(Përditësim) Nisin kontrollet nëpër çerdhe, si dhe tek të sëmurët me cerozë lidhur me problemin e qumështit të infektuar. Burimet zyrtare bënë të ditur se kontrollet po ushtrohen për të parë nëse toksina kancerogjene ka krijuar ndonjë shkallë problemesh sidomos tek fëmijët e vegjël.
Nga ana e tyre, autoritetet shqiptare dolën sot në media duke u shprehur: “Jemi para jush pas një fakti të bërë publik për mediat pas prezencës së aflatoksinës në qumësht. Fakti që u konstatua fillimisht në Kosovë nuk do të thotë se AKU dhe ISHP e kanë pasur jashtë vëmendjes së tyre mishin e qumështin. Autoritetet Shëndetësore ndërhynë kur ka informacione për shtim të helmimeve në njerëz, apo kur ka sinjalizime për prani të faktorëve të riskut, flas për hetim epidemiologjik”.
***
Ekspertë të shëndetësisë, të pyetur nga gazeta “Dita” shprehen se një qumësht i infektuar mund të japë efekte tumorale tek personat që janë të sëmurë apo që kanë imunitet të dobët edhe brenda 6-7 muajsh të përdorimit. Por nga ana tjetër mund të ketë edhe përdorime mbi një vit dhe të mos japë probleme. Sipas ekspertëve, kjo toksinë është sezonale dhe lopa nuk e ka bakterin gjatë gjithë kohës. “Duhet të kemi parasysh se SHBA-ja ka një standard normal shumë herë më të lartë se ky që ka dalë tek ne, ndërkohë që BE-ja e ka më të ulët”, u shprehën ekspertët, të cilët thonë se nuk e dinë se si do t’i jepet zgjidhje këtij problemi.
***
Konfirmohen dyshimet për ndotjen toksike të disa llojeve të qumështit që gjendet në tregun shqiptar. Autoriteti Kombëtar i Ushqimit pas kryerjes së analizave paraprake, ka pohuar praninë e toksinave të rrezikshme shumë herë më të larta sesa normat e lejuara nga vendet e Bashkimit Evropian. Kreu i këtij institucioni, Artan Gjergji, tha dje se në analizat paraprake të një sasie të konsiderueshme qumështi të prodhuar në vend për eksport, ka vërejtur sasi të “aflatoksinës” mbi normat e lejuara nga BE.
Aflatoksina është një lloj myku që merret nëpërmjet ushqimit nga lopët. Në përmbajtje të saj janë lënde toksike kancerogjene, të cilat nëse përdoren për një kohë të gjatë, shkaktojnë dëme të mëdha në organizëm, pasi çojnë në sëmundje tumoriale të mëlçisë, stomakut, zorrëve e aparatit tretës në tërësi. Përballë kësaj situate shqetësuese, thonë se sasia e qumështit “Primalat” dhe “Fast”, në të cilën është gjetur aflatoksinë duhet asgjësuar menjëherë, pasi fatkeqësisht ky element toksik është rezistent edhe ndaj zierjes së qumështit në temperaturën 100 gradë Celcius.
Analizat e kryera
Kreu i AKU-së, Artan Gjergji, deklaroi se analizat e qumështit janë kryer nga Laboratori i Institutit të Sigurisë Ushqimore dhe Veterinare, por të dhënat përfundimtare pritet të dalin pas disa ditësh. Ndërkohë që do të jetë Laboratori i Holandës ai që do të japë përgjigjen e fundit nëse ky qumësht duhet tregtuar apo jo. Por deri në marrjen e kësaj përgjigjeje, kreu i AKU-s thotë se janë njoftuar të gjitha subjektet e dyshuara për të tërhequr mallin nga tregu, si dhe të bllokojnë atë që është në magazinë.
