Nairobi është veshur si për festë. Për pesë javë me radhë është punuar pa pushim që Obama t’i gjejë rrugët e qytetit të rregulluara e të pastra. Trotuaret, dikur të baltosura, kanë marrë një fytyrë të re. Prej ditësh, bluza me portretin e Barak Obamës dhe shkrimin “Mirë se erdhe në shtëpi!” kanë dalë në shitje gjithandej në kryeqytetin e Kenias. Në cepat e rrugëve sheh piktura gjigante murale me fytyrën e udhëheqësit amerikan. “Duhet t’ju rrëfej se me sa padurim e kemi pritur të gjithë këtë ditë dhe sa të angazhuar jemi që ta shndërrojmë këtë në më të paharrueshmen e pritjeve. Për vendin dhe njerëzit tanë kjo është një ngjarje e madhe”, tha për gazetarët presidenti kenian Uhuru Keniata.
Gazetat vendase dje hapeshin thuajse me të njëjtin kryetitull: “Karibu Obama” – Mirë se erdhe Obama!” në gjuhën Suahili, dhe premtonin “një pritje spektakolare për birin e kësaj toke”. Kanë kaluar nëntë vjet që kur Obama ishte në Kenia për herë të fundit, kohë kur mbante detyrën e senatorit të Ilinoisit.Gjatë atij udhëtimi ai vizitoi familjen e paraardhësve të vet në fshatin Kogelo, rreth 500 kilometra larg kryeqytetit. Ai do të kalojë dy net në Kenia dhe do të hapë zyrtarisht Takimin e gjashtë Botëror të Sipërmarrjes të shtunën paradite.
Por shumë kenianë janë më të entuziazmuar për faktin që njeriu më i pushtetshëm i botës do të “rikthehet në shtëpi”. Një televizion lokal ka nisur një fushatë në mediat sociale duke i ftuar njerëzit t’i urojnë mirëseardhjen Obamës nëpërmjet hashtagut #ObamaHomecoming. Kompania më e madhe e prodhimit të birrës në Afrikën Lindore, “Tusker”, ka vendosur në rrugën kryesore nga aeroporti një tabelë gjigante me shkrimin “Welcome Home Mr President” (“Mirë se erdhe në shtëpi, z. president!”).
Fshati i zhgënjyer
Kjo është e para herë që z. Obama udhëton në Kenia si president i SHBA-ve, pasi në 2006-ën e vizitoi vendin në lindje të Afrikës, si senator. Gjatë kësaj vizite ai do të ketë pak kohë në dispozicion për të kaluar me familjarët, por nuk do ta vizitojë Kogelon, fshatin e paraardhësve ku aktualisht prehet i ati. Gjyshja 93-vjeçare Sarah Obama, e cila jeton aty, shprehet e matur për faktin që i nipi nuk do ta vizitojë fshatin. “Ai është mysafir i presidentit Uhuru dhe është bir i Kenias, jo i Kogelos”, thotë ajo. Por të tjerët nuk e fshehin zhgënjimin. “Duam që biri ynë të vijë këtu. Do të ishim njerëzit më të lumtur në botë”, shprehet një banor i fshatit.
I drejtpërdrejtë në ankesën e tij është edhe i gjysmë-vëllai i presidentit, Xhorxhi, i cili shprehet i zhgënjyer që Obama do ta vizitojë Kenian, por jo edhe familjen e tij në shtëpinë e stërgjyshërve të tyre. Xhorxh Obama nuk e ka parë Presidentin që nga viti 2006 dhe thotë se fshati ishte përgatitur për këtë vizitë. “Fshatarët ankohen, sepse shpresonin se do ta shhnin. Por ai ka një agjendë të ngushtë, mendoj se po vjen për çështje qeveritare. Do të ishte shumë mirë sikur të vinte t’i shihte të afërmit. Ata shpresojnë se ai do t’i takojë”, tha Xhorxhi për “The Telegraph”.