Letër e nënshkruar
Pjetër Bubaj
Na ka rënë rasti të udhëtojmë nga rrethet për në Tiranë dhe kemi vënë re mangësi të cilat nuk duan ndonjë vështirësi për përmirësim, por vetëm përkushtim. Nuk e kuptojmë arsyen pse nuk caktohen vend ndalimet në qendrat e banuara për të marrë udhëtarë dhe mos të ndalohen vend e pa vend, qoftë dhe për një udhëtar. Distanca nga Rubiku me Tiranën është 63 km dhe nga Lezha për Tiranë është 57 km, pra një diferencë e vogël. Në të dy linjat bien në sy vonesa gjatë udhëtimit dhe kur i bëhet vërejtje nga ndonjë udhëtar për gjithë këtë kohë vonese, të përgjigjet menjëherë se i shërbejmë popullit! Duke u nisur nga kjo përgjigje të linjës së Lezhës, në heshtje organizuam një kronometrim duke numëruar të gjithë ndalimet dhe pak para pa hyrë në Lezhë i drejtohemi shoferit duke i thënë se ju nga Tirana deri në Lezhë jeni ndaluar 31 herë pa përfshirë qytetin e Tiranës dhe po t’i llogarisim vetëm 1 minutë për çdo ndalim, i bie 31 minuta.
E habitshme ishte se disa udhëtarë i dolën menjëherë në mbrojtje shoferit duke u shprehur se kush do të shkojë më shpejt, le të marri taksinë! Populli thotë se hero mund të jetë vetëm një person që e bën detyrën e tij dhe e bën shumë mirë. Atëherë dalim atje se, a në këtë mënyrë i shërbehet popullit, që në një rrugë 1 orëshe të shkojë udhëtimi mbi 1 orë e gjysëm? Ku mbeti këtu shërbimi ndaj qytetarëve? Ana tjetër është se populli ka dhe një shprehje tjetër, se në qoftë se nuk bëhen vërejtje dhe kërkesa për të metat dhe dobësitë në çdo drejtim të jetës së vendit, atëherë vendi nuk ecën asnjëherë përpara!
Përfundimisht kërkohet: 1. Autobuzët të pajisen me bileta udhëtimi për çdo rrugë që të bëhet ashtu siç i kanë vendet fqinje të paktën. 2. Të caktohen vendndalimet e autobuzëve ndërqytetës në çdo vendbanim, për të eliminuar vonesat vend e pa vend gjatë udhëtimit, në mënyrë që rruga të përshkohet në afatin e caktuar. E nderuara “Dita” jonë e shtrenjtë dhe redaktorë të kësaj gazete shumë publike! Ju uroj punë të mbarë për ndihmën që i jepni komunitetit shqiptar. Lutemi, krijoni mundësinë të pasqyroni sa ta shikoni ju të arsyeshme.
