Sherefedin Shehu, aktualisht deputet i PD-se, mendon se buxheti i vitit 2013 nuk duhet të mbesë peng i kufirit të borxhit, por duhet të mbështesë ekonominë. Por kundër kësaj shprehet ish-ministri i Financave, Anastas Angjeli, i cili thotë se qeveria duhet të marrë masa për uljen e nivelit të borxhit dhe të menaxhojë më mirë financat publike.
“Në kushte të tjera duhet të ruhet niveli i borxhit brenda limitit të vendosur në ligj, por kjo situatë krijon edhe shmangie. Edhe vetë ligji ka përcaktuar që niveli i borxhit nuk duhet të tejkalojë 60 %, përveç situatave të veçanta që nënkupton periudhat e fatkeqësive e krizave dhe rasteve të ngjashme. Nuk mund të thuhet rrezik sepse kemi praktikat e vendeve të zhvilluara e atyre të pazhvilluara, vendet e rajonit, të cilat kanë patur kapërcim deri me 14 % të nivelit të borxhit publik”, deklaron Shehu.
Ndërsa, ish-ministri i Financave, Anastas Angjeli, thotë se qeveria duhet të marrë masa për uljen e nivelit të borxhit dhe të menaxhojë më mirë financat publike.
“Do të ishte absurde që të kishim një parashikim buxhetor me tejkalim të nivelit të borxhit publik mbi 60 %. Përkundrazi, ajo që pritej ishte të kishim masa për uljen e nivelit të borxhit, me qëllim që deri në vitin 2015, Shqipëria të kishte një nivel borxhi 54 %, siç edhe është deklaruar para disa muajve. Në fakt s’po ndodh kështu dhe kjo është rrjedhojë e një politike e menaxhimit jo efektiv të financave publike”, deklaroi Angjeli.
Një rritje e kontrolluar nuk përbën problem, thotë Shehu, sipas të cilit, në të gjithë botën është provuar që masat shtrënguese në periudha të vështira ekonomike ose të krizës, nuk janë produktive. Për këtë, Shehu thekson se në këtë periudhe krize rritja e nivelit të borxhit publik konsiderohet si një stimul ekonomik. Ky, thotë Shehu, është i vetmi argument për rritjen e borxhit publik. “Gjithmonë rritja e matur është standardi më i mirë, sepse borxhi në një nivel të caktuar prodhon rritje ekonomike”, nënvizon Shehu.
Por nuk ndan të njëtin mendim z. Angjeli. Ai është i mendimit se mbajtja e masave antikrizë edhe gjatë vitit 2013 në buxhet është e domosdoshme. “Buxheti duhet të përmbajë një politik të qartë fiskale për vitin 2013 në nxitje të rritjes ekonomike të vendit, sepse pa një rritje ekonomike nuk gjenerohen të ardhura. Por nga ana tjetër nuk duhet humbur kontrolli mbi defiçitin dhe borxhin dhe nuk duhet lejuar asnjë tejkalim i borxhit mbi 60 %”, deklaron Angjeli.