Para disa kohesh Ministri i Drejtësisë zoti Halimi deklaroi ne një konference për shtyp se për këtë vit, krahas prioriteteve të tjera, kryesisht në sistemin e drejtësisë, një prioritet i rëndësishëm është reformimi i sistemit të burgjeve. Dy detyrat kryesore që sipas Halimit duhet të përmbushen brenda këtij viti janë privatizimi i transportit të të burgosurve me rrezikshmëri të ulët, privatizimi dhe ngritja e burgjeve nga investitorë privatë. Ky prioritet i qeverisë është justifikuar nga Halimi me faktin se ky privatizim do të këtë si pikësynim uljen e shpenzimeve qeveritare. Kjo nisëm do të marrë si shëmbull modelin amerikan. Por edhe në Amerike, ku ky sistem është aplikuar prej disa vitesh, ka pasur kritika të mëdha në lidhje me këtë cështje. Sipas disa studimeve të bëra nga institucione prestigjoze amerikane , burgjet private jo vetëm që nuk kursejnë fonde por në shumë raste janë edhe më të kushtueshëm.
Kjo linje mendimi është ndjekur edhe nga nobelisti për ekonomine Paul Krugman, i cili është shprehur se” në Amerike, premtimet e bëra nga burgjet private për uljen e kostove thjesht nuk janë materializuar. ” Gjithashtu një studim i bërë nga universiteti i Utah në vitin 2007 konkludon që “ulja e kostove nga privatizimi i burgjeve nuk është e garantuar dhe duket minimale”. Një mënyrë e uljes së kostove e ndjekur në burgjet private në Amerikë, ka qene shkurtimi i personelit te kualifikuar, vendim që ka ndikuar drejtperdrejt në cilësinë e sherbimit dhe përkeqësimin e trajtimit të burgosurve, si pasojë e rritjes se dhunes ndaj tyre, si dhe arratisjeve nga burgjet që vijnë nga pakujdesia e një personeli pak të kualifikuar.
Pyetja më e natyrshme që të vjen në mendje kur bëhet fjalë për burgje private është se cili është burimi i të ardhurave të tyre dhe sa fitimprures është realisht ky biznes. Qeveria ka harruar të na informojë se do jetë po ajo që do paguajë një shumë vjetore për cdo të burgosur në këto institucione, pra janë taksat qe do vazhdojne të përdoren për të mirëmbajtur te burgosurit, por në këtë rast do të manaxhohen nga nje firme e panjohur private. Nga ana tjetër një firmë private si qëllim kryesor të saj ka fitimin dhe rritjen e vazhdueshme të të ardhurave . Nuk do shumë mend për të kuptuar se burgjet private fitojnë po të kenë një shumë të konsiderueshme të burgosurish brënda tyre. Kini kujdes! Qëllimi kryesor i këtyre institucioneve do ishte burgosja e sa më shumë individëve në mënyre që t’u rriteshin fitimet . Ne gjithë këto vite, nuk kam hasur kurrë një qellim me pervers fitimi! Pikërisht këtu qëndron dhe konflikti i interesit në këtë lloj biznesi. Ai është i qartë sepse qellimi për të cilin është ngritur ky institucion bie ndesh me qëllimin e fitimit. Dua të them që burgjet janë institucione riedukimi dhë një nga qëllimet kryesore të tyre është riabilitimi i të burgosurve dhe riintegrimi i tyre në shoqëri. Ndërsa në rastin e burgjeve private riedukimi dhe riintegrimi do ishin qëllimet e fundit sepse burgu rrjedhimisht do kishte humbje në këtë rast.
Pra burgjet private maksimizojnë fitimin duke i mbajtur brënda të burgosurit sa më gjatë dhe në numer sa më të madh. Gjithashtu vlen për t’u përmendur fakti që këto institucione janë private dhe si të tilla nuk janë pjesë e llogaridhënies normale, ashtu sic janë institucionet shtetërore. Pra përgjegjshmeria e këtyre institucioneve ulet për arsye të një mungese llogaridhenie dhe pergjegjesie perpara popullit ose elektoratit. Qeveria mund të na japi shumë arsye për privatizimin e këtyre institucioneve, ndër to mund të ishte dhe fryma e privatizimit dhe rregullimi nëpërmjet tregut të lirë. Megjithatë sipas Krugman këto janë biznese që nuk operojnë në tregun e lirë, por ushqehen nga kontrata qeveritare dhe me fondet e taksapaguesve. Gjithashtu kjo tendence e privatizimit total nuk është gjë tjetër vecse një shenjë e qartë e një qeverie në agoni fiskale. Zgjedhjet po afrojne dhe mungesa gjithmone e më e madhe e fondeve në arkën e shtetit e ben qeverinë që të ndërmarë kësi aktesh te dëshpëruara. Si do që ta shtrojë cështjën qeveria, ajo eshte totalisht e pafuqishme të cungojë një nga pushtetet më të rëndësishme dhe që legjitimojne të drejtën e shtetit për të qenë i tillë, e drejta për të dhënë dhe për të ushtruar drejtësinë. Kjo është një e drejte e brendshme dhe thelbësore e aparatit shtetërore dhe erozioni i kësaj të drejte është një nga precedentet më të rrezikshëm në historinë e shtetit modern. Nuk mund të shihet ndryshe ky cungim, vecse si një sulm direkt ndaj shtetit dhe formës së funksionimit te tij.
Këtu na vlen te përmendim gjykimin e dhënë nga gjykata supreme e Izraelit per cështjen e burgjeve private. Kryetari i Gjykatës Supreme Dorit Beinisch, ka deklaruar se “parimet themelore ligjore të Izraelit shprehin se e drejta për të përdorur forcën në përgjithësi, dhe të drejtën për të zbatuar ligjin penal duke vendosur njerëz pas hekurave në veçanti, është një nga aktet më themelore dhe një nga fuqite më invazive në juridiksionin e shtetit. Kështu, kur pushteti për të burgosur është transferuar në një korporatë private qëllimi i së ciles është fitimi, akti i privimit të lirisë së një personi e humbet legjitimitetin e tij. Për arsye te humbjes se ketij legjitimiteti shkelja e të drejtës për liri të te burgosurit e tejkalon arsyen dhe shkeljen e bërë nga i burgosuri”
Faktet tregojnë qarte se burgjet private dështojnë të shërbejneë si institucione për të mirën publike.Ato nuk kursejnë para, janë më të dhunshëm, ofrojnë siguri të limituar, ofrojnë shërbim mjeksore të dobët dhe burgosin më shumë individe se sa e meritojne dhe mbi të gjitha drejtohen nga zyrtare privatë me motive konfliktuese.Kjo permbledh më së miri problematiken e kësaj nisme te qeverise shqiptare.Do ishte e udhës që për cështje të tilla, të cilat cënojnë thelbësisht funksionimin e shtetit, qeveria të tregohet e kujdeshshme dhe minimalisht cështja të shtrohet për një debat më të gjërë ndërinstitucional dhe komunitarë.
nje qeveri qe nuk siguron dot as edhe mirembjatjen e drejtesise dhe rintegrimit te shtetasve te saj nuk meriton te qendroj ne drejtimin e shtetit. DUHET TE VOTOJME MASIVISHT ME 23 QERSHOR PER TA NDESHKUAR!