Në Kuvend është depozituar projektligji i ri për krijimin e Shërbimit Kombëtar Shëndetësor. Nisma e premtuar në fushatën elektorale, synon mbulimin universal të sistemit shëndetësor.
Thelbi i projektligjit është që Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor do të duhet të paguaj për të gjithë personat e papunë, shërbimet e kujdesit shëndetësor parësor.
Aktualisht, personat e pasiguruar janë të detyruar të paguajnë tarifën e vizitës te mjeku i përgjithshëm, e cila mbulon koston e plotë të këtij shërbimi. Për ligjin, diskutimet pritet të zhvillohen në fillim të vitit të ardhshëm.
R E L A C I O N
ARGUMENTIMI I PROJEKTAKTIT LIDHUR ME PËRPARËSITË, PROBLEMATIKAT, EFEKTET E PRITSHME
Ndryshimi i propozuar lidhet me përmbajtjen e nenit 12, “Shërbimet shëndetësore të cilat nuk mbulohen nga sigurimet shëndetësore”, të ligjit nr.10383, datë 24.2.2011, “Për sigurimin e detyrueshëm të kujdesit shëndetësor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar.
Në këtë projektakt propozohet që FSDKSH-ja të financojë, për personat e pasiguruar, shërbimet e kujdesit shëndetësor parësor, që lidhen me vizitën e mjekut të familjes.
Aktualisht, personat e pasiguruar janë të detyruar të paguajnë tarifën e vizitës te mjeku i përgjithshëm, e cila mbulon koston e plotë të këtij shërbimi.
Ky projektligj është një hap më tej në zbatimin e programit të qeverisë për të ofruar mbulimin universal shëndetësor për gjithë shqiptarët rezidentë, ku asnjë individ të mos mbetet pa kujdes shëndetësor sepse nuk disponon mjetet e nevojshme financiare.
Shpesh, mekanizmat e sistemit shëndetësor ekzistues favorizojnë shmangien e kësaj pagese, madje kanë favorizuar zëvendësimin e saj me pagesën nën dorë.
Ky fakt konstatohet edhe në evidencat e vizitave te mjeku i familjes, ku pagesat nga të pasiguruarit rezultojnë shumë të pakta. Ndërkohë, sfida jonë është që t’u rikthejmë qytetarëve besimin e humbur te shërbimi shëndetësor dhe t’u japim atyre mbrojtjen e merituar.
Përjashtimet e tjera, kostot e të cilave do të mbulojë FSDKSH-ja janë:
- a) shërbimi në urgjencën mjekësore;
- b) shërbimi/përfitimi i paketës së kontrolleve periodike parandaluese në popullatë, sipas përcaktimeve të bëra me vendim të Këshillit të Ministrave;
- c) vizita te mjeku i familjes”.
