e bija e ka kundërshtuar ardhjen në shtëpinë e saj të Dhurata Lleshit, por edhe ajo për vete ishte nën presionin dhe terrorin e Marashit.
“Çdo gjë që ka bërë ime bijë, e ka bërë nga halli, nga frika, nga terrori. Se ka ngrënë dru dhe është kërcënuar. Ne as e pyesim dot me detaje vajzën tonë, por na ka treguar se është rrahur si kafshë. Ajo e ka kundërshtuar 3 javë me radhë dhe për këtë bëni mirë ta pyesni edhe atë vajzën tjetër nga Mirdita. Ajo e di të vërtetën. Vajza ime është viktimë për vete e burrit të saj”, thonë prindërit.
Por pavarësisht se banonin vetëm 20 metër nga shtëpia e dhëndrit, ata thonë se vizitat ishin shumë të rralla, madje edhe gjatë qëndrimit të Dhuratës në shtëpinë e Marash Kolajt, ata nuk kanë konstatuar asgjë. “Ne shkonim shumë rrallë te shtëpia e dhëndrit, dhe rrallë e më rrallë vinte ai te ne. Edhe diçka, ai asnjëherë nuk e linte vajzën tonë që të vinte vetëm për vizitë te shtëpia jonë. Gjithnjë e shoqëronte. Sigurisht, shumë rrallë vinin, 1 ose 2 herë në muaj, edhe pse jemi 20 metra larg. Gjatë shkurtit, unë (nëna) kam qenë 4-5 herë, sepse kishte vajzën pa qejf dhe doja ta shihja. Pra mbesa ime ishte sëmurë. Por nuk është se kam ndenjur gjatë, zakonisht qëndroja gjysmë ore dhe kthehesha në shtëpinë time. Maksimumi që kam ndenjur ka qenë 45 minuta”, thotë ajo.
