Për periudhën 2014-2016, Qeveria Rama ka parashikuar 270 milionë euro privatizime të aseteve të mbetura pronë të Shtetit. Duket një plan realist, larg fryrjeve të qeverisë së mëparshme për privatizime apo koncesione miliarda euroshe. Plani do të ketë kundërshtar kryesor situatën e sotme në tregjet ndërkombëtare, stepjen e investuesve kryesorë strategjikë dhe dështimet e bujshme të qeverisë blu, sidomos ai për shitjen e Albpetrolit dy vjet më parë. Për këtë vit, Qeveria ka parashikuar privatizimin e të gjitha aseteve dhe aksioneve shtetërore të shoqërive në sektorët jostrategjikë.
Është një vendim i drejtë, pse deri tani, nëpërmjet bilanceve të trukuara, këto kompani jo-strategjike, me aksioner minoritar Shtetin shqiptar, nëpërmjet bilanceve të trukuara dilnin gjithnjë me humbje, ose me fitim minimal, në mënyrë që Shteti shqiptar të mos arkëtonte fitim. Në krahasim me rritjen reale të këtyre ndërmarrjeve gjatë 8 viteve të fundit dhe fitimit real që ato kanë realizuar(i shkuar gati i gjithi jashtë vendit), rritja e vlerës së aksioneve të shtetit është në raport një me dhjetë, në dëm të interesave të shtetit tonë. Edhe privatizimi i aksioneve të mbetura ende shtetërore në “Albtelekom” sh.a. është planifikuar për vitin 2014.
Me siguri, konsorciumi turk prapa Albtelekom do të jetë blerësi i këtyre aksioneve. Ky konsiderohet një privatizim i sigurtë. Pjesa shtetërore prej 16,7 përqind e aksioneve është vlerësuar me një vlerë prej 18 milionë eurosh. Privatizimi i paketës shteterore të mbetur tek ARMO do të jetë një sfidë e mirëfilltë. Kompania azere që sot është pronarja e ARMO paraqitet po aq pak e njohur nga publiku shqiptar sa edhe në kohën kur ishte thjesht kreditorja kryesore e kompanisë Taçi Oil.
Shitja e pjesës shtetërore është planifikuar të realizohet gjatë vitit 2015. Në “ARMO” sh.a., shteti zotëron rreth 14,9 për qind të aksioneve me një vlerë të përllogaritur në rreth 22 milionë euro. Privatizimi i pjesës së mbetur në OSSH do të jetë edhe ai me shumë pikëpyetje dhe probleme reale të forta. Kompania çeke CEZ i ka bërë një prezantim-vizatim të përbindshëm shtetit shqiptar, pas largimit të detyruar të saj nga tregu shqiptar. Ky prezantim ka bërë shumë përshtypje dhe është ende i gjallë mes investuesve kryesorë evropianë në sektorin energjitik. Do të duhet një punë kolosale dhe shumë profesionale nga ekipi privatizues i OSSH, që investuesit evropiane të largojnë përshtypjen e keqe dhe të ndërrojnë mendje. Kështu që dhe pjesës shtetërore të OSSH t’i gjendet një pronar i huaj.
Ndoshta “gjuetarëve” tanë shtetërorë do t’u duhet të shikojnë nga gjigandi rus Gaz Prom (i cili u tall në momentin e ofrimit për privatizim të Albpetrol, duke ofruar vetëm 55 milionë euro, i sigurtë se allishverishet e qeverisë së atëhershme të Shqipërisë e kishin përjashtuar nga gara reale), apo nga investuesit kinezë. Pjesa e mbetur e aksioneve shtetërore prej 24 përqind në OSSH vlerësohet 32 milionë euro, por nëse oreksi kinez arrihet të tërhiqet, OSH publike mund të shitet shumë më tepër.
Ndoshta në skenaret e privatizimit, drejtuesit e sotëm të Ministrisë së Energjitikës duhet të kujtojnë sprovën e suksesshme të shitjes së Bankës së Kursimeve në vitin 2002(12 vjet më parë). Me nismën e vetëm një drejtuesi kurajoz të asaj banke në atë kohë, u arrit të vinte në Shqipëri dhe sot të bëhet zot i tregut bankar shqiptar një gjigand austriak si Reiffeisen Bank, i cili në vitin 2002 as që e kishte përfshirë Shqipërinë në planet e tij të investimit. Dhe gjëja e parë që duhet të bëjnë drejtuesit e rinj, është të udhëtojnë për në Pekin dhe Moskë.

kjo qeveri qeveri i trajton privatizimet si strategjike dhe do i bej ne menyren e duhur ne sherbim te popullit dhe ne te mir te arkes se shtetit e jo korruptive sic i ka bere dei tani qeveria e meparshme
Privatizimi i menjehershem do te ishte gabim. Cmimi i ofruar do te pasqyronte keqmenaxhimin dhe mbi te gjitha keq-kontrollin dhe keq-monitorimin per te cilin akozohet qeveria Berisha.
Qeveria Rama duhet te ri-vere kontrollin mbi asetet qe i perkasin shtetit shqiptar, te marr ene pune Deloitte dhe cRown Agents qe te verifikojne bilancet e kompanive shteterore njesoj si po ben me Administraten Tatimore dhe me Doganat.
Pastaj te beje ci do qejfi, bile dhe ti shese.
Shesim pasuritë kombëtare për të mbushur sot sado pak arkën e shtetit, dhe për të grabitur nëpërmjet shitjeve. Të gjitha pasuritë kombëtare u shitën. Po nesër, në rast nevoje, çfarë do të shesim? Shtet i taksave, rentave, tatimeve! Pa asnjë prodhim. Prodhimet e kompanive të huaja skllavëruese nuk janë të Shqipërisë. Çudi e botës. Mjer mileti…
Hap i parakohshem i Qeverise. Por e keqja nuk qendron ne se hidhet ky hap apo jo. E keqja qendron ne faktin qe edhe komentuesit e vleresojne privatizimin si qellim ne vetvehte, si proçes shitjeje te pasurise shteterore vetem per te ardhura ne buxhet, nderkohe qe privatizimi duhet vleresuar si nje instrument per te realizuar nje reforme te caktuar ne tregje, sipas nje strategjie zhvillimi. Pa kete strategji dhe pa nje analize te hollesishme tregu (per çdo nje nga sektoret qe permenden ne shkrim) eshte e kote te transferojme te drejtat shteterore tek privatet. Nuk bejme gje tjeter vetem se ushqejme deformime te tregut me kosto shume te larte te mevonshme. Analizoni qete dhe me mend privatizimin e OSSH-se dhe mund te gjykoni vete.