Procedurat për njësimin e titujve shkencorë të fituar jashtë vendit

redaktor

 

Kërkesa për njohjen e gradës shkencore “Doktor”, të fituar jashtë vendit tashmë mund të bëhet edhe online.

Procedurat e aplikimeve online jo vetëm që shkurtojnë kohën e marrjes së dëshmisë së njohjes, teksa janë edhe më pak të kushtueshme. Autoritetet e dikasterit të arsimit bëjnë me dije se procedurat për njohjen gradave shkencore të fituara në përfundim të studimeve të kryera jashtë vendit, kur dosja e aplikimit është e plotësuar me të gjithë dokumentacionin e duhur, përfundon brenda 45 ditëve në rastet kur kërkesa është bërë online.

Ndërsa në rastet kur kërkesa bëhet në formë shkresore, procedura e marrjes së dëshmisë njohëse zgjat deri në 3 muaj. Në këto raste vonesat mund të jenë edhe më të mëdha si shkak i mungesës së përgjigjes nga ana e aplikantit për dorëzimin e dokumenteve plotësuese. Lidhur me tarifat për njohjen e këtyre titujve, saktësohet se për gradat shkencore tarifa për çdo diplomë që kërkohet të njësohet është 3,500 lekë për aplikimet e kryera online dhe 5000 lekë për aplikimet e kryera vetëm në formë shkresore.

Për njohjen e këtyre titujve, secili kandidat duhet të dorëzojë pranë sektorit përgjegjës në Ministrinë e Arsimit dosjen e kërkuar të dokumenteve, të cilat duhet të jenë origjinale (me përjashtim të diplomës), ose të jenë fotokopje te njësuara me origjinalin. Dokumentet e dorëzuara për njohje nuk i kthehen më aplikantit. Për rastet kur kërkesa plotësohet online, kandidati duhet të dërgojë më pas edhe në rrugë postare dokumentacionin përkatës.

Vërtetimi i njohjes së këtyre gradave është gjithmonë i vlefshëm brenda vendit, përveç rastit kur ka ankesa për ndryshim dhe kur revokohet nga Komisioni i Njohjes së diplomave. Po ashtu bëhet me dije se vërtetimi i njohjes dhe njësimit është i aksesueshëm online në çdo kohë, kundrejt kodeve që merren në fazën e aplikimeve.

Dokumentet që kërkohen

Për njohjen e gradës shkencore “Doktor”, çdo aplikues duhet që të dorëzojë pranë sektorit përgjegjës në Ministrinë e Arsimit, dosjen përkatëse të dokumenteve, ku duhet që të përfshijë: formularin e aplikimit të plotësuar individualisht, kopje të diplomës dhe suplementit të saj të lëshuar nga institucioni përkatës i arsimit të lartë që dëshmon fitimin e gradës shkencore që do të njehsohet, si dhe kopje të noterizuara të diplomave për studimet pararendëse universitare.

Këto dokumente duhet të jenë të noterizuara dhe të përkthyera në gjuhën shqipe nga përkthyes të licencuar, me përjashtim të dokumentacionit në gjuhën angleze, italiane dhe frënge, për të cilat nuk është i domosdoshëm përkthimi në shqip. Në rastet e pamundësisë së kryerjes së procedurave të përkthimit në gjuhën shqipe, aplikanti mund të përkthejë dokumentin në vendin e origjinës në gjuhën angleze nga një përkthyes i autorizuar dhe licencuar për këtë qëllim.

Për këto raste dokumenti duhet të mbajë domosdoshmërish vulën apostile lidhur me përkthimin. Gjithashtu në dosje duhet që të përfshini edhe disertacionin e doktoratës, në format hard-copy, të firmosur nga aplikanti dhe udhëheqësi shkencor.

Në mungesë të firmosjes nga udhëheqësi, duhet që të siglohet nga sekretaria mësimore e institucionit të arsimit të lartë dhe të vuloset dhe elektronik. Pjesë e dosjes duhet të jetë edhe përmbledhja në gjuhën shqipe e disertacionit në format hard-copy dhe elektronik, vërtetimi i lëshuar nga Biblioteka Kombëtare në Tiranë, CV, fotokopje të kartës së identitetit, mandatpagesa e aplikimit.

Verifikimi i dokumenteve

Sektori i Njohjes së Diplomave në Ministrinë e Arsimit kryen verifikimin e autenticitetit të diplomës, kur këto dokumente nuk janë të pajisur me vulë apostile, apo nuk janë të legalizuara në vendin e origjinës, si dhe në rastet e dokumentacionit të lëshuar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Në këtë rast ky sektor kontakton me email, ose në rrugë postare me institucionin që ka lëshuar diplomën, apo certifikatën përkatëse.

Sektori mund të kërkojë dhe informacion të mëtejshëm që e konsideron të nevojshëm për vlerësimin objektiv për njohjen dhe njësimin e diplomës për titullin përkatës, teksa ka të drejtë që të kërkojë informacion pranë qendrave të rrjetit evropian të informimit dhe njohjes së diplomave mbi statusin e institucioneve të arsimit të lartë, vlefshmërinë e diplomave apo certifikatave, nivelin e tyre sipas kornizës kombëtare, apo evropiane të kualifikimeve, si dhe informacion tjetër shtesë në funksion të njësimit të diplomës.

Materialet shkresore ose të printuara për të gjitha verifikimet e kryera depozitohen në dosjen e aplikantit.

Vendimi i njohjes së gradës shkencore

Vendimi për njohjen ose jo të gradës së paraqitur merret nga Komisioni i Njohjes së Diplomave. Për njohjen e gradave shkencore ngrihen me urdhër të ministrit përgjegjës për arsim, komisione ad-hoc sipas fushave përkatëse me pedagogë ekspertë të fushës të kategorisë “Profesor”, i cili mblidhet në varësi të numrit të aplikimeve dhe shqyrton dosjet përkatëse.

Komisioni përkatës nuk mund të mblidhet më vonë se 15 ditë kalendarike pas njoftimit për shqyrtimin e një aplikimi. Në përfundim të procedurave të shqyrtimit komisioni firmos procesverbalin dhe ministri i Arsimit lëshon vërtetimin për njohjen e gradës shkencore./p.k/Dita

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *