Nis regjistrimi për të gjithë mjekët e rinj që duan të garojnë përgjatë muajit të ardhshëm (nëpërmjet provimit të shtetit) për të fituar lejen e ushtrimit të profesionit. Urdhri i Mjekëve ka bërë me dije kushtet dhe afatet se kur kandidatët e diplomuar në këtë profil mjekësor duhet të paraqiten për të bërë regjistrimin për të hyrë në testimin e shtetit që do të zhvillohet pas pak javësh. Procedurat e regjistrimit edhe për këtë sezon do të zhvillohen me anë të dosjes, ku çdo kandidat që plotëson kushtet e përcaktuara duhet të paraqitet pranë strukturave të këtij urdhri për të dorëzuar kërkesën dhe dokumentet e duhura.
Kandidatët që nuk do arrijnë dot të regjistrohen në afatet e përcaktuara, nuk do të mund të konkurrojnë përgjatë këtij sezoni për të siguruar licencën profesionale, e për rrjedhojë deri në fund të vitit (kur të zhvillohen testimet e radhës) nuk do të mund të aplikojnë për vendet e lira të punës që raportojnë strukturat mjekësore publike apo private në vend.
Ekspertët e këtij urdhri bëjnë me dije se në provimin e shtetit do të mund të hyjnë të gjithë mjekët e diplomuar që janë regjistruar provizorisht tek Këshilli Kombëtar dhe kanë përfunduar praktikën profesionale 3 muaj, të parashikuar në rregulloret e Urdhrit të Mjekëve të Shqipërisë. Ndërkohë që regjistrimet për këta kandidatë do të vijojnë deri në datën 22 prill. Kërkesa dhe dokumentet e përcaktuara duhet që të dorëzohen pranë zyrave të Këshillit Kombëtar të Urdhrit të Mjekëve. Në vijim të shkrimit gjendet e detajuar edhe lista e dokumenteve që duhet t’i bashkëngjitet kërkesës për regjistrim për provimin e shtetit për mjekët e përgjithshëm për kandidatët që japin për herë të parë, si dhe ata që kanë mbetur në sezonet e shkuara.
Një pjesë e mirë e kandidatëve do të kthehen në garë për licencën për të disatën herë, pasi kanë dështuar në sezonet e provimeve të zhvilluara përgjatë sezoneve të shkuara. Nëse kandidati nuk e merr provimin me herën e parë, kur ta rijapë atë sërish, duhet të paguajë një tarifë edhe më të lartë. Tarifa vjen në rritje, për çdo provë të dështuar të kandidatit. Për të gjithë ata që janë regjistruar zyrtarisht për provimin e shtetit në sezonet e mëparshme dhe nuk kanë mundur ta marrin atë dhe dëshirojnë të futen në testimet e muajit maj, përcaktohet se në dosjen e regjistrimit duhet të përfshijnë vetëm rinovimin e tre dokumenteve që janë: Dëshmi Penaliteti, raportin mjeko-ligjor, si dhe vërtetimin nga prokuroria që tregon se kandidati nuk është në ndjekje penale.
Provimi i shtetit edhe për këtë sezon do të zhvillohet në godinën e Qendrës së Shërbimeve Arsimore. Në lidhje me orarin e pjesëmarrjes në provim, bëhet e ditur se oraret janë të përcaktuara për çdo kandidat dhe nuk do të ketë ndryshime orari përtej planifikimit të që do të bëhet publik nga autoritetet e kësaj qendre.
Në ndihmë të bluzave të bardha që do testohen në këtë sezon, ekspertët e Qendrës së Shërbimeve të Arsimit kanë detajuar edhe fondin e mijëra pyetjeve nga të cilat do të përzgjidhen edhe pyetjet që do të jenë pjesë e tezës së provimit të licencës. Në këto kushte, çdo kandidat mund të orientohet rreth përmbajtjes që do të ketë testi i licencës, duke u njohur me fondin e detajuar të pyetjeve që gjendet në faqen online të QSHA-së.
Gjatë pjesëmarrjes në provim, kandidati duhet të ketë parasysh dhe të zbatojë rregullat e përcaktuara. Kështu, duhet të paraqiteni pranë QSHA-së 30 minuta përpara orarit të publikuar për zhvillimin e testimit, teksa duhet të jeni detyrimisht të pajisur me këto dokumente: “Letërnjoftim (Kartë ID ose Pasaportë, dokumenti origjinal) dhe kopje të tyre, si dhe faturën origjinale me vulën përkatëse, të pagesës së tarifës së provimit për llogari të QSHA, të kryer në një bankë të nivelit të dytë bazuar në herën e pjesëmarrjes, si dhe mjetet mbrojtëse ndaj Covid-19”. Kandidatët, të cilët nuk paraqesin këto dokumente, nuk mund të marrin pjesë në provimin e shtetit.
Në rregulloren e provimit të shtetit të miratuar më herët saktësohet se kandidatët që do të vlerësohen në testimin me alternativa me më pak se 50 pikë, nuk do të pajisen me licencën profilit në të cilën aplikojnë, pasi rezultojnë mbetës. Po sipas kushteve të përcaktuara në rregulloren e provimeve, nëse një kandidat nuk paraqitet në provim, ose tërhiqet përpara fillimit të tij, atëherë provimi nuk vlerësohet si i kryer.
Sipas ligjit përkatës, personi, që kërkon të ushtrojë një profesion të rregulluar, duhet të ketë përfunduar programin përkatës të akredituar të studimit ose kualifikime profesionale në atë profesion, të cilat vërtetohen me dokumente zyrtare, të lëshuara brenda ose jashtë vendit dhe të njohura në Republikën e Shqipërisë, në përputhje me legjislacionin në fuqi.
Dosja që duhen për t’u regjistruar në provimin e shtetit (kandidatët që hyjnë për herë të parë)
- Kërkesë me shkrim për regjistrim (kjo kërkesë behet nga kandidati, në Format A4 me kompjuter).
- Formulari i Aplikimit (shkarkohet ne faqen e internetit të Urdhrit të Mjekëve).
- Fotokopje e letërnjoftimit.
- Fotokopje e noterizuar e diplomës së studimeve universitare.
- Fotokopje e noterizuar e suplementit të diplomës e lëshuar nga institucioni i arsimit të lartë, në mungesë të tij lista e notave e noterizuar.
- Dorëzimi i librezës së Praktikës Profesionale (e plotësuar) lëshuar nga Këshilli Kombëtar i Urdhrit të Mjekëve të Shqipërisë.
- Raporti mjeko-ligjor.
- Dëshmi penaliteti.
- Vërtetim nga prokuroria që nuk është në ndjekje penale.
- 2 fotografi të formatit të pasaportës.
- Dëshmia e kursit të ndihmës së shpejtë.
Dokumentet që duhet të rinovojnë mbetësit e sezoneve të shkuara:
- Dëshmi Penaliteti.
- Raportin Mjeko-Ligjor.
- Vërtetimin nga prokuroria që nuk është në ndjekje penale.
