Mërzitja, vështirësia në të përqendruar, apo agresiviteti nuk janë simptoma që në çdo rast mund të tregojnë praninë e problemeve të shëndetit mendor tek fëmijët. Sipas Pampurit, duhet kuptuar se mërzitja ose vuajtjet e lehta nuk janë domosdoshmërish depresion. Nëse fëmija ndihet i trazuar, nuk është për t’u shqetësuar, por nëse kjo situatë zgjat me javë dhe kjo ndikon dhe marrëdhëniet që fëmija ka me ambientin që e rrethon mund të quhet klinikisht depresion. Gati shumica e fëmijëve në depresion nuk shprehen që janë të pa kënaqur, por kanë mungesë dëshire për të luajtur, qajnë shpesh, kanë probleme me të ushqyerit dhe orarin e gjumit, irritohen kur u flasin ose i prekin. Në mosha pak më të mëdha depresioni është më shumë se sa një gjendje e paqëndrueshme shpirtërore, kjo shoqërohet me një pesimizëm të theksuar, e bëjnë njeriun të ndihet i pashpresë, i pandihmueshëm, i pavlefshëm, shpesh duke folur dhe për vdekjen ose vetëvrasjen. Vihet re ngadalësim i të folurit dhe i lëvizjeve si edhe momente euforie të papritura. Humbja e përqendrimit, irritimi kronik, paraqitja e dobët në mësime, vështirësia për t`u shoqëruar me moshatarët janë pasoja që duhet të tërheqin vëmendjen e prindërit për të marrë masat e duhura. Fëmijëria e hershme është periudha e cila mendohet si periudhë pa brenga dhe e lumtur, por sipas hulumtimeve të fundit thuhet se depresioni mund të paraqitet edhe tek parashkollorët madje edhe tek fëmijët e moshës tre vjeç. Fëmijë me lidhje të dobëta familjare, si dhe problemet social-kulturore përgatisin një terren të favorshëm për shfaqjen e depresionit në formën e traumave dhe çrregullimeve psikofizike. Pampuri vë në dukje me tej se nëse fëmija ka një prind me depresion, ka një përqindje nga 25 për qind deri në 50 për qind për të qenë dhe vetë i tillë, ndërsa për ata fëmijë që prindërit u vuajnë herë pas here nga depresioni, mundësia rritet deri në 75 për qind. Duke vënë kështu në dukje rrezikun se depresioni apo format e tjera të çrregullimeve mendore krahas pacientit mund të prekin dhe personat e tjerë të familjes, çka e shton barrën e rrezikshmërisë.
