Nga Dr. Aida Zhupa
Tashmë bullizmi nuk është më një term i panjohur, sepse të gjithë, në një formë apo në tjetrën, kanë dëgjuar mbi këtë dukuri shqetësuese. Bullizmin mund ta përcaktojmë si një formë dhune të shtrirë në kohë, fizike dhe psikologjike, të kryer nga një individ ose grup individësh drejtuar kundër një personi të vetëm, i cili nuk është në gjendje të mbrohet në një situatë të caktuar. Një nga terrenet më të përshtatshme për t’u përhapur është shkolla, ku objekt i bullizmit mund të bëhet nxënësi/ja, që duket se ka më pak besim te vetja, që nuk mund të vetëmbrohet apo që ka më pak shoqëri. Disa nga prirjet që e nxitin të qenit bullist, mund të jenë: dëshira për të dominuar të tjerët, për të qenë lider dhe sa më popullor; persona me sjellje agresive, që kanë vështirësi në ndjekjen e rregullave apo udhëzimeve; të rinj që bien lehtë pre e presionit të bashkëmoshatarëve dhe kthehen në bullizues për të ruajtur imazhin e tyre; adoleshentë që kanë probleme të ndryshme në familje, përfshirje të ulët të prindërve në edukimin dhe mbarëvajtjen e tyre në shkollë etj. Sipas statistikave të studimeve në nivel kombëtar për vitin e kaluar, rezulton se 1 në 5 nxënës ose mbi 20% janë të prekur nga simptoma e bullizmit nëpër shkolla, 10% e tyre janë viktima, 6% agresor dhe 4% agresor edhe viktima bashkë. Rezulton, po ashtu, se fenomeni është i përhapur më shumë tek djemtë sesa tek vajzat, në zonat urbane në krahasim me ato rurale dhe në shkollat private në raport me ato publike. Sipas studimit, kjo sjellje shfaq një rritje të theksuar në klasën e katërt dhe të pestë. Në klasën e gjashtë ka një rënie dhe më pas rritet gradualisht deri në klasë e nëntë, ku arrin shifrat më të larta. Në shkollën e mesme pëson rritje të ndjeshme në klasën e njëmbëdhjetë. Sipas pyetësorëve të organizuar në shkolla, nxënësit pranojnë se për këtë problem më shumë hapen me shokët/shoqet dhe më rrallë me prindërit apo mësuesit kujdestar. Në pak raste iu drejtohen drejtorisë së shkollës apo kërkojnë ndihmën e psikologëve shkollorë. Një numër akoma më i vogël i nxënësve të bulluar ndryshojnë shkollën. Problemi qëndron pikërisht në reagimin e nxënësve të tjerë dhe në ndërhyrjen e tyre për ta shmangur konfliktin. Përgjithësisht nxënësit shprehen se u vjen keq për viktimën dhe do donin ta ndihmonin, ndërsa një numër i vogël mendon se viktima e meriton atë që i ndodh dhe shumë pak shprehin indiferencë ndaj problemit. Sa rezulton, nxënësit e tjerë ndërhyjnë shumë rrallë ose asnjëherë, gjë që duhet të shqetësojë vërtetë shoqërinë.

Dukuria mund të zgjasë nga 1 muaj deri në disa vite. Vendi ku ndodhin më shumë fenomene te tilla është në klasë kur mësuesit nuk janë të pranishëm dhe më rrallë kur ata janë në klasë, në oborrin e shkollës, fushën e sportit, në vendqëndrimet e mjeteve të transportit etj. Forma më e përhapur e bullizmit është ai psikologjik, ku përfshihet përhapja e thashethemeve dashakeqe, me qëllim denigrimin e personalitetit të viktimës, më pas vjen ai verbal, kur përdoren fjalë fyese, tallëse, për t’i vënë në lojë subjektet e bullizuara dhe bullizmi fizik, ku janë prezent goditjet, rrahjet, mbyllja brenda një mjedisi, shkatërrimi ose marrja e sendeve personale etj. Jo më pak i përhapur dhe mjaft i rrezikshëm është edhe bullizmi virtual, ku janë të përfshirë një numër i konsiderueshëm nxënësish. Në këto raste, në dijeni vihen më shpesh prindërit, shokët dhe shoqet dhe më rrallë mësuesit. Shkaqet e kësaj dukurie, që në kohët e sotme po merr përmasa të frikshme, janë të shumta dhe të studiuara nga perspektiva të ndryshme. Por, një gjë është e qartë, se pavarësisht nga faktorët e shumtë, që shpesh ndërthurren me njëri-tjetrin, bullizmi vret, ai e çon viktimën drejt vetëvlerësimit të ulët, izolimit social, depresionit dhe vetëvrasjes. Shoqëria e sotme po “prodhon” gjithmonë e më shumë njerëz më pak social, individualist, që rrugën e suksesit e shohin duke shkelur mbi të tjerët dhe jo duke bashkëpunuar. Fëmijët e bulluar dallohen nëse kanë shenja të ndryshme në trup; nëse kërkojnë para pa ndonjë arsye bindëse; kur nuk dëshirojnë të shkojnë në shkollë apo nuk kanë dëshirë të luajnë me shoqërinë e tyre; nëse dëshirojnë të ndryshojnë mënyrën e të shkuarit në shkollë; kur kërkojnë të ndrrojnë shokun/shoqen e rrugës për në shkollë; vijnë vonë nga shkolla; kanë dëme materiale si çanta, mjete mësimore, rroba, etj. Një ndryshim dramatik në mënyrën si fëmija përdor teknologjinë ose mediat sociale mund të jetë një shenjë që ai po pëson bullizëm online, pohojnë studiuesit. Për shembull, nëse një adoleshent, i cili zakonisht shpenzonte një ose dy orë në Snapchat pas shkollës, fillon ta injorojë telefonin ose ta përdorë shumë më tepër sesa më parë, diçka po ndodh në jetën e tij. Duhet të jemi të vëmendshëm për të vëzhguar nëse fëmija ndihet i nervoz, i frustruar ose i inatosur, gjatë ose pasi kalon kohë me pajijset. Ndryshime drastike, shpesh, mund të sinjalizojnë një problem. Të gjithë fëmijët adoleshentë që janë viktima të bullizmit, mbas një trysnie të përsëritur psikologjike dhe fizike, shfaqin simptoma anormale të shoqëruara me ndjenja frike, ankthi dhe pasigurie. Kjo gjë ju krijon atyre trishtim, mbyllje në vetvete, izolim në shtëpi, rënie nga mësimet. Fëmija heq dorë nga aktivitetet jashtëshkollore, shkon vonë në shkollë ose nuk ka dëshirë të shkojë, lë orë mësimi ose dëshiron t’i lerë. Në të gjitha këto raste, ai mund të jetë një viktimë bullizmi. Kjo gjendje shpirtërore shoqërohet edhe me simptoma të tjera fiziologjike, si: anoreksi, dhimbje koke, dhimbje stomaku, të vjella, përgjumje ose gjumë të trazuar etj. Mungesa e përgjithshme e dëshirës është një shenjë e depresionit. Në këto raste fëmija/adoleshenti, humbet interesin për ushqimin, lojërat, mësimet, hobet që pëlqente, për gjithçka. Pak trishtim në këto mosha mund të quhet normal, por kur fëmija fillon të ketë ndjesinë e mungesës së shpresës, të gëzimit të jetës, kjo është diçka për t’u shqetësuar. Nëqoftëse kjo gjendje nuk menaxhohet mirë nga personi i viktimizuar, ndihmuar nga shkolla, prindërit dhe shoqëria, atëhere situata përkeqësohet dhe viktima kalon në dëshpërim, depresion, duke i lënë pasoja për të gjithë jetën. Personi i bullizuar tenton vetëvrasjen. Sipas mjekëve psikiatër bullizmi i shton 6 deri në 9 herë idetë për suicid (vetëvrasje) ose nëse rrethanat do të vijnë në favor të viktimës, ai mund të kthehet nga i viktimizuar në hakmarrës, viktimizues. Në rastet kur prindërit dyshojnë se diçka po ndodh me fëmijët e tyre, duhet të ulen dhe të bisedojnë me ta, për të kuptuar nëse është thjesht një rast sporadik, një gjendje kalimtare e moshës apo ka diçka më shumë. Bullizmi ul vetëvlerësimin, sepse kur një fëmijë shënjestrohet si viktimë, ai fillon të mendojë se diçka nuk shkon tek ai. Nga na tjetër, psikologët shpjegojnë se, megjithëse duket jologjike, disa viktima përfundojnë duke u sjellë keq me fëmijë të tjerë, duke u kthyer në bullues.
Problemi kryesor qëndron në mënyrën se si si duhet menaxhuar dhe minimizuar dukuria. Duke iu referuar disa studimeve të kryera në shkollat tona, rezulton se në pjesën më të madhe të rasteve, masat merren pasi dukuria është shfaqur dhe në pjesën më të madhe ato nuk janë efektive. Shumica e mësuesve pohojnë se nuk kanë marrë trajnime për ta trajtuar me efektivitet bullizmin dhe se iu mungon një plan konkret dhe të studiuar mirë, në varësi të shkollës, numrit të nxënësve, kulturës dhe mentalitetit të komunitetit, stafit dhe mundësive të shkollës për një infrastrukturë të përshtatshme, që të shmangi problematikat dhe të krijojë hapësira të nevojshme për secilin nxënës. Nga ana tjetër, është i rëndësishëm trajnimi i vazhdueshëm i mësuesve dhe i prindërve në shkollë, për rritjen e vetëdijes dhe ndërgjegjësimin për shkaqet dhe pasojat që kjo dukuri ka te fëmijët dhe adoleshentët, si dhe për të gjetur rrugëzgjidhjet e duhura sipas rasteve specifike. Shumë e nevojshme është prania e psikologut shkollor për këshillimin e nxënësve dhe adresimin në kohën e duhur të problemit. Psikologu shkollor ndihmon në vetëdijësimin e fëmijëve për funksionimin e marrëdhënieve në grup dhe forcimin e aftësive të tyre në përballje me problemin. Shkolla duhet të ketë një plan masash të përshkallëzuara penalizuese për çdokënd që bëhet pjesë e agresionit, si dhe të zhvillojë struktura anonime të raportimit, që nxënësit të kenë akses kur ndihen të kërcënuar. Çdo shkollë nevojitet të ketë pjesë të strukturës së stafit pedagogjik, një ekip përgjegjës për parandalimin e bullizmit, ku mund të bëjnë pjesë mësues, psikologë dhe punonjës social, të cilët duhet të ndjekin zbatimin e rregullave, si dhe të zhvillojnë veprimtari që rrisin ndërgjegjësimin mbi bullizmin, në një bashkëpunim të ngushtë mes shkollës, prindërve dhe komunitetit. Pikësynimi duhet të jetë krijimi brenda mjediseve shkollore i një klime sa më pozitive etike dhe sociale. Vetëm kështu mund të frenohet dhe ngadalësohet ritmi i përhapjes së kësaj dukurie kaq të rrezikshme për shoqërinë dhe të ardhmen e saj.

Faleminderi Zonjusha apo zonja Aida Zhupa, sa trajtoni kete problem, mese jetik, per vijimesine normale te jetes se moshes perkatese.
Ky shrim mendoj se duhet te behetproblem diskutimi ne keshillat pedagogjike dei me nxenesit,per te evidentuar rastet sa masat qe duhen mare. Natyrisht ka vend per shume kujdes ne trajtimin e tyre.si fillim,te jete ana teorike,per tu njohur nxenesit dhe mesuesit.. Si iish mesues i vjeter e me pervoje,ne keto raste duhet kujdes,ne evidentimin real te tyre, Ne te kundert bejme rolin e viktime. Sidoqofte ju takon specialisteve dhe gjithe mesuesve, te thellohen ne kete ceshtie.
Faleminderit sa ngrini kete problem shqetsues.per kohen. Ish mesues 84 vjecar, komenton. Ky problem dhe per nxenesit ne emigracion,qendron e duhet ndaluar. me kond=siderate shopreh mendimet
Faleminderi Zonjusha apo zonja Aida Zhupa, sa trajtoni kete problem, mese jetik, per vijimesine normale te jetes se moshes perkatese.
Ky shrim mendoj se duhet te behet problem diskutimi ne keshillat pedagogjike, deri me nxenesit,,per te evidentuar rastet sa masat qe duhen mare. Natyrisht ka vend per shume kujdes ne trajtimin e tyre.si fillim,te jete ana teorike,per tu njohur nxenesit dhe mesuesit.. Si iish mesues i vjeter e me pervoje,ne keto raste duhet kujdes,ne evidentimin real te tyre, Ne te kundert bejme rolin e viktime. Sidoqofte ju takon specialisteve dhe gjithe mesuesve, te thellohen ne kete ceshtie.
Faleminderit sa ngrini kete problem shqetsues.per kohen. Ish mesues 84 vjecar, komenton. Ky problem dhe per nxenesit ne emigracion,qendron e duhet ndaluar. Me kondsiderate shpreh mendimet