Sot do të zhvillohet në Moskë seanca e parë e procesit të Pavel Dmitrichenkos, balerinit solist të akuzuar për orkestrimin e sulmit me acid që shpërfytyroi drejtorin e teatrit “Bolshoi”, Sergei Filin. Dmitrichenko, ka pranuar se e organizoi pritën, por “jo mënyrën se si ndodhi”. Mediat thonë se një ndër motivet që e nxitën ishte e dashura e tij, Angelina Vorontsova
I njohur për interpretimin e tij në rolin e Ivanit të Tmerrshëm, balerini Pavel Dmitrichenko, 29 vjeç, ndodhet në burg që prej muajit mars, me akuzën se ka paguar një keqbërës për të hedhur acid mbi Sergei Filin, drejtorin artistik të “Bolshoi”-t (i cili ka mbetur pjesërisht i verbër). Nëse shpallet fajtor mund të dënohet me 12 vjet heqje lirie. Krimi e vendosi “Bolshoi”-n, teatrin më të rëndësishëm në vend, në qendër të vëmendjes jo vetëm kombëtare.
Javën e kaluar u mbajt seanca paraprake me dyer të mbyllura për mediat. Pas hekurave edhe dy të dyshuar të tjerë: ekzekutori, një ish i dënuar dhe drejtuesi i automjetit që e ndihmoi të largohej nga vendngjarja.
Një dëshmitare kyçe është Angelina Vorontsova, 22 vjeçe, e dashura e Dmitrichenkos. E dalluar për talentin e saj në adoleshencë, u transferua nga Voronezhi (qytet perëndimor rus) në Moskë, në vitin 2009. Hyri shpejt në Bolshoi dhe aty u njoh me Dmitrichenko-n. “Menjëherë u dashurova me të, është shumë karizmatik. Është i dashuri im i parë”, tha këtë vit për një television rus. Pak muaj më parë ajo u largua nga “Bolshoi” dhe u transferua në Shën Petersburg, për t’iu bashkuar trupës së baletit “Mikhailovsky” sepse “e ndjente që nuk do t’i lejohej kurrë të kishte një karrierë në Bolshoi”.
Sipas shtypit rus, Dimitrichenko ishte i tërbuar me Filinin (edhe ky një ish-solist), qëkur Vorontsova i ishte ankuar se ishte përjashtuar nga roli i protagonistes te “Liqeni i mjellmave” Por, ajo i ka përgënjeshtruar zërat se sulmi ishte vënë në zbatim si pasojë e pakënaqësisë së saj pasi nuk zgjidhej kurrë për role kryesore. E larguar nga Bolshoi për shkak të skandalit, Vorontsova është shprehur se Dmitrichenko nuk është i aftë për një krim të tillë: “Nuk mund ta besoj që Pavel të jetë i fajshëm. Kishte mosmarrëveshje me Filinin, e gjithë trupa e dinte, por nuk do të kishte organizuar kurrë një sulm me acid”. Nga ana e tij Dmitrichenko ka deklaruar se dëshironte vetëm që Filin (me të cilin kishte debatuar shpesh) të rrihej.
Filin, i cili u kthye në “Bolshoi” muajin e kaluar, pasi iu nënshtrua 22 operacioneve në Gjermani, për të shpëtuar shikimin, nuk ka qenë i pranishëm gjatë fazave të procesit. “Ia kam lënë çështjen avokatëve të mi, nuk dua të shkoj në gjyq. Dua të përqendrohem në punën time. Kthimi në teatër ka qenë shumë emocionues, nguroja të kthehesha prej frikës se mos humbja plotësisht shikimin. Por tani dua të shoh përpara”, është shprehur Filin.
Që nga moment i sulmit, “Bolshoi” është përpjekur të mposhtë polemikat, thashethemet dhe tensionet brenda trupës, megjithatë procesi mund të rezultojë i sikletshëm, sepse Dmitrichenko ka akuzuar Filinin për korrupsion. “Mënyra jo korrekte, sipas të cilës janë caktuar subvencionet shtetërore nën drejtimin e Filinit, respekti i paktë me të cilin janë trajtuar disa balerinë, mungesa e dialogut midis sindikatës së balerinëve të cilën Dimitrichenko e drejtonte, e gjithë kjo dhe jo karriera ime ka ushqyer konfliktin me Filinin”, ka shtuar Vorontsova
Qëkur Pavel u arrestua, në mars, ajo e ka vizituar katër herë në burg dhe është shprehur e shqetësuar për mënyrën se si trajtohet. “Qëkur ndodhet në burg është gjithnjë i lodhur dhe pas orësh të tëra që e marrin në pyetje, ka rrathë të thellë rreth syve. Është e vështirë ta shoh atje, por kur e takova herën e fundit e pashë që i jepte forca vetes. Shpreson në një proces të drejtë”, thotë balerina./D.Gjuzi