(Vijon nga numri i kaluar)
Duke ndjekur ecurinë e ngjarjeve vëren se dy palë votime të mbajtura përgjatë vitit 1998 kanë një ngjashmëri të hatashme me ato të mbajtura katër vjet më parë, pra në muajt maj, nëntor 1994. Kjo për faktin se edhe në datat 21 qershor dhe 22 nëntor 1998, ashtu si katër vjet më parë, votuesit shqiptarë shkuan pranë qendrave të votimit, përkatësisht, për të zgjedhur drejtuesit lokalë dhe për t’u shprehur “pro” ose “kundër” draftit të projekt-kushtetutës së hartuar, tashmë, jo nga demokratët por nga socialistët.
Ishte mbushur një vit nga hipja në pushtet e të majtëve të grupuar nën siglën “Aleanca për shtetin” dhe këto votime qenë të parat ku “Bashkimi për demokraci” dhe “Aleanca…” përballeshin me njëra-tjetrën, veçse në raporte të përmbysura. Të parët në opozitë dhe të dytët në pushtet. Të parët të anatemuar për mosrespektim të vullnetit të votës së lirë të shqiptarëve votues në tetë proceset e ikura zgjedhore dhe të dytët, anatemues, që sakaq pritej të viheshin në provë. Pra, çfarë do të ishin këto votime: zgjedhje, zgjidhje, apo zgjedhë? Nga do të anonte peshorja e vlerësimit postzgjedhor: nga sfida drejt lirisë së votës, apo edhe këtë herë ajo do të ishte reminishencë e proceseve të shkuara? Nisur nga ato që ishin deklaruar dhe për më tepër, që kishin pësuar socialistët përgjatë qeverisjes së vendit nga demokratikasit, të bëhej të besoje se koha e manipulimit të votës së lirë kishte perënduar. Mirëpo a ishte e vërtetë kjo? Çfarë ndodhi realisht me dy palë votimet e mbajtura gjatë muajve qershor, nëntor ‘98? Fatkeqësisht, me pak ndryshime, po e njëjta gjë që kishte ndodhur katër vjet më parë. Madje me parametra të paparë zhvillimi. Kjo rrjedhur nga fakti se ligjet e hartuara e të miratuara mbrapsht përgjatë viteve, kur pushtetin e administronin demokratikasit, u shfrytëzuan mjeshtërisht prej specialistëve të të majtëve nanoistë, duke iu kthyer të djathtëve në bumerang. Efekti boomerang nuk do të mbyllej me këto dy palë votime, por do të ishte prezent përgjatë gjithë proceseve të mëvonta votuese. I shfaqur herë nëpërmjet manipulimit, terrorit e dhunës, e herë nëpërmjet shfrytëzimit të shtigjeve e rrugicave ligjore të lëna trashëgim nga paraqeverisësit… Por le t’i ndjekim me radhë proceset e mbajtura përgjatë periudhës pas-anarshi për të rikujtuar atë çka ka ndodhur:
Prefektët thyejnë ligjin
“Të realizohet monitorimi i zgjedhjeve. Të vendoset rregulli sipas ligjit për të respektuar afatet ligjore për fillimin nga puna e komisioneve. KQZ-të të verifikojnë në vend problemin e mosregjistrimit të 230 votuesve në komunën Lurë. Të gjithë kandidatët që aktualisht janë kryetarë komunash dhe bashkish të japin dorëheqjen”.
Ishin këto katër kushtet e vendosura, në dt. 2 qershor, prej Partisë Demokratike, për t’u pjesëmarrë në procesin zgjedhor, që pritej të mbahej në dt. 21 qershor 1998. Ky proces përmbante votime të pjesshme në 16 bashki e komuna të vendit për të zgjedhur krerët e tyre. Beteja elektorale ishte ndezur dhe nga sa dukej, Sali Berisha, që pas dorëheqjes nga posti presidencial ishte vendosur në krye të PD-së dhe kishte vendosur të mos falte asnjë shkelje. I ndodhur për më shumë se 5 vite në krye të një pushteti që nuk kishte arritur të prodhonte asnjëherë zgjedhje të vërteta, të lira e të ndershme, ai e dinte mirë se çfarë pasojash mund të vinin në rezultatin e votimeve, nga ato që mund të etiketoheshin si “shtigje ligjore, gabime nga pakujdesia, harresa e papërvoja”. I dinte pasojat pasi ishin produkte elektorale të trashëguara prej pushtetit të tij. Në dt. 2 qershor 1998, Sali Berisha e Genc Pollo, i deklaruan gazetarëve ato çfarë ishin konstatuar deri atëherë në lidhje me situatën. “Ndërsa procesi elektoral është futur në fazën e tij më të rëndësishme, qeveria vazhdon të shkelë ligjin e zgjedhjeve dhe të mos marrë masa për respektimin e afateve ligjore e kërkesave të tjera. 29 maji kaloi, kaloi edhe 1 qershori e akoma komisionet e komunave e bashkive nuk kanë filluar punën. U mbyll dhe afati ligjor i regjistrimit të kandidatëve. Sipas informacioneve me shkrim që ne disponojmë, kryetarët e PD-së në Roskovec e Patos, në 1 qershor kanë kërkuar regjistrimin e kandidatëve për kryetar bashkie, por komisionet nuk ekzistojnë. Prefekti i Fierit, z. Arapi, i përgjigjet drejtuesve të PD-së se nuk është përgjegjësia e tij fillimi i punës së komisioneve. E njëjta situatë është dhe në bashkinë e Vlorës. Në të 16 komisionet puna nuk ka filluar. Kryetarët aktualë të komunës Lurë dhe bashkive Vlorë, Roskovec, Vorë, Ura-Vajgurore, të cilët janë në këto detyra si përfaqësues të Këshillit të Ministrave, janë kandidatë për kryetarë dhe asnjëherë nuk kanë dhënë dorëheqjen, siç e kërkon Neni 48 i ligjit 7573, dt. 16.06.1992. Në këto kushte, kryetari aktual i komunës Lurë, kandidat i PS-së, ka lënë pa regjistruar 230 votues, duke u thënë se “sot unë jam në pushtet dhe nuk dua t’i regjistroj”. Këto denoncoi Berisha, ndërkohë që, zv.kryetari i PD, Pollo denoncoi faktin sipas të cilit, deri atëherë, nga ana e qeverisë nuk i ishte bërë asnjë ftesë zyrtarëve vëzhgues ndërkombëtarë për të qenë të pranishëm në zgjedhje.
Në konferencën e shtypit të dt. 11 qershor, pra dhjetë ditë para votimeve, Berisha vlerësoi se: “Kjo fushatë nuk është as e lirë as e ndershme”, -duke reshtuar në listën e abuzimeve vënien e RTSH, nën çensurën e “Aleancës për shtetit”, -duke mos i lënë minutazh opozitës, -heqjen nga listat të demokratëve dhe shpërndarjen e thasëve me miell e ushqime për të blerë votat nëpër fshatra, si dhe moskorrigjimin e asnjë pike të kërkuar nga PD në dt. 2 qershor. Për ta ngutur Komisionin Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), që të kryente detyrën e tij, në dt. 15 qershor 1998 përfaqësuesit e opozitës në KQZ deklaruan braktisjen e tij. “Ne disponojmë listat e të gjithë zgjedhësve të paregjistruar, ndërkohë që vazhdon heshtja ndaj kërkesave tona për regjistrim, kur kanë mbetur dhe 6 ditë nga zhvillimi i zgjedhjeve. Përveç Vlorës, edhe në Patos, Roskovec dhe Ura Vajgurore vërehen probleme me mosregjistrimin e mijëra votuesve”, -publikoi motivin e braktisjes së komisioneve Pëllumb Çela, nënkryetar i KQZ-së, duke shtuar si arsye të dytë qëndrimin krejtësisht në kundërshtim me ligjin të TVSH-së që çensuronte opozitën. ”Do të mundësojmë rikthimin tonë në KQZ vetëm nëse brenda dt. 18 qershor plotësohen të gjitha kërkesat e komisionerëve të opozitës për zbatimin e ligjit “Për zgjedhjet e pushtetit lokal”, -u shpreh Çela.
Për zgjidhjen e minutazhit në TVSH u desh ndërhyrja e ambasadorit të OSBE-së, Daan Everts, që opozitës t’i liheshin 20 minuta kohë televizive, tre ditë para mbajtjes së votimeve. Ndërkohë, pas përfundimit të këtij procesi, opozita deklaroi shifrën e 72 mijë zgjedhësve që nuk kishin votuar, ndërsa KQZ e konfirmoi këtë shifër, duke thënë se rreth 53% e votuesve, ose 72293 zgjedhës nuk kanë votuar ditën e diel, ku kishin qenë pjesëmarrës vetëm 47% e tyre, ose 51548 votues. Ajo që binte në sy ishte mungesa e të rinjve.
Rezultati përfundimtar i këtyre votimeve pjesore u shpall nga kryetari i KQZ-së, Daver Çano, sipas të cilit: “Zgjedhjet u zhvilluan në 7 bashki e 9 komuna, drejtuesit e të cilave braktisën detyrën, apo u larguan për shkaqe të ndryshme gjatë vitit 1997.”
“Aleanca për shtetin” ka fituar në bashkinë e Vlorës, me 61,59% të votave, në atë të Patosit, me 70,85%, në atë të Roskovecit, me 63,78% dhe në Urën Vajgurore, me 77,01% të votave. Po ashtu, “Aleanca…” ka fituar në komunën Dhivër (SR), me rezultatin 77,84% të votave, në komunën Lurë (DI), me 53,65%, në komunat Zavalin, me 78,40% dhe Gjegjan (EL), me 57,13%, në Sinaballë (KJ), me 77.02% dhe në komunën Greshicë (MA), me 64,29 % të votave. Në total “Aleanca…” ka fituar 53% të votave”. Në krahun tjetër, sipas Çanos: “Bashkimi për demokraci” ka fituar në bashkinë e Kavajës, me 72,96% të votave, si dhe në komunat Lazarat (GJ), me 80,85%, në Progër (Devoll), me 51,13%, në Bushtricë (KU), me 53,93%. Në total ky grupim ka fituar 35% të votave, kurse “E djathta e bashkuar”, ka fituar 7% të votave të elektoratit”. Dy zona elektorale, ajo për kreun e bashkisë Shijak dhe atë të Vorës, kaluan në balotazh pas të cilit bashkia Shijak u fitua nga “Bashkimi për demokraci” me 55,7% të votave, kurse ajo e Vorës nga “Aleanca…” me 57,46% e votave. Përfundimisht, “Aleanca për shtetin” fitoi 5 bashki dhe 6 komuna, ndërsa “Bashkimi për demokraci” 2 bashki dhe 3 komuna.
Fitorja e PD–së në këto zgjedhje të pjesshme ishte një lloj shprese për ringjallje, pas kolapsit të vitit 1997, kur pushteti i shtetit post-komunist të ngritur prej saj u thërmua plotësisht.
Nesër mund të lexoni: PROJEKT KUSHTETUTA 2, Referendumi Nano