“Rezultatet e analizave paraprake (e theksoj, paraprake) që u bënë gjatë së hënës në laboratorët e Institutit të Sigurisë Ushqimore dhe Veterinarisë, na bëjnë të dyshojmë për përmbajtje mbi normat e lejuara nga Bashkimi Evropian, të Aflatoksinës në partitë e kontrolluara të disa subjekteve shqiptare dhe atyre të importit.
Këto rezultate mbeten paraprake, pasi ISUV ende nuk është laborator i akredituar për analizat e Aflatoksinës. Gjithashtu, ne do të marrim të gjithë masat që këto analiza që janë kryer tashmë, por edhe ato që do të vijojmë të kryejmë, të konfirmohen në Holandë, laboratorë të akredituar nga Bashkimi Evropian. E marrim këtë masë për arsye se as laboratorët e Shqipërisë dhe as ata të Kosovës, ende nuk janë akredituar për kryerjen e analizave të mykotoksinave”, thuhet në raportin e detajuar nga kjo agjenci.
Po dje reagoi edhe Zyra e Mbrojtjes së Konsumatorit duke kërkuar nga institucionet që të marrin masa dhe të ndërhyjnë në largimin e këtij qumështi nga tregu, shitja e të cilit ka vijuar. “Të bllokohet e gjithë sasia e produktit në gjithë tregun shqiptar me detyrim, dhe jo vullnetarisht, çka do të thotë që nëse e bën me detyrim, askush nuk ka të drejtë ta tregtojë. Nëse e bën vullnetarisht dhe nëse ti e gjen në treg, nuk ka asnjë detyrim ligjor askush që të mbajë përgjegjësi. Kërkesa e dytë lidhet me analizat e kompletuara, të certifikuara jo vetëm për këtë sasi qumështi, po për të gjithë qumështin dhe mishin në tregun shqiptar, pasi ka të dhëna që flasin për përmbajtje jo vetëm të këtyre përbërësve të cilët njihen si përbërës shumë kancerogjenë, po dhe për steroide dhe elemente të tjera mikrobik” , thuhet nga drejtuesit e kësaj zyre.
Mikrobiologia Rozeta Hasalliu: Konsumi i gjatë i qumështit me aflatoksinën shkakton sëmundje tumorale
Aflatoksina në qumësht shkaktohet nga ushqimi që marrin kafshët. Sipas mikrobiologëve, kjo toksinë kancerogjene në rast së është mbi normat e lejuara, si dhe konsumohet për një kohë të gjatë, çon në shfaqjen e sëmundjeve të ndryshme tumorale që prekin organizmin e njeriut.
“Problemi për aflatoksinën është që tek qumështi mund të vijë që nga ushqimi që merr lopa me anë të drithërave të ndryshëm, dhe prodhohet nga një mikroorganizëm që është aspergilus flatus, e më pas nga kafsha kalon tek qumështi.
Vetë organizimi i njeriut është tolerant rreth kësaj toksine por nëse njeriu ndeshet shpesh me të, atëherë ai mund të jetë dhe kanceroz. Lënda e parë, qumësht, duhet të jetë si një ngarkesë mikorobiologjike brenda standardeve evropiane, sepse më pas edhe një trajtim i mëtejshëm i qumështit nuk mund të eliminojë këtë ngarkesë biologjike që nuk mund të shkatërrohen nga pasterizimi i thjeshtë”, bën të ditur mikrobiologia e qumështit dhe nënprodukteve të tij, Rozeta Hasalliu.
Shtimi i këtyre problemeve sipas mikrobiologëve është se në punishtet e mëdha në të cilat përpunohet qumështi, vërehet mungesa e teknologut, ekspert ky i fushës që detajon se sa është ngarkesa mikrobiale e qumështit që stadin e parë të hyrjes në stabiliment (punishte).
Sipas saj, sasitë e qumështit që janë gjetur me sasi të lartë të kësaj toksine duhet detyrimisht të asgjësohen, pasi në ato janë rezistente edhe ndaj zierjes.
