Transferimi i nxënësve lejohet edhe gjatë semestrit

anazapta

Ndryshe nga sa ndodh me studentët, transferimi i nxënësve që ndjekin arsimin e detyruar, apo dhe gjimnazin lejohet edhe pas mbylljes së semestrit të parë, por duke plotësuar një sërë kushtesh, të cilat janë detajuar në nenin 90, të Dispozitave Normative të arsimit parauniversitar. Sipas përcaktimeve të bëra, bashkë me nxënësin transferohen edhe mungesat, qofshin këto të arsyetuara ose jo. Ndërkohë për nxënësit e shkollave profesionale dhe atyre artistike, ndiqen rregulla më strikte. Transferimi nxënësit, si rregull, bëhet pas përfundimit të vitit shkollor ose pas përfundimit të semestrit të parë dhe, në raste të ndërrimit të vendbanimit, gjatë vitit shkollor.

Nxënësi transferohet nga një shkollë me konkurs në një tjetër, po në të njëjtin profil pas përfundimit të vitit të parë shkollor. Kërkesa për transferim formulohet më shkrim nga prindi i nxënësit dhe i drejtohet drejtorit të shkollës ku nxënësi është regjistruar. Drejtori i shkollës firmos dhe vulos dokumentacionin e transferimit, ia dorëzon prindit të nxënësit, e po ashtu duhet t’i dërgohet zyrtarisht edhe drejtorit të shkollës pritëse. Dokumentacioni i transferimit përmban :”Notat ose shprehjet e nxënësit të marra gjatë vitit shkollor deri në çastin e transferimit, numrin e mungesave të arsyeshme dhe ato të paarsyeshme, nderimet dhe masat disiplinore ndaj nxënësit.

Drejtori i shkollës, ku nxënësi transferohet, njofton menjëherë zyrtarisht për regjistrimin drejtorin e shkollës nga nxënësi vjen”. Më tej në Dispozitat Normative për arsimin parauniversitar specifikohet se drejtori i shkollës dërguese, pas këtij njoftimi, bën çregjistrimin e nxënësit, teksa. Lëvizjet e nxënësve pasqyrohen në amzë. Kur nxënësi ka përfunduar një klasë të arsimit bazë, regjistrimi i tij në shkollën tjetër bëhet mbi bazën e vërtetimit të përfundimit të klasës paraardhëse, në të cilin shënohet dhe numri i amzës, i firmosur dhe vulosur

nga drejtori i shkollës, ku nxënësi ka përfunduar klasën përkatëse. Nxënësi i arsimit bazë të shkollave artistike, i cili në sezonin e vjeshtës është pakalues në lëndë të profilit artistik, transferohet në klasën pasardhëse të arsimit bazë të zakonshëm. Transferimi i nxënësit të shkollës së mesme të lartë në një shkollë të një profili tjetër, mund të bëhet pasi përfundon viti shkollor dhe me miratim të Ministrisë së arsimit, pas propozimit të Drejtorisë arsimore.

Nxënësi shlyen detyrimet, që rrjedhin nga ndryshimet në planet mësimore dhe programet lëndore të shkollave, në përputhje me njëvleshmërinë e përcaktuar nga DAR. Drejtoria e shkollës cakton datat e provimeve. Ndërrimi i gjimnazit gjatë vitit shkollor, kur të dy gjimnazet janë brenda një qyteti, lejohet vetëm në raste të veçanta. Por, për të lejuar këtë më parë duhet siguruar shkresa nga drejtoria arsimore, e cila i duhet dërguar gjimnazit pritës. Për nxënësit e shkollave të arsimit të mesëm të lartë, regjistrimi në një shkollë tjetër bëhet mbi bazën e vërtetimit me notat e të gjitha klasave paraardhëse. Nxënësi transferohet nga shkolla e arsimit profesional në gjimnaz vetëm pas vitit të parë shkollor dhe pasi të kalojë në provimet e njëvlershmërisë.

Share This Article
1 Comment
  • kam nje pytje a mund te boj transfer une nga shkolla e mesme teknike n gjimnazin sami frasheri prishtine ju lutum me pergjigjini

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *