Problemet me shëndetin mendor shfaqen që në moshat e vogla, por janë të paktë prindërit që arrijnë t’i evidentojnë në kohë shkaqet nga të cilat vuajnë fëmijët e tyre. Kjo për shkak të mungesës së informacioneve në identifikimin e simptomave me të cilat sëmundjet e shëndetit mendor shfaqen gjatë rritjes së fëmijëve.
Sipas ekspertëve të shëndetit publik, nuk kanë qenë të pakta rastet kur prindërit janë kujtuar që t’i çojnë fëmijët tek mjeku specialist në gjendje të rënduar, për shkak të moszbulimit në kohë të shqetësimeve që fëmija mund të ketë manifestuar gjatë aktiviteteve të përditshme që kryen. Nëpërmjet një udhëzuesi shpjegues të çrregullimeve më të shpeshta që shfaqen në shëndetin mendor të fëmijëve, dy ekspertët e kësaj fushe pranë Institutit të Shëndetit Publik, psikologia klinike Orjola Pampuri dhe Erka Amursi tregojnë se faktorët që çojnë në nxitjen e këtyre çrregullimeve janë: “Marrëdhëniet në familje, mënyra e prindërimit, kultura e shkollës, faktorët socialë si: varfëria apo krimet, si dhe largimi nga jeta i njerëzve të dashur”.
Nëse fëmijët qëndrojnë nën ndikimin e faktorëve të tillë atëherë prindërit duhet të jenë të kujdesshëm që të kuptojnë simptomat se si fëmijët tregojnë se sa të shqetësuar janë. Në situata të tilla kuptohet që fëmija është i shqetësuar nëpërmjet “shpërthimit të inatit, sillet keq dhe në mënyrë agresive, veçohet nga jeta familjare dhe fëmijët e tjerë, është i paaftë të jetë pjesë e një aktiviteti apo edhe të flejë, shikon shumë ëndrra të këqija, ka vuajtje dhe dhimbje, qan shumë, si dhe refuzon ushqimin”. Këto veprime vënë në dukje mundësinë e shfaqjes së çrregullimeve në shëndetin mendor të fëmijës. Ndër problemet më të shpeshta të shëndetit mendor që shfaqen tek moshat shkollore raportohen të jenë “autizmi, çrregullimet e të ngrënit, çrregullimet e të nxënit, depresioni, fobitë, çrregullimet e ankthit etj, ndaj të cilave prindërit duhet të tregojnë kujdes maksimal.
Si të kuptojmë në kohë që fëmija ynë vuan nga autizmi
Numri i fëmijëve që përballen me sëmundjen e autizmit në vendin tonë gjatë viteve të fundit ka pësuar rritje të ndjeshme. Madje ajo që konsiderohet edhe si më shqetësuese, mbetet fakti i mosevidentimit në kohë të kësaj sëmundje tek fëmijët e vegjël. Ndaj është detajuar një manual me këshilla që do t’u jepen të gjithë prindërve që sjellin në jetë fëmijë, që të mund të kapin në kohë komplikacionet e autizmit.
Si një nga simptomat e para të autizmit, është kontakti me sy, kur fëmija i largohet çdo lloj kontakti me sy me fëmijë të tjerë, po ashtu edhe me prindërit. Rol me rëndësi është diagnostikimi i hershëm i autizmit që në moshën 3-vjeçare, sepse terapitë do të kenë me shumë sukses në krahasim me rastet kur sëmundja zbulohet më vonë në stade më të rënduara.
Megjithatë, simptomat më të shpeshta që shfaqin fëmijët autikë ndaj të cilave prindërit duhet të jenë shumë të vëmendshëm janë: “Probleme me shikimin, vështirësi në të folur, probleme me dëgjimin dhe komunikimin, aftësi të kufizuara për të kryer veprime të pavarura, fëmija izolohet në vetvete, formulon me vështirësi mendimet, si dhe paraqet vështirësi në të kuptuar dhe të kujtuar”.
Gjithashtu, duhet përmendur se mjekësia deri në ditët e sotme nuk ka mundur të identifikojë shkaktarin e autizmit, përkundër përpjekjeve të mëdha që po bëhen. Një pjesë e fëmijëve autikë shfaqin shkallë të lartë të dhuntive në sfera të ndryshme, si në muzikë, art dhe ndonjëherë edhe në matematik.
Dy çrregullimet e të ngrënit nga të cilat fëmijët duhen mbrojtur
Kequshqyerja është një ndër shkaktaret që po ngarkon shëndetin e shqiptarëve me komplikacione të shumta e së fundmi po manifestohet edhe tek moshat shkollore. Strukturat shëndetësore tregojnë praninë e çrregullimeve edhe në të ngrënë, të cilat nëse nuk marrin kujdesin e specializuar në kohë mund të mbartin pasoja të rënda.
Ekspertët e shëndetit publik vënë në dukje se çrregullimet e të ngrënit fillojnë në moshën e adoleshencës, dhe janë më të shpeshta tek vajzat se tek djemtë. Numri i të rinjve me çrregullime të ngrënit është i vogël, por personat me këto çrregullime mund të kenë pasoja serioze në shëndet, dhe në rastet kur nuk trajtohen pasojat mund të jenë edhe vdekjeprurëse. Personat me çrregullimet e të ngrënit, e shohin peshën e trupit si qendrën e identitetit dhe lumturisë së tyre.
Dy çrregullimet më të shpeshta e të ngrënit janë:
Anoreksia nervore, çrregullim shfaqet tek personat që kanë frikë intensive të shtimit në peshë dhe refuzojnë të ushqehen.
Bulimia nervore, e cila shfaqet tek personat që ushqehen në mënyrë të tepruar dhe këtë sasi të madhe ushqimi e eliminojnë duke e vjellë. Bulimikët kanë peshë normale, ndërsa anoreksikët janë ekstremisht të dobët. Mjekët bëjnë me dije se të dyja këto forma të çrregullimit të ngrënies nuk duhen neglizhuar pasi në të kundërt pacienti mund të përballet me pasoja fatale.
Çrregullimet e të nxënit
Në këtë grup të problemeve që prekin shëndetin mendor të fëmijëve, përfshihen çrregullimi i aftësisë së të lexuarit, matematikore dhe të shkruarit. Karakteristika kryesore e këtyre çrregullimeve është se leximi, aftësitë matematikore, aftësitë për të shkruar janë dukshëm nën nivelin e pritur, duke pasur parasysh moshën kronologjike, inteligjencën e matur dhe shkollimin e individit në përputhje me moshën e tij.
Fëmijët me çrregullime në të nxënë nuk janë fëmijë me prapambetje mendore. Ata mund të kenë inteligjencë mesatare ose të lartë dhe sërish të kenë probleme në lexim, shkrim apo matematikë. Por mund të ndodhë që fëmija të ketë edhe vështirësi në të nxënë dhe njëkohësisht edhe prapambetje mendore, por këto janë dy gjëra të ndryshme.
Është vlerësuar se çrregullimet e të nxënit prekin 2-10 për qind të popullatës, në varësi të testeve dhe përkufizimeve të çrregullimeve të përdorura. Fëmijët që vuajnë nga çrregullimet e të nxënit mund të manifestojnë simptoma të ndryshme si “të shfaqin vështirësi në të mësuarit të alfabetit, fjalët që rimojnë, ose të bëjnë lidhjen mes shkronjave dhe tingujve korrespondues. Mund të bëjë gabime kur lexon me zë të lartë, kur përsërit fjalët dhe frazat dhe kur bën pauza të shpeshta. Mund të shqiptojë keq fjalët ose të përdorë fjalën e gabuar që tingëllon njësoj me atë që do të thotë, mund të ketë probleme me organizimin e mendimeve që do të shprehë ose nuk gjen dot fjalët e duhura gjatë një bisede apo detyre me shkrim”
Si shfaqet depresioni tek fëmijët
Depresioni është një fenomen i hasur shpesh në kohët e sotme. Dikush i lodhur nga intensiteti i ditës e dikush tjetër i vetmuar si pasojë e një kulture moderne gjithnjë e më individuale. Fëmijë me lidhje të dobëta familjare, si dhe problemet social-kulturore përgatisin një terren të favorshëm për shfaqjen e depresionit në formën e traumave dhe çrregullimeve psiko-fizike.
