Ministria e Jashtme e Kosovës ka njoftuar se po ndjek me “shqetësim të thellë” lajmet për incidentet e dhunshme në disa lokalitete me shumicë shqiptare në Maqedoni, me viktima të raportuara.
“Republika e Kosovës dënon ashpër cënimin e rendit dhe sigurisë nga çfarëdo individi apo grupi, me qëllime destabilizuese në Maqedoni”, thuhet në një njoftim për shtyp.
MPJ njëkohësisht apelon tek të gjitha palët që të përmbahen nga dhuna dhe të gjejnë zgjidhje përmes dialogut politik.
“Zgjidhja të gjendet në kuadër të institucioneve të vendit dhe Marrëveshjes së Ohrit, që garanton integritetin e Maqedonisë dhe përmbushjen e të drejtave të komuniteteve”, thuhet më tej në njoftim.
