Raportimi më i fundit i INSTAT për rënie të konsumit duhet të ketë bindur edhe më optimistin tek ne, se ekonomia shqiptare është tashmë përballe problemeve serioze. Rënia e konsumit është para së gjithash mungesë parash, mungesë besimi, klimë biznesi e tejzgjatur në përkeqësim. Rënia e konsumit është shenjë së pari e rënies së tregtisë. Kjo do të thotë më pak para në qarkullim, më pak të ardhura nga taksat e për pasojë, më pak investime. Nëse e vazhdojmë efektin zinxhir, rënia e investimeve është rënie e punësimit dhe e prodhimit. Të gjitha këto kanë ndodhur tashmë në ekonominë tonë me një vijueshmëri e intesitet tronditës. Që në kohën kur disa muaj më parë përmbaruesit privatë filluan të zbërthejnë vidat e makinerive të një fabrike prodhimi birre, u pa qartësisht se biznesi privat po hynte në një fazë problematike. Arsyeja pse ndodhte kjo përplasje bankë-biznes publikisht ishte mosaftësia e shlyerjes së kredisë prej miliona euro. Në pamje të parë duket se gjithshka funsionon në bazë të rregullave të ekonomisë së tregut. Por a është kështu? Sigurisht që jo. Biznesi privat (dhe jo vetëm ajo fabrikë birre) është prej vitesh në vështirësi të mëdha financiare. Ka me qindra milionë euro kredi të pakthyera pranë bankave. Ka mungesë të theksuar likuiditetesh. Kërkon një armëpushim, një rënie dakord me bankat, që të marrë veten dhe të rifillojë pagesat e kësteve të kredive të pakthyera. Bankat janë dakord, por qeveria dhe banka jonë qëndrore nuk lëvizën të garantonin këtë armëpushim. Rezultati mjeran i sotëm është përkeqësimi i gjendjes së biznesit dhe me qindra sipërmarrje serioze e deri dje me të ardhme gati të sigurtë, sot në prag të falimentimit. Por biznesi ka edhe një hall tjetër më të madh se ky. Marrëdhënien e tij të vështirë me qeverinë, sidomos me segmentin e saj fiskal. Një trupë prej 300 “hetuesish tatimorë” (rekomandimet e institucioneve ndërkombëtare kanë qenë vetëm për 10 të tillë) kërkojnë të nxjerrin atë që nuk është nga bilancet e sipërmarrësvë, të nxjerrin dhjamë nga pleshti, në kushtet e mungesës së të ardhurave për Buxhetin e Shtetit, të cilat kanë rënë së bashku me besimin e ndërsjelltë. Marrëdhëniet biznes-qeveri sot mund të konsiderohen si ndër më të acaruat e këtyre 22 viteve tranzicion dhe ekonomi tregu. Aventurat e herëpashershme të qeverisë me ndërhyrjet arrogante në sistemin fiskal i ka vuajtur deri tani vetëm biznesi dhe qytetarët-konsumatorë. Po bëhen disa vite që ndërhyrjet në taksa janë bërë fare spontane dhe të pastudjuara. Kjo ndodhi, për shembull, dhe me taksën e shitjes së automjeteve dy vjet më parë, prej së cilës pritej shtim të ardhurash në buxhet. Jo vetëm nuk u shtuan të ardhurat, por akoma më keq, një treg i rëndësishëm i vendit, ai i shitblerjes së automjeteve, u fut në informalitet të plotë. Vendosja e taksës, e stimuluar nga interesa të ndryshme, bëri që në pak muaj në Shqipëri të mos ketë një treg të brendshëm të shitjes së makinave. Ato dhuroheshin ose jepeshin me akte përdorimi (shpikje për të anashkaluar një taksë të pallogjikshme). Qeveria sërisht nuk u konsultua me biznesin, megjithë kërkesat e herëpashershme të shoqatave të tij për bashkëpunim. E la gjendjen të bllokuar mbi 2 vjet rresht. Buxheti i Shtetit nuk i pati kurrë të ardhurat që priste dhe një segment i rëndësishëm tregu vuajti në informalitet të plotë. Banka e Shqipërisë është lodhur së dali publikisht dhe kërkuari reformimin e sektorit të jashtëm të ekonomisë, ndihmesën ndaj eksportuesve shqiptarë. Pse ky sektor realisht përbën një dobësi strukturore të ekonomisë shqiptare. Banka qendrore ka theksuar vazhdimisht nevojën për thellimin e reformës strukturore, në mbështetje të një modeli të ri të rritjes e të zhvillimit të ekonomisë shqiptare. Por qeveria u muar vetëm me deklarata mbështetëse në publik dhe konkretisht i mbylli të dyja sytë dhe veshët, e zënë me pazaret e koncesioneve dhe privatizimeve. U kujtua të ndihmojë eksportuesit me përshpejtimin e rimbursimit të TVSH-së dhe heqjen e saj për makineritë që fasonistët importojnë vetëm 3 muaj nga zgjedhjet e 23 qershorit, atëhere kur kishte nevojë urgjente për vota. Ndërkohë që në bazë të kërkesave të biznesit, këtë duhej ta kishte bërë që në fillim të krizës, në muajt e parë të vitit 2009. Kjo do të kishte qenë një ndihmë e madhe dhe një shpëtim për gjendjen gati katastrofike ku gjenden shumë biznese prodhuese dhe eksportuese në Shqipëri. Ta quash qeverinë tonë një qeveri refraktare dhe anemike ndaj nevojave dhe kërkesave të biznesit vendas e të huaj tek ne, kjo është më e pakta.