Nëse fëmija ka një prind me depresion, ka një përqindje nga 25 për qind deri në 50 për qind për të qenë dhe vetë i tillë, ndërsa për ata fëmijë që prindërit u vuajnë herë pas here nga depresioni, mundësia rritet deri në 75 për qind. Prindërit duhet të dinë që depresioni më tepër i atribuohet kushteve të jashtme se sa gjeneve. Situatat traumatike në jetë, si: braktisja, dhuna në familje, problemet kronike në shkollë, divorci i prindërve ose edhe lindja e një fëmije tjetër në familje, rezultojnë në depresion te fëmijët që janë në periudhën e formimit.
Mërzitja ose vuajtjet e lehta nuk janë domosdoshmërisht depresion. Nëse fëmija ndihet i trazuar, nuk është për t’u shqetësuar, por nëse kjo situatë zgjat me javë dhe kjo ndikon dhe marrëdhëniet që fëmija ka me ambientin që e rrethon mund të quhet klinikisht depresion. Gati shumica e fëmijëve në depresion nuk shprehen që janë të pakënaqur, por kanë mungesë dëshire për të luajtur, qajnë shpesh, kanë probleme me të ushqyerit dhe orarin e gjumit, irritohen kur u flasin ose i prekin.
Në mosha pak më të mëdha depresioni është më shumë sesa një gjendje e paqëndrueshme shpirtërore, kjo shoqërohet me një pesimizëm të theksuar, e bëjnë njeriun të ndihet i pashpresë, i pandihmueshëm, i pavlefshëm, shpesh duke folur dhe për vdekjen ose vetëvrasjen. Vihet re ngadalësim i të folurit dhe i lëvizjeve, si edhe momente euforie të papritura. Humbja e përqendrimit, irritimi kronik, rezultatet e dobëta në mësime, vështirësia për t’u shoqëruar me moshatarët janë pasoja që duhet të tërheqin vëmendjen e prindërve për të marrë masat e duhura.
Fëmijëria e hershme është periudha e cila mendohet si periudhë pa brenga dhe e lumtur, por sipas hulumtimeve të fundit thuhet se depresioni mund të paraqitet edhe tek parashkollorët, madje edhe tek fëmijët e moshës tre vjeç.
Hiperaktiviteti
Hiperaktiviteti është çrregullim i shëndetit mendor i cili vështirëson shkallën e përqendrimit të fëmijës. Fëmijët, të cilët janë hiperaktivë dhe kanë mungesë përqendrimi të theksuar, janë të lëvizshëm, shpërqendrohen shpejt, nuk mund t’i ndalosh gjatë aktivitetit të tyre të rrëmbyer dhe e kanë të pamundur të presin, qoftë edhe pak sekonda. Shfaqin shenja padurimi, nervozohen dhe lëndohen shumë shpejt. Sa më shumë të përballen me ambiente të reja dhe të ndihen të huaj në të, aq me të vështirë e kanë të heqin dorë nga veset tekanjoze. Krahas prindërve, edhe mësuesit duhet të jenë shumë të kujdesshëm në trajtimin që duhet t’u bëjnë fëmijëve që manifestojnë çrregullime të hiperaktivitetit.
Fobitë
Fobitë janë frikëra që nuk kanë të bëjnë me një rrezik real. Fëmijët dhe adoleshentët mund të kenë fobi rreth gjithçkaje. Fobitë më të shpeshta janë fobitë sociale, të cilat përfshijnë ankthin për çdo situatë, frikë nga disa kafshë dhe frikë nga errësira.
Çrregullimet e ankthit
Fëmijët me çrregullim të ankthit nervozohen shumë shpejt e pa shkak. Shkaqet e nervozizmit mund të jenë: rezultatet e dobëta në shkollë, një lojë futbolli me shokët apo edhe pamja e jashtme. Fëmijë edhe më të vegjël, në klasë të parë apo edhe në parashkollor mund të kenë ankthin dhe frikën e ndarjes nga prindi etj.
Edhe ky lloj çrregullimi nëse evidentohet në kohë nga prindi dhe trajtohet me kujdes duke i dhënë më shumë rëndësi fëmijës, si dhe duke i shpjeguar se si ankthe të tilla nuk janë të dëmshme, kalojnë pa pasoja. Në të kundërt neglizhenca e tyre mund të bëhet shkak për rëndimin e mëtejshëm të këtyre çrregullimeve duke kaluar edhe në forma më të rënda, të cilat mund të lënë gjurmë në rritjen e shëndetshme të fëmijës apo adoleshentit.
ju lumte